Vende & Zakone

Tabloja kushtuar Lezhës së vjetër - Nga Pashk Përvathi

Pashk Përvathi

Lezha e ka vazhduar jetën e saj qytetare pa ndërprerje, që nga themelimi në vitin 385 p.e.s. e deri në ditët e sotme. Mund të kishte pasur fizionomi të ndryshme arkitekturore më parë, por në shekullin e 18-të e mbrapa ishte po ai qytet që të gjithe e kemi njohur përmes fotografive të Marubit e Picit. I shtrirë rrëzë malit të kalasë e buze Drinit, me shtëpi të vjetra dykatëshe, pershkuar nga një rrugicë mespërmes, e cila e ndante qytetin në dy pjesë. Ngjyra e bardhë e mureve të shtëpive dhe çatitë në umbra dhe okra të ngrohtë, e bënin peisazhin tejet piktorik.

Por erdhi një ditë që qyteti i vjetër e pushoi frymëmarrjen e tij. Tërmeti i 15 Prillit 1979 e shkatërroi plotësisht atë. Një peisazh i realizuar nga unë vetëm një vit para rënies së termetit, pati bërë jehone tek lezhjanët. Kishte prej tyre që e porositën t’ua realizoja, për ta pasur në shtëpinë e tyre si zbukurim, por edhe si dëshmi të ekzistencës së qytetit të vjetër që nuk ishte më. Aty kishin pasur shtëpitë, historitë e femijërisë e të moshes se rritur, aty ishin dashuruar e bërë me femijë. Ditet e muajt mbas tërmetit, në vendin e rrenojave, nxitimthi u ndërtuan 5-6 pallate mediokër dhe pjesa tjetër u la për gërmime arkeologjike.

Në qershor 2020, plot 41 vite më vonë, pata një telefonatë nga kryetari i Bashkisë, Pjerin Ndreu. Më ftoi në mjediset e bashkisë dhe aty më tregoi një sipërfaqe bosh në murin përballë hyrjes, duke më thënë: “Kjo është në dispozicionin tënd. Na thuaj çfarë mendon se i shkon më tepër këtij vendi”. Nuk mora kohë për t’u menduar gjatë. “Lezha e vjetër”, i thashë. Pashë që ndihmësi i tij kishte dëshirë t’iu realizoja “Kuvendin e Lezhës”, por unë këmbëngula përsëri për “Lezhën e vjetër”. “Kjo ka ndjeshmëri për qytetarët. Këtë e di mirë prej kohësh”, përfundova unë. Ndërhyri kryetari, duke më thënë se do të bëhet siç thua ti. “Na realizo bukur Lezhën e vjeter, mbasi ne po bëjmë rikonstruksionin e pergjithshëm të ketyre mjediseve dhe këtu do jetë ekspozuar vetëm kjo vepër arti. Pjesën tjetër do ta kemi me artefakte”.

Lezha e vjetër ishte vetë lagja “Skënderbeg”e sotme. Kaq kishte qenë qyteti historikisht. Unë e kisha realizuar shumë herë në pikturë, por tani kishte ardhur një moment, ku duhej ta mbyllja këtë cikël. Duhet të beja veprën më të mirë dhe më të përafërt me qytetin që nuk ishte më. Si motiv për veprën e re do të më shërbente edhe piktura e parë që kisha realizuar në vitin 1978. Motivi i hershëm do të zgjerohej, duke përfshirë pjesën më të madhe të qytetit të vjetër dhe vetë kalanë. Agostin Cini dhe Petrit Sela më ndihmuan me material fotografik. Tani më vlenin edhe foto që kishin vetëm një fasadë ndërtese, apo formë çatie, sepse peisazhi im i hershëm ishte impresionist dhe i pa konkretizuar në detaje. Po kërkoja maksimumin e vertëtësisë. Më dukej se do i hyja në hak po t’i lija gjë mangut atij realiteti të zhdukur.

Dimensioni i piktures për një peisazh ishte i madh, 180x110 cm. Pata shumë emocion tek kjo vepër. U ktheva në kohë. Pikturoja e mendoja për rrugicat, shtëpitë, njerëzit e kësaj lagjeje. Përbri sheshit kryesor, në qendër majtas, ishte ish-shtëpia e madhe e Sykajve, ndërtesë tipike e të pasurve të viteve 30-të, me fasada të dekoruara me bordura dhe ornamente. Rregjimi i kohës e pati kthyer në MAPO tregëtare. Aty punonte Harapi nga Shkodra e unë ruaj një kujtim të dhimbshëm nga fëmijëria. Në moshën 6 vjeç i pata kërkuar me ngulm e duke qarë tim eti të më blinte një top futbolli që e shihja në vitrinën e sipërme të MAPO-s, por unë nuk dija e as e kuptoja pamundësinë e tij për të ma plotësuar dëshirën. Edhe sot më dhemb pamundësia e tij.

Përbri MAPO-ss ndodhej Libraria. Punonjëse e saj ishte Sofia nga minoriteti, që nuk di se për çfarë arsye kishte përfunduar familjarisht në Lezhë. Përkarshi librarisë ishte shtëpia e poetit të ri Rudolf Marku. Asokohe kishte botuar dy vellime poetike, “Rruga” dhe “Shokëve të mi”. Rrugica kryesore e hyrjes në qytet fillonte pikërisht këtu dhe përfundonte në fund të lagjes tek Ura e Drinit. Në të djathtë të rrugicës hyrëse gjendej ndërtesa ku të gjithë i thonin “bilardoja”, emër i cili i mbeti edhe kur u mbyll si e tillë disa vite para rënies së termetit, duke e konsideruar si shfaqje e botës mikroborgjeze. Kjo ishte ndërtesa më në ballë të lagjes. Në katin e dytë të saj, si në një krah të shtrirë nga ana e rrugicës, ishte vendosur në të, ora e madhe e qytetit.

