Vende & Zakone

Shënime dimri nga Leskoviku

Nga: Ndue Dedaj

Leskovikun e gjejmë të mbytur në mjegull, edhe pse po afron mesdita. Vijmë për herë të parë në këtë qytet juglindor, ndonëse grishja ka qenë e kahershme. Sapo zbresim nga makina, fotografia e parë që bëjmë është ajo më rrapin treqindvjeçar, monument natyror që identifikon qytetin, ashtu si dhe mali shkëmbor i Melesinit sipër, i sogjetuar gjithandej nga postat kufitare. Do të pimë vetëm një kafe këtu, pasi vijmë nga Korça e do të udhëtojmë drejt Permetit. Është një guidë dimërore miqsh nëpër këtë rajon të përmendur në histori. Rruga e re drejt Ersekës, me 3 korsi, ka përfunduar në 17.6 kilometra dhe konsiderohet në standarde europiane, e plotësuar në pjesën urbane me pemë dekorative, ndriçim rrugor e trotuare, ku vitin e ardhshëm do të fillojë dhe ndërtimi i pjesës tjetër, thuhet në një njoftim qeveritar. Neve na mbetet vetëm ta përfytyrojmë të përfunduar gjithë aksin turistik prej rreth 200 kilometrash Korçë - Permet. Vetëm atëherë juglindja e vendit do të jetë më të vertetë e urbanizuar dhe e lakmuar nga turistët në çdo stinë të vitit. 

Nga Erseka deri në Leskovik janë 42 kilometra dhe miku ynë Platon Karafili, që na pret atje, na thotë në telefon të kemi kujdes pasi rruga malore është e ngushtë dhe me shumë kthesa. Dhe të mendosh se po shkon drejt një qyteti që dikur ka qenë fort në zë, qendër nënprefekture në kohën e Zogut dhe më pas qender rrethi, status që aty nga mesi i viteve ’50 do t’i kalonte Ersekës. E para gjë që bëjmë janë fotografitë me rrapin, çka nuk mund ta anashkalojë askush që vjen këtu. Po nuk qëndrove ca minuta te rrapi, nuk ke qenë në Leskovik. Dhe ne e fotografojmë pemën simbolike që t’ua postojmë miqve tanë që nuk kanë pasur rastin të vijnë ndonjëherë në këtë qytet në reliev shkëmbor. Qyteti është ai që ka qenë vite më parë, pa ndërtesa të reja të mëdha, ka ndryshuar vetëm qendra që i është nënshtruar rikonstruksionit urban, si të gjitha qytetet e tjera të vendit. Në qendër të qytetit të vogël na zënë sytë emërtimin “Faik Konica”. Kujtohemi se Kolonja ka nxjerrë njerëz të shquar, sidomos në periudhën e Rilindjes kombëtare: Petro Nini Luarasi, Papa Kristo Negovani, Sevasti Qiriazi, Jani Vreto, Sali Butka, Themistokli Gërmenji, Spiro Ballkameni, Zylyftar Poda, Shahin Kolonja etj. Nëse koha do të mund të kthehej mbrapsht, atëherë në do të kërkonim në këto anë poetin Dhori Qiriazi, që ka mbledhur në një libër, nën titullin “Flakët e vatrës”, këngët e krahinës së Kolonjës dhe të Leskovikut. Por shkrimtari ynë fisnik, ish - mësuesi i dikurshëm i letërsisë në Ersekë, njëherësh përkthyes e studiues, nuk rron më prej 9 vitesh. Ruajmë vetëm kujtimin e takimeve me të në Tiranë, në promovime librash etj. Edhe pse njëri nga emrat e spikatur të poezisë së re shqipe të viteve ’60, bashkë me Kadarenë, Arapin e Agollin, regjimi i kaluar u tregua armiqësor me të, duke e lënë deri në fund në periferi të vendit, larg Tiranës.

