Vende & Zakone

Restorante për t’u provuar

Nga Jeta Dedja

Kur vjen fundjava rrimë e mendohemi se ku të shkojmë. Çdo pjesëtar i familjes apo shoqërisë jep alternativat. Dikush propozon malin, tjetri detin, njëri liqenin, një tjetër fshatin, e kështu mundësitë shtohen. Le ta pohojmë, Shqipëria ofron natyrë të mrekullueshme ku i gjen të gjitha. Sa më larg qendrës së Tiranës, aq më afër natyrës do ndihesh. Por kush nuk e ka terezinë e udhëtimeve të gjata, mund të drejtohet për një drekë në ndonjë restorant tradite në rrethinat e Tiranës, ku ndodh të provosh ndjesinë e relaksimit.  

Kujt i vjen për mbarë rruga e Dajtit, do të ndalej te “Flobes Park”. Pasi po t’i ngjitesh më lart malit, do tronditesh nga smogu i kryeqytetit dhe kullave të shëmtuara nuk ke çfarë t’i kundrosh. Rrugës njerëzve u është bërë si zakon që të interesohen për kullën e Edi Ramës. Hapin sytë përgjatë Surrelit derisa e pikasin lehtësisht banesën kryeministrore të ngjyrosur në gri e ku nuk dallohet asnjë dritare anësore.

Kur arrin në “Flobes Park”, lokalin plot dritë e dritare, fëmijët turrren drejt lodrave të vendosura kujdesshëm mbi tapetë, ndërsa të rriturit hedhin vështrime sipërfaqësore drejt tavolinave për të gjetur vendin ideal. Punonjësit e restorantit të orientojnë me edukatë. Sigurisht që ke dëgjuar diçka mbi restorantin prandaj zgjodhe atë.

Ke dëgjuar që perimet janë të kopshtit e bulmeti i zonës. Dy pronarët janë shokë për kokë e menaxhojnë gjithçka vetë, gratë rrallë herë i përziejnë në këto punë, vetëm në raste eventesh kur u duhet një dorë delikatese. Gatimet janë speciale, gjen gjithçka për çdo nazeli e merakli.

***

Por nëse nuk ta ka qejfi Dajtin, merr rrugën drejt Vaqarrit. Nuk është larg, 10 minuta nga qendra.

Në Instagram (https://www.instagram.com/grandgarden.tirane/)  mund të kesh parë “Bio Farm Grand Garden”. Është një fermë e vogël ku fëmijët mund të shohin nga afër mama Dhinë me kecat apo rosakët jo të shëmtuar, zogjtë e pulat, e fatmirësisht asnjë dhelpër aty pranë, por një qen të bukur që bën për vete edhe personin më anti-kafshë në dynja. Fëmijët mund të ushqejnë lepujt dhe ata që kanë mbaruar klasën e parë të përpiqen t’i numërojnë.  Ndërsa të rriturit mund të mos i numërojnë dot gotat e verës së dashur, që Gavroshit ia sjell enkas për restorantin një mjeshtër i vjetër.

Daniela dhe Goshi janë dy pronarët e përkushtuar të cilët nuk ia përtojnë punës. Ish-arkitektja dhe ish-inxhinieri prej kohësh i janë dedikuar pasioneve të tyre të hershme. Ata tregojnë gjithë entuziazëm kujdesin ndaj zhvillimit të fermës, dhe kjo nuk ka të bëjë me fermën e kafshëve të George Orwellit, pasi ende nuk ka derra në këtë fermë.

Ferma po rritet çdo ditë e më tepër, kjo falë edhe rritjes së klientelës. Përveç miqve besnikë të pronarëve, të cilët kur duan të nderojnë miq të tjerë shkojnë për drekë ose darkë te Goshi dhe Daniela, plot klientë janë rikthyer aty jo për shkak të delikatesës së shërbimit, aty nuk jemi në Hilton, por për shkak të mungesës së hileve në ushqim. Sigurisht edhe për të ngrënë pak fshatçe. 

Mashtrimi i konsumatorëve është një nga shqetësimet e mëdha sot në vendin tonë. Ne paguajmë sa frëngu pulën e frigoriferit nëpër restorante fshatrash, pa renditur ato të qytetit. Prandaj te Goshi, klientët kthehen sërish, sepse aty pula nuk marinohet me mustardë siç bëjnë restorantet e tjera kur duan të shesin pulat e vjetra të importit.

Te Daniela djathin e napës e ke të freskët, me qumësht dhie ose lope si ta duash. Japrakët për neps aty i gjen.

    

Fëmijët nuk hanë patate frigoriferi të skuqura në fritezë dhe sallatës nuk i hedhin vaj vegjetal. Kur mblidhen dashamirës të këngës, Goshi u vë në dispozicion foninë e restorantit dhe kërcet kënga e vallja për qejf. Mjedisi i brendshëm nuk është shumë i madh, por ama është tepër miqësor dhe i ngrohtë, jo vetëm për shkak të oxhakut :)

Mjedisi i jashtëm ka vend për gjjithçka, për parkim, lojëra për fëmijët, kokteile e darka eventesh të arreduara me kujdes nga Daniela. Kush do, bën xhiro në kopësht e viziton kotece, qymeze, grazhde apo kolibe. Madje madje, nëse ju zë nata, dhe e keni tepruar me verën e parezistueshme, dhomat e hotelit mund t’ju bëjnë punë. 

Kështu pra nëse nuk keni një ide se ku të drekoni ose darkoni një ditë jave apo fundjavë të shkurtër, hidhuni një vrap nga “Flobes Park” ose “Bio Farm Grand Garden”. Sidomos tani në verë ia vlen!

©FlasShqip.ca