Vende & Zakone

Ndaluni në Pejë!

Ndalni frymën kur të gjendeni para kanioneve dhe ujëvarave në Pejë. Janë mrekulli që duhet t’i shijosh fillimisht me veten e pastaj mund të zhurmoni bashkë me natyrën. Adhuroje natyrën e egër e po aq edhe bukuritë natyrale të fshatrave. E ndodhur mes lumenjve Drini i Bardhë dhe Lumëbardhit, Peja ofron një varg mundësish argëtimi dhe aventurash, si familjare ashtu edhe me shoqërinë.

Hijet e maleve dhe pyjeve joshin çdo gjuetar apo amator gjuetie për t’iu vënë pas arinjve, kapronjve, derrave, lepujve, thëllëzave, fazanëve, etj,  e po aq të joshur janë edhe grumbulluesit e bimëve mjekësore e prodhimeve malore si boronica, kamomili, dredhëza, mjedra, manaferra, thana, lajthia etj.

Klima malore e Rugovës me verën e nxehtë e dimrin e ftohtë dhe të gjatë, favorizon pa rezervë turistët që të thithin ajrin e pastër, me jone të zbritura nga mali në mëngjesin e hershëm deri në orën nëntë që janë stimulues për shëndetin e njeriut. Jo vetëm ajri i pastër por edhe larmia e botës së gjallë  të humb në meditim.

Prania e ujërave është vendimtare për çdo turizëm, prandaj kjo zonë konsiderohet si rezervuar ujërash me prurje optimale nga lumenjtë e thellë që i japin pamje estetike, ujëvarat, puset e gurrat, si në numër ashtu edhe në përhapje të konsiderueshme. Uji i tyre është i kthjellët si kristal, në të shumtën e rasteve i ftohtë, por i pasur me peshkun e shijshëm, Trofta, të cilin mund ta hani pa merak, por ju lutem mos e shoqëroni me birrën e famshme “Peja”. Do t’ia prishni lezetin të dyjave.

Gryka e Rugovës dhe fusha rreth shtratit të Lumëbardhit të Pejës është mahnitëse. Përmes kalon rruga e asfaltuar 24 km që të çon prej Pejës për në Mal të zi. Hapësira rreth shtratit të Lumëbardhit ka pamje grykore në gjatësi prej 20 km, ndërsa pjesa më e bukur e tij “Gryka e Rugovës” është e gjatë rreth 10 km. Ajo është e thellë 1000m, duke u klasifikuar në rendin e kanioneve më të thella në vend dhe në Evropë. Ky kanion, tipik dhe i thellë është krijuar nga gërryerja e ujit dhe largimi i akullnajës së Pejës. Para se të hysh në pikën që karakterizon këtë grykë si kanion tipik në kilometrin e 6-të ndodhet ujëvara e gjatë 25m që buron në shkëmb nga ana jugore e derdhet në lumë.

Është e njohur ura harkore prej guri që lidh kanionin në mes dy shkëmbinjve duke i dhënë një mesazh bashkimi e lidhjeje gjithë kalimtarëve. Ndërsa në shkëmbin përballë urës ndodhet vizatimi i një atleti, që mendohet të jetë i kohës pellazge. Në të njëjtin vend ndodhet guri poshtë rrugës në të cilin Ansambli Rugova bënë promovimin në natyrë.

Ekziston një legjendë sipas të cilës vajza shqiptare kërcen nga guri që të mos u dorëzohet pushtuesve që kishin populluar zonën mbi kishën e Pejës dhe pikërisht në km e 3-të ndodhet një gurë i veçantë. Ai paraqet një monument të traditës, duke e prezantuar femrën shqiptare si të paepur për të mbrojtur dinjitetin e saj.

Bukuritë që të magjepsin përbëjnë bjeshkët të cilat shtrihen në veri dhe në verilindje të Lumëbardhit të Pejës si dhe ato në mes Lumëbardhit dhe Deçanit.

Nëpër qytet kalon lumi Lumbardhë i cili me rrjedhën e vet gjarpërore e ndan qytetin në dy pjesë duke i dhënë një bukuri të veçantë, ndërsa brigjet e tij të gjelbërta janë shëtitoret më të preferuara të pejanëve. Në ditët e nxehta të verës pejanët me kënaqësi dalin të freskohen në ujin e Lumëbardhit, në vendet e njohura si: Burimi i ujit të zi afër Shpellës së Demajve, në kilometrin e tretë afër shpellës së Princeshës e gjer në kilometrin e 12 -të, ndërsa në vazhdim të rrjedhës së lumit pesë kilometra prej qytetit gjendet pishina me dimensione olimpike, e cila në ditët e nxehta është plot me vizitorë.

Nuk është vetëm kjo pasuria e Rugovës, janë edhe shpellat si monumente natyre në zonë dhe përgjatë kanionit si: Shpella e Karamakazit, shpellat e vogla të Princeshës, shpella e Radacit. Në kilometrin e pestë gjenden shpellat e Jerinës, kurse më poshtë shpella e Demajve.

Motiv të veçantë turistik me kuriozitete estetike paraqet Shpella e Radacit, dhe ujëvara e burimit të Drinit të Bardhë e cila gjendet afër fshatit Radac, rreth 11- km larg qytetit të Pejës. Ajo është pa dyshim shpella më e madhe në zonë, ndonëse e paeksploruar shumë, ajo është shpallur Monument natyror bashkë me burimin e Drinit të bardhë.

Në restorantet pejane mund të shijohen ushqimet vendase e origjinale, të freskëta prej qumështi, djathi, kosi, maza, mjalti, çajë mali, lakror, fli, kaçamak, leqenik, dhe bukë të shëndetshme të grurit dhe të misrit të pjekur në furrë a çerep. Të gjitha këto ju presin t’i provoni. Prandaj mirë është që pas ditëve të lodhshme të plazhit t’i drejtohemi natyrës dhe malit.

Referenca: kk.rks-gov.net

©Flasshqip.ca

Tagged under turistet Rugova Peja