Vende & Zakone

Vende pelegrinazhi në Shqipëri

Besimtarë ose jo, njerëzit ngacmohen nga ideja se ka vende në botë me veti çudibërëse. Legjendat përcillen brez pas brezi dhe gjithmonë ato grishin kureshtjen dhe ndoshta edhe besimin. Në Shqipëri, jo pak frekuentohen vendet që sipas gojëdhënave janë të shenjta. Për shumë vite, gjatë rregjimit diktatorial, disave iu vu kazma dhe njerëzit ndaloheshin të praktikonin besimin e tyre, ritet fetare haptazi në publik. Kishte nga ata që nuk u trembën e mbrojtën besimet sipas mënyrave të tyre, ashtu siç pati plot të tjerë që u përshtatën me rregullat e reja. Sot në Shqipëri numërohen plot objekte kulti, që vizitohen rregullisht nga shqiptarë e të huaj, pavarësisht përkatësive fetare të tyre. Dikush shkon me besimin në zemër e ndoshta edhe në ndonjë mrekulli, mbarësi e të mira, dikush për kulturë, e të tjerë për arsye të ndryshme. Cilat janë këto vende të cilësuara të shenjta kaq të frekuentuara?

Teqeja e Buzëmadhes ose, siç e thërret populli Teqeja e Dervish Ismailit,

është teqeja më me influencë dhe me pelegrinazhin më të madh jo vetëm në Lumë. Kjo është e vetmja teqe në Shqipëri që nuk u prish as në vitin 1967. U nis njëherë një grup ta prishte e nuk e prishën dot, vetëm hoqën ca tjegulla, por atyre që i hoqën ato, thuhet se u ndodhën fatkeqësi.

Mali i Tomorrit, Berat

Pelegrinazhi në Malin e Shenjtë të Tomorrit, i quajtur edhe Froni i Zotit, fillon në datën 20 gusht për të vijuar për 5 ditë me radhë, deri më datë 25 për besimtarët bektashinj. Mijëra besimtarë, por jo vetëm, ngjiten në Malin e Tomorrit, deri në vendin e njohur si Çuka e Abaz Aliut (2416m mbi nivelin e detit), për të kryer ritet fetare të festës, ku çdo pelegrin falet për shëndet, mirësi dhe paqe në familjen e tij. Thuhet se nën Tomorr fshihet një piramidë.

Sari Salltik në Krujë

Ky vend ndodhet në Malin e Krujës i njohur edhe si mali i Skënderbeut, 1,176 metra mbi nivelin e detit dhe mirëpret shumë besimtarë dhe turistë kuriozë. Ngjarjet e pashpjegueshme filluan kur Sari Salltik, një ndjekës i Haji Bektash Veils arriti në Krujë në vitin 1325. Pelegrinët e feve të ndryshme nga e gjithë Shqipëria vizitojnë teqenë dhe shpellën ku ata besojnë se ndodhin mrekulli. Gjithashtu në hyrje të Krujës është edhe teqeja e Gjurmës së Sari Salltikut e cila ndez kuriozitetin e vizitorëve. 

Shën Antoni (Shna Ndou) Kisha në Laç

Kisha e Shën Antonit e ndërtuar në kodrat mbi qytetin e Laçit është një nga vendet më të rëndësishme të pelegrinazhit në Shqipëri. Mbi një milion pelegrinë vizitojnë kishën çdo vit. Ka shumë prej tyre që ndjekin ritualet e 13 të martave që përmbyllen në 13 qershor, ditën e lindjes së shenjtit.

At Zef Pllumi, thotë në kujtimet e tij se Shna Ndou konsiderohet të jetë vendi më i shenjtë në tokat shqiptare për njerëzit e të gjitha besimeve dhe feve. Vizitorët ndezin qirinj dhe vizitojnë shpellën Shna Vlashi, ku kryejnë ritualet e prekjes me dorë dhe puthjes së vendeve ku mendohet se ka qëndruar Shenjti.  

Ishulli i Zvërnecit, Vlorë

Në këtë ishull ndodhet manastiri i vjetër bizantin kushtuar Shën Marisë. Historianët thonë se ajo u ndërtua midis shekujve X dhe XIII. Pelegrinët dhe besimtarët vizitojnë ishullin çdo 15 gusht.

Manastiri i Shën Kollit të Mesopotamit

ndodhet përgjatë rrugës Sarandë-Gjirokastër përballë HEC-it Bistrica 2. Manastiri është ndërtuar mbi një tempull dhe në të gjenden gdhendjet e dragonjve, shqiponjave, luanëve dhe krijesave të tjera mitologjike. Ekspertët e konsiderojnë atë një monument unikal të llojit të tij në të gjithë Ballkanin.

Kisha e Shën Marisë, Sinjë

Në anën jugperëndimore të Shpiragut, në një lartësi prej 800 mbi nivelin e detit ndodhet fshati Sinjë, i cili është 16 km larg nga qytetit i Beratit. Gjurmët arkeologjike dëshmojnë se zona ku ndodhet fshati i Sinjës ka qenë vendbanim i hershëm. Në këtë fshat ka patur 4 kisha: Fjetja e Shën Merisë, e cila ruhet në gjendje të mirë, kisha e Shën e Premtes në gjendje rrënojë (që njihet gjithashtu me emrin “manastiri i vogël”), kisha e Shën Mehillit, e cilat ndodhet në pikën më të lartë të Shpiragut dhe kisha e Shën Nikollës që dikur ka qenë pranë varrezave të fshatit, por nga e cila kanë mbetur vetëm disa gurë. Në kishën që ndodhen në faqet shkëmbore të malit të Shpiragut njerëzit kanë nisur këto vite të vijnë për pelegrinazh çdo 15 gusht.

Xhamia e Gjin Aleksit

ndodhet në zonën e Rusanit, Delvinë. Xhamia është ndërtuar gjatë shekullit të 16-të mbi rrënojat e një kishe bizantine të vjetër. Një shembull i tolerancës fetare, me të cilën shqiptarët krenohen. Mund të quhet fare mirë një ndër gjërat më të rralla që mban toka shqiptare. Në oborrin e saj ka një kishë dhe një teqe. Objekti ndërthur gërshetim kulturash nga ajo vendëse, në post bizantine e deri otomane. Xhamia ka qenë e veçantë për akustikën e saj. Është cilësuar perlë e arkitekturës, por edhe e trashëgimisë sonë kulturore.

Tyrbja e Dervish Luzhës, Tropojë

Është një vend pelegrinazhi tashmë. Çdo ditë të javës aty ka njerëz të moshave dhe feve të ndryshme. Rexhep Tarçuk Bala (i pagëzuar si Dervish Luzha), u bë i njohur për aftësinë për të shëruar disa sëmundje. Pas vitit 1967 kur u ndaluan besimet fetare, dervish Luzha pati probleme. Ai vdiq më 4 nëntor 1985 dhe u varros në Luzhë. Mbi varrin e tij është ndërtuar tyrbja dhe një monument me emrin tashmë të njohur në këto zona.

©Flasshqip.ca