…Me Platonin, aty te rrapi, takohemi pas 35 vitesh që kur kemi qenë studentë. Ai më pas ai është specializuar për pedagogji-psikologji dhe ka punuar mësues e drejtor shkolle. Por ka njëzet vite që shërben në Policinë e Shtetit. Biseda e tij është e këndshme dhe plot humor. Kujton fillimin e viteve ’90. “Atëherë punoja në Drejtorinë e Arsimore. Takoj një ditë një mësues grek, që gjithashtu kishte njëfarë pozite në strukturat drejtuese të arsimit matanë kufirit. “A mund ta hapësh një shkollë greke në Ersekë? Sa për dhrahmi, hap gojën!” - m’u drejtua. “Po, ore, - i thashë, - ç’është ajo fjalë”. Dhe ai fërkoi duart i gëzuar. Sakaq iu drejtova: “Po ti a e hap dot një shkollë shqipe në Greqi…?”, ku ndryshe nga këtu, që nuk kishte gjurmë greku, atje ishin fshatrat shqiptarë, si Konica etj. “Ah, qerrata, ma punove!” - ia bëri “homologu” grek dhe biseda u mbyll. 
Në njërën nga kafenetë e qytetit bëhemi 5-6 veta në tavolinë, të njohur e të panjohur me njëri-tjetrin, ku është dhe mjeku veteriner Koço Vezulli, që takohet përzemërisht, dhe ai pas shumë vitesh, me bashkëstudentin e tij nga Lezha, Prengë Pepën.
Rrapi është shenja e parë që ky qytet është dhe një atraksion turistik, ashtu si dhe vëra e rakia e përmendur e Leskovikut etj., por, në të vërtetë, diku tjetër fshihet “sekreti” i suksesit të turizmit, te njeriu leskoviqar. Kur e pyetëm njërin nga bashkudhëtarët se çfarë veçonte nga vizita e shkurtër atë ditë në Leskovik, ai na u përgjigj përnjëherësh: buzëqeshjen, mirësjelljen dhe gatishmërinë e njerëzve të qytetit ndaj nesh që ishim të panjohur për ta. Aq më tepër që Kolonja ofron diçka të “harruar”, punën në bujqësi. Si rrallëkund, pamë ara që plugoheshin, njerëz që jepnin e merrnin me tokën, plehërimin, krasitjen e pemëve, blegtorinë. Është e pamundur që në Leskovik të mos dëgjosh për banjon e Sarandaporit, 10 kilometra nga qyteti, një nga mrekullitë natyrore dhe turistike, që meriton një vëmendje më të madhe se sa deri sot. Leskoviqarët kanë jetuar në lartësitë malore mbi një mijë metra mbi nivelin e detit, me tokën, vreshtat, blegtorinë, ata njihen si mjeshtër të punimit të drurit, muratorë të zot etj. Janë marrë dhe me shkëmbime tregtare brenda e jashtë vendit. Sazet janë një nga shfaqjet e virtuozitetit të tyre popullor. 
Është e natyrshme që temë e përhershme në këto anë të jetë kufiri, me historitë e tij shpesh tragjike. Platoni na thotë se në këtë rajon kanë qenë mbi një mijë kufitarë dhe familjarë të tyre. Kufiri i këtushëm nuk është një motiv vetëm për jugorët. Një piktor nga Veriu, para ca vitesh, kishte ardhur këtu vetëm për t’i bërë një fotografi rrapit e për t’ia dërguar të atit të moshuar, që kishte kryer ushtrinë në Leskovik në kohën e provokacioneve të gushtit 1949. Edhe ne, për herë të parë, emrin e këtij qyteti e kishim dëgjuar nga një i afërm yni, që kishte qenë kufitar në Leskovik, në vitet 50 të shekullit të kaluar.
Rruga prej 18 kilometrash, nga Leskoviku deri te Tri Urat, është rikonstruktuar kohët e fundit. Sa më shpejt të bëhen rrugët, aq më pak ikje do të ketë nga ky vend. Por a ka politika reale që t’i mbajnë njerëzit të lidhur pas gurit të tyre të caranit?...

 

 

Tagged under Ndue Dedaj Leskoviku