Vende & Zakone

Dy kushërinjtë - Nga Bamir Bebeziqi

Gjergji dhe Niko qenë kushërinj të parë. Nëna e Gjergjit, Maria dhe babai i Nikos, Kristaqi, qenë motër e vëlla. Megjithëse motër e vëlla, fatet e tyre ndoqën udhë të ndryshme. Ndërsa Maria me profesion mësuese, u martua me një burrë të pasur e të ditur, Kristaqi nuk e pëlqente shumë shkollën. Ai zgjodhi profesionin e shoferit dhe me atë status që pati, u martua me një grua nga një familje e varfër, një guzhiniere e një qebaptoreje të vogël.

Niko dhe Gjergji pothuaj moshatarë, u rritën të dy në familje me kamje të ndryshme.

Nëse Gjergji rritej në një shtëpi të madhe, me dashurinë e prindërve, në mes të mirave, Niko, rritej në varfëri, në shëpinë e vogël që i jati kishte ngritur, me ato pak të ardhura që siguronte me punën e shoferit.

Qysh në moshë të vogël, ndonëse te dy kushërijtë i shihje shpesh bashkë, ndërmjet tyre egzistonte nje xhelozi, që sa vinte e shtohej me vjetët që shkonin e diku nga mosha 15 vjeçare, Niko filloi të mos e duronte dot më Gjergjin.

Viti i çlirimit të Shqipërisë, i gjeti të dy kushërijtë ne adoleshencë, por ndërsa Gjergjit ia morën të gjitha pasuritë e babain e tij e futën në burg si fillim e më pas e pushkatuan, Niko u fut në grupet e rinisë komuniste e filloi të binte në sy të organeve të larta të partisë si bir besnik i tyre e nga pak, kaloi nga një anëtar i thjeshtë i rinisë komuniste, në sekretar i rinisë në gjimnaz e pas gjimnazit, u dërgua për studime në një vend të Europës Lindore, ku përfundoi studimet për art e muzikë.

Pasi kthehet në Shqipëri, Niko bie në dashuri dhe martohet me një vajzë nga nomeklatura e lartë e qytetit “T” dhe shpejt bëhet me dy djem. Me vitet që kalojnë, Niko bëhet i përkëdheluri i regjimit, pasi kompozon disa kantata për partinë dhe diktatorin e djemtë e tij duke u rritur, bëhen edhe ata shumë të kërkuar e të pëlqyer, bile të dy luanin volejboll e megjithëse nuk shfaqnin ndonjë talent, shpejt u bënë edhe pjesë e pazëvendësueshme e klubit te fuqishëm “T” dhe të ekipit kombëtar.

Ndërkohë Gjergjin e ndjek vetëm fati i keq. Pas pushkatimit të të jatit edhe vetë kalon disa vite, në burgun-ferr komunist. Në burg gjeti edhe shoqen e jetës e pas burgut martohet me të. Bëhet shpejt me dy vajza, por jeta e tyre nuk qe e lehtë. Vajzat njiheshin si mbesat e armikut të pushkatuar dhe me baba, ish i burgosur shoqëria nuk i pranonte lehtë. Vajzat u bënë shumë të bukura, por pa patur fatin të ndiqnin studimet e larta dhe për shumë vite u morën me rrobaqëpësi.

Shpesh djemte e Nikos vinin në qytetin “D”, por kurrë nuk e merrnin mundimin t’i flisnin kushërirave të tyre, pasi damka që i ndiqte ato nga pas, mund t’u prishte atyre karrierën e madhe që kishin përpara.

Me ardhjen e demokracisë, dy vajzat e Gjergjit, bashkë me dy djemtë e Nikos ikin larg, shumë larg, në Amerikë. Ndërsa vajzat e Gjergjit punojnë fort, studiojnë e krijojnë familje atje, dy djemtë e Nikos, të pamësuar me punën nuk e zgjatën shumë dhe u kthyen ne Shqipëri e pas pak vjetësh, filluan të merreshim njeri me biznes e tjetri me politikë. Vitet kaluan, njeri nga djemtë e Nikos bëhet ministër e titullar i lartë partie, ndërsa tjetri, President i Komitetit Olimpik e Niko, krenohej me sukseset e dy djemve të tij.

Një ditë vjeshte, tek një lulishte përballë një hoteli të madh, në qytetin “T”, Gjergji ulur në një tavolinë po priste, pasi kishte një takim në ministrinë e Drejtësisë. I kishin mohuar disa vite burgu në dëmshpërblimin si ish i burgosur politik e po lodhej shumë që t’i mbushte mendjen nëpunësve atje.

I veshur, me nje palë çizme kafe, pantallona bluxhins, një këmishë të bardhë që dilte mbi jelekun prej lëkure, kishte vendosur mbi kokë një kapele alla cowboy e me një puro në gojë ndeshet papritur me kushëririn e tij, Nikon.

Niko qe veshur me një kostum të prerë shumë bukur, me një kravate me lule e mbi kokë mbante një kapele republike.

