Vende & Zakone

Një copëz nga historia e rrapit të Bezistanit në Elbasan

Nga: Bim Dakli

Nuk e di nëse rrapi i Bezistanit qe ndër të parët, ndër të fundit apo i fundit te lista e pemëve të destinuara për t’u prerë. Por, është e sigurtë që plani i lidhur me eliminimin e tij preku ndjeshmërinë e qytetarit Bukurosh Sejdini, njeri i guximshëm, që vendosi t’i japë vlerë të drejtës për të shfaqur mosdakordësinë e tij.

Për këto arsye, ai ndjeu të nevojshme të shprehej publikisht, në mënyrë të dukshme, të pazakontë dhe të rrezikshme për atë periudhë dhe nën atë regjim. Ka të ngjarë që në këtë nismë të tij nuk u ndoq dhe nuk u mbështet nga asnjë njeri. Bashkëqytetarët e tij, duke ditur se qeveria nuk lejonte akte të tilla kundërshtimi, parapëlqyen të qëndrojnë larg nga këto ngjarje dhe të mendojnë për hesapin e tyre.

Në të kundërt, Bukuroshi refuzoi të pranonte atë gjendje frike. Në mbrojtje të rrapit vuri njohjen e tij si artist, veten si qenie arti, si dhe veten si qenie fizike; duke e bërë trupin e tij mburojë për trungun e pemës, ai sfidoi autoritetet: “Duhet të na prisni ose të dy, ose asnjërin!”

Dhe këtu duhet të ndihmohem sërish nga imgjinata ime për ta rindërtuar skenën midis Bukuroshit dhe përgjegjësve që merreshin me realizimin e planit urbanistik: Meqenëse Bezistani ishte qendra e Pazarit, mblidhen menjëherë kureshtarë, ndonjëri prej tyre ose ngaqë ndan të njëjtin mendim me Bukuroshin (edhe pse nuk ka guxuar ta shpallë publikisht deri në atë moment), ose ngaqë e njeh, e vlerëson dhe është mik me të, fillon të rreshtohet nga ana e tij dhe të ngrejë zërin. Fillon ndeshja me fjalë dhe menjëherë shpirtrat ndizen. Situata i raportohet “atij që është në pushtet”, zyrat e të cilit janë afër. Por meqenëse në atë tip regjimi asnjë nuk dëshiron të bëjë hapa të gabuar, problemi rimerret në konsideratë dhe urdhërohet që të pezullohet momentalisht puna e prerjes, duke gjykuar që do të ishte në të ardhmen një rast më i mirë dhe më i përshtatshëm për ta prerë atë pemë të vjetër. Kalon koha, ndryshojnë funksionarët dhe regjimi. Ata që vijnë e kuptojnë që ky rrap është një faqe e gjallë e së shkuarës së qytetit dhe vendosin ta konsiderojnë “Monument natyre i mbrojtur nga shteti”.

Pasazh i shkëputur nga libri “Copëza Malli” (Onufri, 2017).