Kur po e pikturoja, u kujdesa që të kem edhe Qazimin, lustraxhiun historik, tek lustronte këpucët në cepin djathtas derës së bilardos, gjithnje i shoqëruar nga djemtë çapkenë të lagjes. Më kishte bërë gjithnjë përshtypje portreti i tij tejet ekspresiv. E kujtoj dhe sot tek thërriste në stadium me zë të lartë, “Rring Qazo”, por historia përseritet. Kur po vrojtoja këpucarin dhe lustraxhiun e sotëm që është afër kryqëzimit tek Ura e Drinit, për ta pasur si model të Qazimit të dikurshëm, befasohem kur më thotë se ishte vetë djali i tij.

Ngjitur me bilardon ka qenë një shtëpi dykatëshe e bukur. Unë nuk e kam njohur kurrë të zotin e saj, por kur po e pikturoja më treguan se shtëpia kishte qenë e Pjeter Hilës. Ndërtesa kishte shërbyer si infermieri fillimisht e më vonë si restorant. Në të djathtë, rrethuar me avlli dhe me pak oborr të vogël, ishte shtëpia e Mustaf Shemës. E dija këtë fakt, se vetë Mustafa, rreth vitit 1994, më kishte porositur t’i realizoja peisazhin e Lezhës së vjetër, duke më treguar se ajo ishte shtëpia e tij. Më tej vazhdohej me shtëpinë dykatëshe të hoxhës së qytetit. Afër themeleve të shtëpisë së hoxhës, pati qënë rrapi i madh shekullor, i cili pushoi se jetuari, kur filluan gërmimet arkeologjike fill mbas tërmetit.

Përveç pjesës ballore që përmenda, u kujdesa të spikateshin në pikturë dhe objekte të tjera kryesore të lagjes së vjetër, si ndërtesat e Kultit, Konvikti, Furra e Shaqir Smajës, Shtëpia e Kulturës, Muzeu, ish-Komiteti i vjetër dhe kalaja mesjetare. Në sheshin kryesor, vendosa figura njerëzish që shkonin e vinin, prej tyre edhe me kostume kombëtare, për të theksuar karakterin tipik të zonës tonë. Sot mund të them, se nga gjithë ky rrënim që iu bë lagjes së vjetër, një e mirë doli në pah. Kur u bënë gërmimet arkeologjike mbas tërmetit, nën shtëpitë e sipërpërmendura dolën muret rrethuese me blloqe gurësh ciklopikë dhe portat kryesore të qytetit të lashtë 2400 vjeçar te Lissus-it. Unë, ato i konsideroj pasuritë më të mëdha historiko-kulturore që ne trashëgojmë sot.

Kur po i afrohesha fundit të pikturës, pata mysafirë në studio. Lucë Dajani, një specialist i vaditjes bashkohore me pika, mbasi përfundoi impiantin e vaditjes së luleve në tarracën e shtëpise, erdhi edhe në studio. I kisha thënë se po pikturoja Lezhën e vjetër. E vrojtoi pikturën me vëmendje pastaj u shpreh: “Pashk, unë nuk marr vesh nga piktura, veç një gjë di me ta thënë. Mua më duket sikur po futem në lagjen e vjeter, kaloj përbri dyqanit të Ymer Dashit, përbri fotografëve, dal tek mallrat e shveftësuara, kthehem nga katedralja, shkoj tek furra e Shaqir Smajës, për të vazhduar deri në fund të lagjes. Piktura ka një thellësi që më çon deri në Shkodër. Kaq mund të them unë”. Luca kishte thënë gjithçka. Fjalët “me duket sikur po hyj në lagjen e vjeter” ishin shumë domethënëse. Kisha arritur vertetësinë që i kisha vënë synim vetes. Ftova dhe kolegun Nikolin Ivanaj për ta parë. Edhe Nikolini më tha: “Kjo është tablo, jo thjeshtë një peisazh. Lezhës i ke bërë një sherbim të madh”. Nga ky moment, pikturën e quajta të mbaruar dhe njoftova porositësit për ta parë. Mora falenderimet nga kryetari i Bashkisë dhe mbas disa ditësh, piktura u vendos në vendin e parashikuar.

Këtë vepër e vlerësova shumë për disa arsye. Po ringrija imazhin e një qyteti që nuk ishte më, por ekzistonte veçse në kujtesën e banorëve të tij. E dija se lezhjanët kishin nostalgji për qytetin e vjetër. Aty kishin rrënjët, kishin lindur aty. E vlerësova mundësinë që m’u dha, t’ua ktheja brezave më të rinj imazhin e vërtetë të qytetit që nuk e kishin mbërritur, por e njihnin nga kujtimet e prindërve të tyre. E kjo, mendoja unë, do të transmetohet brez pas brezi. Edhe në shpinë të tablosë, vizatova mbi kanavacë të gjithë lagjen, duke realizuar dhe legjendën, me emërtimet e të gjitha shtëpive apo objekteve kryesore që përmenda më sipër. Arsyetova se koha ikën, por këto shënime mbeten. Mendoj se nuk realizova vetëm një tablo për qytetin por më duket sikur kreva një mision ndaj tij.

©Pashk Përvathi