Krujë, qytet i bekuar,… zhytur në varfëri
- Nga: KLITON NESTURI
Kruja është një qytet mitik. Me të është e lidhur ngushtë historia shqiptare, sidomos ajo e rezistencës ndaj pushtimit osman, apo siç njihet edhe ndryshe periudha e artë e udhëhequr prej heroit tonë kombëtar Gjergj Kastrioti–Skënderbeu.
Për herë të fundit në Krujë kam qenë gjatë një ekskursioni shkollor, kur isha në klasën e tretë në shkollën 8-vjeçare “29 nëntori” (sot shkolla 9-vjeçare “Gjon Buzuku”). Qysh atëherë janë në mes tridhjetë e tetë vjet. Gjatë kësaj kohe, e kam parë Krujën prej së largu, sa herë që më duhej të udhëtoja në rrugën që lidh Tiranën me veriun e Shqipërisë si dhe me Kosovën. Edhe zhvillimet e saj gjatë kësaj kohe, sidomos si një atraksion turistik mjaft i vizituar, i kisha ndjekur nëpërmjet mas-medias dhe internetit. Së fundi, fati e deshi që të shkoja sërish për disa ditë në Krujë.
Sapo hyn në qytetin e vendosur rrëzë malit të Krujës, ndesh në një situatë gri. Rrugë të pa shtruara e të pa sistemuara prej kushedi sa kohësh, pallate të vjetra, ndërtime të reja, të cilat duket sikur ia marrin frymën njëra-tjetrës. Madje edhe një karabina shumëkatëshe e të pambaruar, e cila ka mbirë në mes duke stonuar me gjithë vizionin dhe arkitekturën e një qyteti, të cilit fati i ka dhuruar harmoninë e relievit të thyer dhe perspektivës, prej nga ku mund të shohësh me sy të lirë një pjesë të mirë të ultësirës perëndimore, gjer në bregdet. Kudo që hedh vështrimin, sytë të ndeshin njerëz, tek të cilët më së shumti sheh trishtim.
Banorët e qytetit me gjashtëmbëdhjetë mijë banorë, ndihen krenarë vetëm për historinë e shkuar dhe emrat e heronjve me të cilët lidhet qyteti i tyre, ndërsa e tashmja për ta është pshehrëtimë, në fund të së cilës mbetet edhe pak shpresë. Afro 70 për qind e popullsisë janë të papunë, dhe ato që punojnë më shumë janë gratë dhe vajzat në katër fabrikat e fasonerisë, të vetmes industri me të cilën është lidhur jeta e qytetit, ku nuk paguhen më shumë se 200 euro në muaj. Ndërkohë, për burrat nuk ka shumë punë, ndaj dhe shumica e tyre e kalojnë kohën në bare dhe në bilardo. Standardi i jetesës është i ulët dhe një shtëpi me qira kryesisht mund ta gjesh edhe me 100 euro në muaj.
Turizmi sjell të ardhurat kryesore që siguron ky qytet krenarie për shqiptarët. Vetëm vitin e shkuar, në Krujë kanë qenë afro treqind mijë vizitorë, shumica si turistë ditorë. Natyrisht, pika më kryesore e këtij turizmi mbetet Muzeu Historik Kombëtar “Gjergj Kastrioti –Skënderbeu”, të cilin vitin e kaluar e vizituan njëqind mijë vizitorë, pra një e treta e numrit të vizitorëve që qenë në Krujë. Përreth kalasë është hapur një numër i madh hotelesh e restorantesh, në të cilët mund gjesh shërbim me nivel dhe të shijosh gatimet tradicionale. Pazari i vjetër, tashmë i restauruar, është një tjetër burim kryesor që ushqehet prej turizmit. Këtu gjen artizanin e vjetër, qylym punuesin, qeleshepunuesin, madje edhe kepucë-bërësin tradicional. Ndërkohë në dyqanet e shumta thuajse gjen të njëjtin mall suveniresh, punime në dru, hekur, në alabastër, argjendari, sixhade, veshje populore, çanta të punuara, topa futbolli ku spikasin ngjyrat e flamurit kombëtar, uniforma të përfaqësueses shqiptare, relike të vjetra, por edhe