Dy kushërinjtë takohen. Kishin kaluar mbi 25 vjet pa u parë dhe u përqafuan ngrohtësisht.

Gjergji e fton Nikon të ulet në tavolinë e pasi Niko pranon ftesën, të dy fillojnë bisedën.

“Si i ke vajzat Gjergji?” pyet Niko.

“I kam shumë mirë. Jetojne ne Amerikë qysh nga viti 1991,” përgjigjet Gjergji.

“Unë të dy djemtë i kam në Shqipëri, - thotë Niko, - qenë në Amerikë, por nuk duronin dot punën e skllavit e u kthyen. Këtu në Shqipëri ka plot mundësira, pastaj këtu te duket balta më e ëmbël se mjalta,” thotë Niko, duke përmendur disa vargje, të një poeti rilindas.

“Çfare pune bëjnë djemtë?” pyeti Gjergji.

“Uh çfarë pytje po më bën! - thotë Niko me habi. - nuk ke dëgjuar ti, se njëri djalë, ai më i vogli, është minister?”

“Jo, nuk kam dëgjuar gjë, - thotë Gjergji- kam kohë që nuk e ndjek politikën në Shqipëri.”

“Eh mor Gjergji, më vjen keq për atë që ju ndodhi. Sa me qejf vija në shtëpinë tuaj. Më pëlqente shumë, sidomos pianoja. E kujton që luaja shpesh në të? Që në moshë të vogël kam patur vesh për muzikë. Kot nuk u bëra kompozitor. Edhe babanë tënd e kujtoj, zotni Raqin. Me blinte akullore në atë kohë, por ç’ti bësh, qe në anën e gabuar të historisë,” thotë Niko me syte e ngulitur fort tek puro që tymoste kushëriri i tij.

“Im atë qe në anën e gabuar të historisë!! E ti bashkë me tët atë, dajën tim, ishit në anën e duhur te saj!” i kthehet me habi Gjergji.

“Po Gjergji, ndërsa babai im u lidh me aleatët e mëdhenj, babai yt u lidh me kolaboracionistët, për këtë e kisha fjalën,” thotë Niko.

“Babai yt u lidh me aleatët, por mua më dënuan si proamerikan e ti më flet për aleatët!” shton plot nerv Gjergji.

“Gjergji, të lutem mos u rrëmbe, ashtu ke qenë gjithë jetën. Jeta është pragmatizëm vëllai im. Ti e kalove jetën burgjeve, me persekutim, vajzat mbetën pa shkollë e përse? Thjesht se u rrite kokëshkëmb. Ashtu të njihnin të gjithë në qytetin “D”, - thote Niko.

Gjergji filloi të bëhej nga pak nervoz. Filloi të kafshonte bishtin e puros që e mbante pa e hequr prej gojës e duke u parë sy ndër sy me kushëririn e tij, një damar i lëvizi mbi ballë.

“Nuk kuptoj për çfarë pragmatizmi po më flet Niko? Çfarë doje ti? Doje që të tregoja florinjtë e tim eti. E harrove që ti i tregove atyre të këshillit, për paratë e babait tim, burrit të hallës tëndë e me atë dëshmi fillove të bëje edhe karrierë. Im atë u pushkatua, megjithëse ia morën të gjitha, ndërsa ti ngjite më pas shkallët e karrierës. Kjo qe rruga e duhur e historisë tënde, që t’i bëje këngë diktatorit, që të firmosje arrestime e dënime, që të duartrokisje sa herë që do dënohej ndonjë armik i kllasës!” thotë Gjergji dhe filloi të gërryente me thonj fort, mishin në gishtin e madh të dorës, deri sa filloi të dilte gjak.

Niko e kuptoi se qe moment i papërshtatshëm, të hapte atë lloj bisede e u përpoq të ndryshonte rrjedhën e saj.

“Me çfarë merren vajzat në Amerike, Gjergji?”

“Me punë të ndershme, njëra ka mbaruar studimet për veshje shtëpish dhe tjetra punon në bankë,” përgjigjet Gjergji.

“Me siguri e kanë të vështirë. Këtu në Shqipëri bëhen paratë më lehtë. Kot nuk u kthyen djemtë e mi nga atje. Nuk qenë mesuar me punë të rënda,” thotë Niko.

“Nuk e di si bëhen paratë në Shqipëri Niko, por një gjë jam i sigurtë, që vajzat punojnë me nder dhe i zë gjumi të qeta, po ashtu edhe mua, megjithëse jeta ime shkoi dëm, por nuk jam pishman. Të paktën nuk e ula kokën e nuk u pajtova me të keqen, që ti e quan anën e duhur të historisë. Fle me ndërgjegje të qetë e jo si disa të tjerë, që sa herë vendosin kokën mbi jastëk u dalin parasysh krimet e bëra në emër të anës së duhur të historisë,” thote Gjergji dhe çohet nga tavolina duke vazhduar:

“Të uroj sukses kushëri, fitimtarët, fitimtarë në përjetësi! Rroftë pragmatizmi dhe kariera, ngritur mbi gjak njerëzish të pafajshëm!”

©Bamir Bebeziqi