Vende & Zakone

Të gjithë vetëm rrejnë - Nga Edison Ypi

Rrejnë kur flasin. Rrejnë kur pyesin. Rrejnë kur përgjigjen. Rrejnë kur rrinë. Rrejnë kur lëvizin. Rrejnë kur hanë. Rrejnë kur pinë. Rrejnë kur flenë. Rrejnë kur ëndërrojnë. Rrejnë kur dashurojnë. Rrejnë kur urrejnë. Aq rrejnë, sa rrejnë edhe kur rrejnë.

Dhe nuk rrejnë rrallë e pa të keq, se ashtu e kanë tipin, apo të atillë e kanë vesin. Rrejnë gjith kohën. Rrenin dje. Rrejnë sot. Do rrejnë nesër. Do rrejnë deri ditën e fundit. Do rrejnë deri frymën e fundit.

Nuk rrejnë as bukur, këndshëm, që të thuash se rrejnë për humor apo rrejnë për ta bërë të këndshme bisedën për të larguar monotoninë, mërzitjen. Rrejnë dosido. Rrejnë si u vjen doresh. Rrejnë pa u menduar.

Nuk rrejnë me arsye apo pa arsye, me shkak apo pa shkak. Rrejnë kot. Rrejnë pa e ditur pse rrejn.ë Rrejnë se duhet të rrejnë.

Miku, armiku, shoku, kolegu, komshiu, i dashuri, e dashura, gruaja, burri, fëmija, të gjithë vetëm rrejnë. Oqeani i rrenave ka mbështjell gjithçka si eteri Universin.

Vishen me rraqe gabi, dhe hiqen sikur ndjekin modën. I ngrijnë flokët me xhel dhe u duket vetja e bukur. Gjezdisin me Benzin e tjetrit, dhe ushqehen me marmalatë të mykur. Merimanga e rrenave ka hyrë në çdo qelizë.

Me rrena hajdutin e shpallin zotni. Rrugaçin hero. Cubin Robin Hud. Budallain mendimtar. Hajvanin patriot. Mitomanin shkrimtar. Delirantin poet. Llafazanin opinionbërës. Dërdëllitësin këngëtar.

Rrena këtu nuk është e pjesëshme, e përkohëshme, relative, që t'ia vlejë të mundohesh ta korrektosh. Rrena këtu është gjithpërfshirëse, finale, totale, definitive.

Nuk rrejnë një herë që ti falësh, apo dy a tre herë që t'i mëshirosh. Rrejnë pafundësisht. Rrejnë pa turp, rrejnë pa edukatë, rrejnë pa vetpërmbajtje.

Rren muhabetçiu, rren dyqanxhiu, rren nëpunësi, rren eprori, rren inferiori, rren deputeti, rren ministri, rren kryetari, rren sekretari, rrejnë statistikat, rrejnë deklaratat, rrejnë konferencat. Rrejnë edhe ata që paguhen për me i përcjellë rrenat pa rrejt; rrejnë spiunat.

Rrejnë dhe rrehen të gjithë. Rren dhe rrehet inxhinieri. Rren dhe rrehet ustai. Rren i sëmuri mjekun. Rren shkrimtari lexuesin. Rren lexuesi shkrimtarin.

Rren kafeneja, rren televizori, Rrejnë tabelat që njoftojnë datën e fillimit dhe mbarimit dhe koston e punimeve në rrugë. Rrejnë opinionistët, analistët, kazanistët.

Rretheqark, rrena dhe vetëm rrena. Bërtit sa dheun ta tundësh. Ulurit sa dallgët e detit ti ngresh. Grise qiellin duke klithur.

Gjurmën, hijen e të vërtetës nuk i gjen dot askund, askurrë. As këtu, as atje. As në horizont, as kurrkund.

Mund të kuturisësh në një mijë mënyra për ta gjetur e për ta prekur, a vetëm për ta parë, të paktën një grimcë të së vërtetës, makar një të mijtën saj, për t’iu lutur me përgjërim të thotë ku është, ku ndodhet, pse vetëm ikën dhe kurrë nuk vjen, pse largohet, pse fshihet, pse rrëshqet. E kotë. Pas çdo hapi drejt të vërtetës, në çast mbulohesh nga njëmijë rrena.

©Edison Ypi