Vende & Zakone

Mokra ka vdekur - Nga Edison Ypi

Edison Ypi

Burra zamani me mustaqet deri te veshi që dinë si pihet rakia, si respektohet Kanuni, janë të rrallë, por ndoshta kanë mbetur në Mokër.

-Mokra është e bukur, thotë një polic rrugor afër Quksit, ka ajër të pastër, njerëz të urtë. Por kot lodhesh. S'ke për të gjetur asnjë burrë rakie dhe kanuni. Pijetarët janë bërë qumështorë.

-Vazhdo vazhdo, thotë një banor i Karkavecit, hiç mos u ndal, ik e gjeje mokrarin me mustaqe në të satëme.

Te ura e Golikut marr një Mendimtar të Rodenit ulur mbi një gur. E pyes për ndonjë me mustaqe të përdredhura deri te veshi. Kur të arrijmë në Velçan, tha, do të çoj te disa mokrarë nga ata që kërkoke zotrote.

Panorama mahnitëse; Përrenj, lumë, ura mesjetare, pllaja, kodrina të gjelbëruara, dhe fllad që të ngjeth nga kënaqësia.

Thotë pasagjeri,

-Je me fat që më more mua në makinë dhe jo ndonjë tjetër. Se unë di të llafosem. Të tjerët janë dudumë, nuk lidhin dot dy fjalë.

Proptishti është fshat më i mjerë se fshatrat e horrorit në filmat e Hollivudit. Është ditë Pazari. Ka kaluar mesdita. Po mbledhin rraqet. Shapka, lakra, kumbulla, hekurishta. Pazari i Proptishtit në shekullin e 15 me siguri ka qënë më i pasur. E mbyllëm Pazarin për sot, por po të duhet ndonjë rraqe e hapim përsëri për ty, thotë një hokatar. Shtëpitë e Proptishtit janë të vjetra, të vogla, të këqia, pothuajse rrënoja. Shtëpitë e shumicës së fshatrave të sotëm shqiptarë janë sa më të dukshme. Shtëpitë e Proptishtit duken sikur fshihen. Për të parë mes pazarxhinjve ndonjë me mustaqe madhështore, s'bëhet fjalë.

Përpjetë për në Velçan takova njërin që quhej Trëndafil. Trëndafili po ikte në Laktesh. Po pate merak se ngatërron rrugën, tha Trëndafili nga Lakteshi, vij të shoqëroj ku të duash, edhe deri në Pogradec, pastaj kthehem më këmbë. Pasagjeri mua te veshi; Mos e beso. Trëndafili është budalla.

Fshati Laktesh duket si qumësht i thartuar që nuk ka mundur të bëhet kos sepse amvisa nuk e mbështolli si duhet me batanije.

Pa hyrë në Velçan, në një krua, bab e bir po freskohen dhe po i japin ujë mushkës duke shkrofëtitur nga kënaqësia njëlloj si mushka.

Në të hyrë të Velçanit, pasagjeri zbret. Premtimet për të më treguar burra zamani me mustaqe deri te veshi kishin qënë rrena.

Fshati Velçan shtrihet në faqe të malit si një litar i hedhur përgjatë një harku si patkua. Rruga e litarit të patkoit është e asfaltuar. Madje edhe e ndriçuar me ca drita që duken si gozhdët e patkoit.

Velçani si pamje dhe si klimë, është një marramendje që të shushat. Velçani si vend ku jetojnë njerëz, është tmerr.

Në të dalë të Velçanit, u freskova te një krua. Pasi ja thera teposhtë nëpër ca kthesa, diku ku dikush më tha të mos kthehesha djathtas se përfundoj në Kodovjat të Gramshit, u kujtova se kisha harruar kapelen në krua. U ktheva e mora.

Tatëpjetë u llafosa me një mokrar që u mburr se me vetëm një dhëmb që i kishte mbetur në gojë bluante gjithçka, edhe mish. Po arra? e pyeta. Arra jo, tha.

Slabinja, copë e çikë. Nja shtatë a tetë humanoidë fantazmagorikë s'dihet pse janë mbledhur rreth furgonit të një barkderri që bën si boss.

