Vende & Zakone

Kurva Suzi dhe Kontrabandisti Toni - Nga Bamir Bebeziqi

Bamir Bebeziqi

Në qytetin e vogël bregdetar D, në kohëra të ndryshme kishin qarkulluar e qarkullonin gojë pas goje disa legjenda, histori, ngjarje, apo thashetheme. Shumë vite më parë qarkullonte një legjendë edhe për Suzin, e cila njihej nga çdo banor i hershëm i qytetit, për një arësye krejt të çuditshme: Suzi njihej nga të gjithë… si një kurvë me vulë. Legjenda thoshte se dikushi, pasi kishte përfunduar punë me të, i kishte  lënë  një shenjë  të përjetshmë diku në trup.

Kaq shumë ishte përhapur legjenda, sa kudo ku kalonte Suzi, nëpër bulevard, rrugë apo rrugicë, me siguri do të dëgjonte ndonjë nga pas që do të përshpëriste, duke i përmendur për të mijtën herë vulën e saj, e me sa kuptohej, ajo ishte mësuar e nuk i bënte më përshtypje e shpesh i shoqëronte përshpëritjet me një buzëqeshje sfiduese.

Por, për vulën e Suzit ishte njëri i cili nuk pyeste shumë.

E njihnin të gjithë në qytet. E quanin Toni. Ishte një kontrabandist i lindur e nuk kishte patur rastin kurrë të punonte në punën socialiste. Çdo ditë e gjeje Tonin tek një bar i vogël e veshtrimin e mbante vetëm në një drejtim, vetëm tek dera e Portit kur prej vitesh priste, dikur ndonjë marinar të huaj e më pas çamarrokët e mëhallës, disa kontabandistë të vegjël, të cilët here pas here dilnin me ndonjë torbë ose diçka fshehur në trup mbushur me shalle, sapunë, ndonjë orë dore apo rrobe banjo. Pasi dilnin nga Porti, djemtë kontrabandistë shkonin drejt tek Toni dhe bënin pazaret.

Toni ishte një burrë i ndershëm, ai kurrë nuk i kishte tradhëtuar bashkëpuntorët e vet, ndonëse ishte tradhëtuar me dhjetra here e shpesh kishte rëne edhe në burg, por ishte edhe një burrë i mençur. Toni kishte mësuar nga jeta që nëse bën punën e kontrabandistit, me politikën nuk duhet të ngatërrohesh. Nuk fliste Toni, nuk shante si të tjerët. Ai pinte konjak e duhan pa pushim tek bari i vogël e sytë nuk ia ndante Portit.

Me kalimin e kohës Tonin filloi ta turbullonte një ndjenjë e çuditshme. Tek lulishtja e bukur që ndante barin nga Porti, filloi punë Suzi, Suzi kurva, të cilën e njihnin të gjithë e nuk kaloi shumë dhe ndërmjet Tonit dhe Suzit nisi nga pak e u rrit madhërishëm një dashuri që as në librat e romantizmit nuk e gjeje.

U bashkuan dy njerëz, njëra kurvë me emër, e tjetri kontrabandist me emër, dashuri e cila mbeti pë jetë e gdhendur në gurët e bukur të lulishtes, në rrëzën e keshtjellës, aty anash Torrës së bukur, tek Kisha Ortodokse, apo tek shtëpia e pionierit të qytetit të vogël D.

Nuk kishte vend ku nuk gjeje gjurmë të dashurisë se tyre, saqë çamarrokët e mëhallës thurën edhe një këngë:

"Ishte ditë e dielë, frynte pak veri,

Suzi edhe Toni, bënin dashuri,

Shkonin nëpër ferra, u q…n si derra,

Shkonin nëpër rrugica, u kapnin për cica."

Kënga u bë kaq popullore ndërmjet djemsh, saqë sa here i shihnin bashkë Suzin dhe Tonin, fillonte kënga si në kor, por ata të dy aspak nuk shqetësoheshin.

