Vende & Zakone

Qejf durrsak - Nga Edison Ypi

Agjenci udhëtimesh që të çon ku ta dojë kokrra e qejfit. Kaq makina qejfi sa ka në këto 100 makina qejf durrsak nuk i sheh në Prishtinë dhe Shkup së bashku. Në të dy anët e rrugës apartamente qejfi me çmime sa të Londrës. Butik me veshje të shtrenjta. Piceri. Dyqan bulmeti me pafundësi djathërash, qumështash, gjalpërash. Tjetër butik. Agjenci imobiliare. Disa kafene më elegante se kafenetë e Milanos dhe Romës.

Nga një rrugicë anësore vjen zhurma e një matrapiku që po hap kanale për fibra optike. Tjetër piceri. Një grek gjysëm i dehur tërheq përdore duke i bërtitur një fëmijë grindavec. Disa të rinj emigrantë flasin një italishte skadente për të qeshur. Dy të rinj nordikë me çanta të mëdha në kurriz nga ata që i bien rrotull botës nguten të marrin tragetin për kushedi se ku, ndoshta për në Pakistan ose Kinë. Celulari tregon se tek “nearby places”, pra tek lokalet aty rrotull, po hanë, kanë ngrënë, ose thjesht kanë qënë, ca miq të Fejsbukut, ata më të pjerdhurit, në fakt.

Një Benz i madh xhiron rrotat duke i kallur tmerrin miletit me tym e fishkëllima. Nga ana tjetër e rrugës dy ndërtesa të larta kanë vënë në mes një hotel me 4 yje sikur e kanë arrestuar dhe po e shoqërojnë në Komisariat. Duhma parfumesh të shtrenjta si në qëndrat e metropoleve të botës. Kalojnë me ngut vajza të bukura barkzbuluara me xhinse frikshëm të shkurtëra, të ngushta e të puthitura që dëshmojnë me përpikmëri rrënqethëse një nga gjërat më të bukura që ka bërë Perëndia, vithet e femrës.

Disa minimarkete ku mund të gjesh gjithçka që humanoidët hanë e pinë. Sherrin për një parkim vjen e qetëson një polic i shkolluar. Tre vajzave të abronxuara me flokë të lëshuara të kapura përdore u ka zënë rrugën një Casanova i papërmbajtur. Qejfliu po u thotë vajzave me zë të dridhshëm: Dëgjoni vajza, ma çmendët me këto kërthiza si kratere vullkanesh të heshtura. Fundshpinat tuaja më bëjnë të dridhem si purteka. Mpihem kur përfytyroj çfarë mbulojnë kanotierat tuaja. Secila prej jush është një botë me zgavra, tunele, male, kodra, brigje, pllaja, rrafshulta, rrafshnalta, shkurre, pyje, përrenj, lumenj, ujvara, qiell, det, dritë, Por ka një problem. Mungon gjysma pa të cilën gjith ai qejf nuk është i mundur. Ku janë ata, ata të nguturit, ata të paduruarit? Ku ju çon mushka e qejfit të butë pa meshkujt e ashpër?

Perritë me pantallonat si breçka dhe gjysmat e sisëve përjashta shpërthejnë në një niagarë të qeshurash, dhe zhduken mes dritave dhe reklamave. Kalojnë me zhurmë tre motorçikleta të mëdhaja të çakërdisura me nga një djalë dhe një vajzë me skafandra. Një halabak e ka lënë Tojotën skiç dhe ka ikur. Dikush që ngutet për diku, ndoshta në ndonjë takim me përmbajtje sentimentale, shan dhjetë breza halabakun e Tojotës që i ka bllokuar daljen e makinës. Në një restorant një këngëtare me nam të pamerituar po këndon “Baila Morena” me një zë të pjerdhur.

©Edison Ypi