Vende & Zakone

Rruga Saraçve - Nga Edison Ypi

Rruga Saraçve është një lloj rakie që po të zuri prej saj nuk bëhesh dot kurrë esëll.

Rruga Saraçve është si ajo femra aq e dashur prej së cilës nuk ndahesh dot as në të gjallë as në të vdekur.

Rruga Saraçve është e vetmja rrugë në botë që nuk udhëton ti mbi Atë por Ajo brenda teje.

Mund të largohesh sa të duash nga Rruga Saraçve. Mund të shkosh edhe mbrapa Diellit edhe para Honës, edhe te Rruga e Qumështit po deshe. Por nëse te Rruga Saraçve ke qëndruar edhe vetëm një çast, dije se te Rruga Saraçve je dhe te Rruga Saraçve do mbetesh në jet’të jetëve.

Rruga Saraçve nuk është rrugë. Rruga Saraçve është pol. Ku po të jesh, ngado që të rrotullohesh, para ke botën, poshtë tokën, lart qiellin.

As treqind metra nga Selvia tek Pazari i Ri, zemra që rreh, shpirti që dridhet, vatra që ngroh, zjarri që djeg, është 1 dhe vetëm 1, është Ajo dhe vetëm Ajo, Rruga Saraçve.

Plot me lëng jete, Rruga Saraçve është një përqëndrim urban me një dendësi njerëzore marramendëse.

Rruga Saraçve është një esencë, një palcë, një pigment urban që ndryn brenda vetes sekretet e ekzistencës, pafundësinë e dashurisë, zulmet e pasionit, misterin e mbijetesës, të fshehtat e vijimësisë së racës, paradokset e progresit, nazet e gjuhës, origjinën e proverbave, pragjet e sakrificave, caqet e trimërisë, fillesat e urrejtjes, shakatë e fatit, trillet e cerebralitetit.

Me shtëpi misterioze, porta që hapen e mbyllen duke kërcitur, mure me myshk, gardhe të shtrembër, Rruga Saraçve, ky miks mahnitës mishi dhe mendimi, të lë pa frymë.

Absolutisht e pazbërthyeshme, krejtësisht e painterpretueshme, totalisht e pamodifikueshme, me një rrezatim njëkohësisht të këndshëm dhe rrënqethës, Rruga Saraçve është një ndërlikim dhe një sofistikim aq i thellë njerëzor, sa nuk e rrok dot asnjë mendje.

Fine, elegante, e epërme, e sofistikuar, Rruga Saraçve, nuk mund të mbetej jashtë vëmëndjes së antipodit të saj, krimit komunist.

Si njeriu përballë shtazës, urtësia përballë egërsisë, dituria përballë injorancës, ndërtimi përballë shkatërrimit, dashuria përballë urrejtjes, jeta përballë vdekjes, në pararojë të parehatisë së komunistëve, e pamposhtura Rruga Saraçve dhe komunizmi, kanë qëndruar përballë njëri-tjetrit në simbiozën llahtarisëse të një bashkëjetese të detyruar prej të mbrojturi të butë e kryelartë dhe agresori të egër dhe frikacak.

Megjithse gjithë kohën në thep-shqekzën e komunizmit vrasës, Rruga Saraçve kurrë nuk u mposht.

Sepse Rruga Saraçve duket prej mishi, dhe prej mishi është, por po të provosh ta hash të mbetet si kockë në fyt.

Rruga Saraçve duket e ëmbël, dhe e ëmbël është, por po të rrekesh ta pish helmohesh dhe vdes.

Rruga Saraçve duket e butë, dhe e butë është, por po të provosh ta kafshosh dhëmbët t’i thyen.

Rruga Saraçve duket e urtë, dhe e urtë është, por po iu afrove dhe e preke, egërsohet dhe të kafshon.

Përbindëshi komunizëm s’la gjë pa bërë që ta gjunjëzonte Rrugën. E ktheu në laborator makabër ku eksperimentoi të gjitha llojet e sadizmave, krimeve, kafshimeve, spiunimeve, helmimeve e shkatërrimeve. Instaloi mu pranë saj te Selvia një stabiliment torturash. Ja ndërroi emrin. I vuri emrin e një vrasësi komunist. U mundua ta bënte pis duke e nakatosur me lebër të ardhur. Por Rrugën e Saraçve nuk e ndoti dhe nuk e gjunjëzoi dot kurrë.

Sepse kur gjinakastralit vrisnin, Xhilag’t dashuronin.

Kur komunistët këndonin këngë partizane, Stazimir’t dëgjonin kanconeta italiane.

Kur proletarët vishnin uniforma, Saraç‘t ndiqnin modën e fundit.

Kur komitetsat përhapnin gënjeshtra të reja proletare, Lik’t rrëfenin histori të vjetra aristokrate.

Kur vrasësit ulurinin nëpër kongrese, Moç‘t bënin muhabet si njerëz me kafe përpara.

Kur majmunët marshonin para tribunave, Qefali’t këndonin e kërcenin.

Kur plehrat spiunonin, Bash’t lidhnin krushqira.

Kur flliqsirat prishnin faltoret, Hyk’t faleshin fshehtas.

Kështu ndodhi që bulevardi u bë pëgërja, ndërsa Rruga Saraçve u bë zemra e Tiranës.

Kështu ndodhi që blloku polli shtriga të shëmtuara të liga, ndërsa Rruga Saraçve vetëm goca t’bukra, princesha kokulura.

Kështu ndodhi që komunizmi që erdhi nga larg u mposht nga një rrugë e vetme që s’erdhi nga kurrkund, që aty ishte, aty është dhe aty do jetë.

Kështu ndodhi që Liria në Shqipëri nuk erdhi as nga Jalta as nga Malta, as nga Lindja as nga Perëndimi, por nga Rruga Saraçve.

Kështu ndodhi që teoritë dhe praktikat e kuqe u bënë të gjitha pluhur e hi nga butësia, urtësia dhe durimi njerëzor te Rruga Saraçve.

Me shtëpiza plot me shpirtra, ngushtica me të papritura, dashuri të zjarrta, drama të ndërlikuara, tragjedi rrënqethse, Rruga Saraçve është rruga më e dashur, më e ëmbël dhe më e bukur e botës.

Tagged under Flasshqip.ca Edison Ypi