mall të ardhur nga Turqia apo edhe Kina e largët. Tregëtarët thonë se këto të fundit i kanë futur nëpër dyqane si mallra ndihmës për fitimin e tyre. Më të vjetrit prej tyre shprehen se viti më i mbarë ka qenë dhjetë vjet më parë, e prej atëherë kurba e fitimit ka nisur të bjerë vazhdimisht. Pavarësisht se puna dhe fitimi i tyre varen nga sezoni turisitik, i cili nis në prill dhe mbyllet në fillim të tetorit, të gjithë ata, janë korrekt në pagimin e taksave dhe detyrimeve të tjera vjetore ndaj shtetit. Gjatë pjesës tjetër, ata janë të lumtur nëse arrijnë të çojnë në shtëpi sado pak që mund të fitojnë gjatë ditës. Një pjesë e mirë e tyre paguajnë edhe qira për dyqanet ku kanë ngritur biznesin, kostoja e së cilës shkon deri në 300 euro në muaj. Sapo mësojnë se je gazetar ata stepen, ndërsa nëse do t’u kërkosh të japin një intervistë, as që bëhet fjalë. Thjesht nuk duan. Por pavarësisht kësaj, me ata mund të mbetesh miq, të ftojnë e hyjnë në biseda, madje edhe të qerasin, qoftë edhe me një kupë raki që e mbajnë për veten dhe për mikun në dyqan, duke trashëguar kështu traditën e vjetër krutane të bujarisë.
Kruja nuk ka vetëm këto dy destinacione turistike. Lart mbi qytet, ndodhet Teqeja e Baba Sarisalltëkut, një vend i shenjtë. Ky tempull bektashi, i cili u prish në 1967 dhe u rindërtua nga populli i Krujës në 1991, është sot një pikë e rëndësishme për turistët e shumtë që vijnë për ta vizituar. Këtu nuk mbajnë statistika për numrin e vizitorëve, por të ardhurit kanë qenë thuajse nga e bota, që nga shtetet e Evropës, Amerikës së Veriut e deri nga Japonia, Brazili apo Australia. Veç kësaj teqeje të famshme, Kruja ka edhe vende të tjera të shenjta, me të cilat lidhet historia e besimeve fetare në Shqipërisë apo edhe fati i popullsisë së zonës.
Bashkia e Krujës numëron rreth dyzet e tetë mijë banorë, 2/3 të vendosur në fshatra, të cilët janë të vendosur në reliev të thyer malor. Tashmë çatitë e kuqe e të pjerrëta prej llamarine, kanë zëvendësuar ato me rrasa guri. Rruga deri në Qafë Shtamë të ofron peizazhe mahnitëse, prej nga ku mund të shohësh me sy të lirë edhe Tiranën, apo edhe fshatrat pas malit të Dajtit. Pavarësisht burimeve turistike, kjo zonë mbetet e pazhvilluar. Edhe kampet e dikurshme të Qafë Shtamës, tashmë nuk funksionojnë. Të gjendur përpara dilemës së ekzistencës, mjaft banorë të fshtatrave po vazhdojnë që t’i braktisin ato.
Në qytetin e Krujës, ka vetëm arsim të përgjithshëm. Nuk ka asnjë shkollë profesionale. Mjaft prindër, e shohin të ardhmen e fëmijëve të tyre nëpër qendrat e mëdha urbane, duke i shkolluar së pari ata për juristë, mjekë, ekonomistë, e profesione të tjera, për të cilat qyteti i tyre nuk ka shumë nevojë.
Trishtimi qëndron mbi Krujë i fortë njësoj si ngjyra gri e malit. Ky qytet krenarie për shqiptarët, është vetëm pak i tillë tashmë për banorët e tij. Ata falenderojnë fatin që janë pjesë e historisë së Shqipërisë dhe sidomos periudhës së artë të Heroit Kombëtar Gjergj Kastrioti–Skëndebeu. Pikërisht, kjo rastësi, i bën të tjerët të kthejnë sytë dhe vëmendjen nga qyteti dhe jeta e tyre. Ata e dinë mirë, se pa këtë rastësi, Kruja tashmë do të qe një qytet i braktisur, i harruar, e ndoshta edhe i vdekur.
http://klitonnesturi.blogspot.al/