Një hidrocentral i vogël që po ndërtohet aty rrotull është e vetmja "vepër" në ndërtim e sipër në Mokër.

Nga Slabinja zbres në një përrua. Përpjetë rruga e re Qukës-Qafë Plloçë ka bërë lëmsh trafikun inekzistent. Dy Golf-a me gjithë katundin brenda vijnë rrotull pa ditur nga t'ja mbajnë si milingona që sapo ua prishi folenë dikush që u bëri shurrën nga sipër. Kamionë të mëdhenj katallanë të ngathët vërtiten si në jerm në faqen e malit duke ngritur në Qiell pluhurin e Ferrit.

Në Trebinjë, çesma ku para se të pish ujë duhet të thuash "Bismilah Rrahman e Rrahim" me surrat nga Qielli, rrjedh e qetë prej shekujsh. I vetmi lokal i Trebinjës është i mbyllur. Pasi ka ngrënë fasulnik, pilaf, mish viçi, speca djegës, sallatra, dy thela bakllavaje, dhe ka kthyer disa dopjo, pronari i lokalit ja ka fut gjumit mu rrëzë lokalit duke gërrhitur. Nga brenda gjumit largon hera-herës me dorë një mizë që duke i prekur hundën i ngatërron ëndrrën.

Në Podgozhan, mullixhiu të bën të ditur se është ballist denbabaden, i ka pasur njerëzit në burgje dhe internime, ja kanë pushkatuar një xhaxha në Dunicë.

Pak më tutje, menù për mbretër si unë që këtejpari kalojnë rrallë; Një podgozhanas krejt si Sharl Aznavuri këndon "A Cappella" këngë ruse; "Kalinka", "Katjusha", "Oçi Çiornie", "Pod moskovskie vechera". Kënaqesh ta dëgjosh këtë Sinatra lokal që pas pak nis e bërtet; Voinà-voinà-voinà, soldat-soldat-soldat. Tmerrohesh. Megjithatë Pavaroti i Podgozhanit vazhdon; Nga Stalingradi në Berlin, urrà-urrà-urrà. E pyes adhuruesin e "Korit të Ushtrisë së Kuqe"; Ç'deshi gjermani në Dunicë? Përgjigjen njëzëri Stalini dhe e shoqja; U, po si more ç'deshi gjermani në Mokër?! Operacioni i Dimrit, operacioni i Qershorit, urdhërat e shokut kurvi, i harrove ti këto?!

Te "Varri i Grekut" Pakti Stalin-Ribbentrop është ende në fuqi; Gaz 63 me motorr Wolksvagen.

Rruga për Dunicë, ku siç thonë rrenat komuniste, janë bërë luftra dhe ka lapidar kushtuar të rënëve për Atdhe, është vjedhur aq herë sa herë është premtuar.

Çobani i dhive, pa kërrabë, pa gunë, pa fyell, vetëm me shkop në dorë dhe zhele në trup, thotë me një vendosmëri dhe kryelartësi kërcënuese; Nuk jam i martuar, nuk kam shtëpi, dimër-behar fle në pyll, jam komunist.

Mokrarët janë shtatlartë. Nuk kanë dhjamë në bark. Kanë nofulla të gjëra të forta. Kanë ballë të lartë. Ecin disi të kërrusur me këmbë pak të hapura. Në moshë mesatare flokët u bëhen të argjentë, dhe nuk u bien kurrë, as në pleqërinë e thellë. Nuk pashë femra. Asnjëri nuk kishte kredit në celular. As për të më bërë një zile. Flasin për austriakun, francezin, Haxhi Qamilin, italianin, gjermanin, partizanin, ballistin. Po se ç'kanë dashur tërë këta nëpër këto skërka askush nuk e di.

Mokra ka vdekur. Për ta varrosur, kazmën, lopatën, arkivolin, gozhdët, çekiçin, shpenzimet e funeralit, do ti paguajnë me paret e vjedhura zagarët që Mokrën e vranë.

©Edison Ypi