Gratë e mia - Nga Edison Ypi
Lana jo! Jo Lana! Me gjithato ujra, këllira, ura, tuba, gjiriza, s'bën për grua dredharakja Lana.
E buta Buna s'ka këllira. Por as shkodrania Buna s'bën për grua. Se Buna ka dy burra, Kirin dhe Drinin.
Vjosa po. E hirshme, e rrjedhëshme, rretheqark me male që i bëjnë lajka, nga koka te këmbët, nga burimi në det, dridhet dhe derdhet e tëra. Por Vjosa ka të meta. Vjosa shoqërohet vetëm me meshkuj. Me Leskovikun, Dhëmbelin, Mifolin, Detin. Vjosa është si interneti që të gjithë e përdorin, pronari s'i dihet, ndërsa Vjosën të gjithë e duan, burri s'i njihet. Pastaj, Vjosën nuk e zë kurrë gjumi. Rrihet zgjuar me grua nat'-e-dit' me mijëra vjet?
Nëmërçka më serioze se Vjosa. E palëvizshme, e hajthme, me pyje, me dëborë në majë, me dhi' të egra. Por tepër e re Nëmërçka. As tre milionë vjeç
Divjaka çka. Divjaka ka dy të dashur; Shkumbinin që prej shekujsh i lutet më gjunjë me lum' lotësh dhe gjumin me të cilin dremit gjithë ditën. Të dashurit e Divjakës nuk janë meshkuj të rrezikshëm. Por halli me Divjakën është se ajo ndritet dhe zbukurohet, ndizet dhe derdhet, në kohën më delikate, kur erret. Mbahet e tilla për grua?!
Për bijëzën e Divjakës, Karavastanë, s'bëhet fjalë. Karavastaja dit'e nat' mes ujrave, myshqeve, peshqve, gjarpërinjve, ngjalave, gaforreve, gjithë kohën e lagur.
Perria Llogoraja po. Por ka Karaburun brënda. Pis xhelozi Karaburuni s'e lëshon si qeni. Ka kirurg shkëmbinjsh t'ia nxjerrë Llogorasë Karaburunin e të më fusë mua?!
Puka si Puka. E lagur e tëra. Harta e qefit të saj mund të shëtitet vetëm nëpër ëndërra. Ta shohësh nazelien Pukë plot me ujvara, ke vetëm një dëshirë: ujrat qiellorë t'ia pish.
Krraba të lë tërë jetën duke dyshuar. Por ia vlen ta kesh për grua. Sepse Krraba ka vetëm dy variante dhe me gjithë vuajtjen e dyshimit, mbi Krrabë mund të shohësh gjithçka: Peqinin, Paprin, Baldushkun, Vrapin, Rrogozhinën, deri të pafundmin detin.
O Krrabë hyjnore. Pa ty jam qiell pa blu, det pa tallaz, qymyr pa furrë, materie pa gravitacion. Thuamë se më do. Fol pra fol. Klith pra klith. Hidhmi mua të gjitha ankesat, nazet, meraqet, dhimbjet, ankthet, sëmundjet, recetat, ilaçet, farmaqet. Dhe të vdes unë për Ty. Tani që dheu po tundet, tempujt po shemben, qielli po çahet, Zoti po trembet. Tani në këtë muzg të përgjakur plot me shqiptarë të çmendur poetë të pa shprehur.
©Edison Ypi