Asgjë nuk mundej ta ndryshonte satusin e tyre. Ata ishin lindur për t'u dashuruar, ndonëse ishin lindur të këqinj e të këqinjtë dihet që gjejnë ngushëllimin vetëm tek njeri-tjetri.

E ndërsa Toni ushtronte me pasion zanatin e tij të kontabandistit, Suzi i shërbente me shume dashuri e pasion luleve në lulishten e bukur. Ajo për çdo ditë do të mblidhte gjethet e rëna, gjethet e thara, do hiqte barërat e këqinj e do të pastronte çdo gur të lulishtes, gurët e bukur të vendosur me shumë kujdes, nga fëmijët e Shtëpisë së Pionierit.

Suzi njihte çdo skaj të lulishtes e një ditë prej ditësh dashuria e saj për lulishten u trondit rëndë, kur në vendin më të bukur ku shpesh takohej e puthej me Tonin  e saj, vendosën një bust, bustin e Faraonit. I doli punë Suzit, pasi në atë skaj të lulishtes ku asnjë nuk shkonte dikur, filluan të vinin disa veteranë të lagjes çdo mëngjes. Ata pasi preknin bustin, qanin nga pak, e me grushtin mbi ballë betoheshin. Çdo ditë bënin të njejtin ritual e here pas here i drejtoheshin Suzit, që të pastronte ndonjë glasë zogu që i prishte pamjen e Faraonit. E shkreta Suzi, për disa vite do t'i duhej me një leckë, të hipte me shkallë e të pastronte glasat mbi ballin, flokët apo hundën e Faraonit e shpesh mallkonte me vete:

"Të paktën të ishe qeros se do të pastroja më lehtë, por të kanë bërë me flokë e s'ka gjë më të vështirë se të pastrosh glasat!" Nganjëhere i fuste nga një të pështyrë statujës, pasi pështyma ishte materiali më i mirë për të pastruar glasën acide, sidomos të pulëbardhave, që fluturonin në çdo kohë mbi Port.

Një ditë Suzi u tmerrua, kur një turmë e madhe njerëzish iu drejtuan asaj.

Iu duk vetja për një çast sikur  ishte Maria Magdalena e po vinin ta linçonin si mëkatare, por jo. Turma iu drejtua bustit të Faraonit, e kapën prej qafe dhe e rrezuan. Për Suzin ishte një nga ditët më të bukura që kishte përjetuar gjatë gjithë jetës së saj, pasi do të shpëtonte nga pastrimi i bustit, nga veteranët që i prishin qetësinë çdo ditë dhe do t'i rikthehej vendi, ku bënte dashuri me Tonin e saj. Por ai vend përjetoi edhe një ngjarje tjetër të madhe, ku sëbashku si Toni edhe Suzi e qanë me lot, ditën kur mijëra banorë të qytetit, morën anijet dhe iu drejtuan lirisë. Më shumë atë ditë u mërzit Toni, pasi ikën të gjithë çamarrokët e mëhallës, të cilët e furnizonin me mall.

***

Vitet kaluan. Sistemi ndryshoi. Suzi dhe Toni u plakën. Ndërsa Suzi në pension akoma kujdesej për lulishten e bukur, Toni nuk kishte më punë. Kontrabanda vdiq. Vaporët e marinarët e huaj nuk binin më mall, megjithatë ai vazhdonte të qëndronte ne barin e vogël me sytë here nga dera e Portit, here nga lulishtja ku priste çdo ditë Suzin e tij.

Një mëngjes herët, kur Toni sapo kishte dale për të pirë konjakun e tij të zakonshëm disa zhurma të fuqishme dëgjohen. Toni tmerrohet, del me vrull nga bari, kur ç’të shikojë. Me dhjetra buldozerë e makina të rënda po i drejtoheshin lulishtes. Ndërkaq ia behu edhe Suzi, e cila ishte tmerruar nga zhurmat gjithashtu.

“Toniiiiii, çfarë po ndodh?” një klithmë i del Suzit nga shpirti.

“Duan të prishin lulishten Suzi!” përgjigjet me ngashërim Toni.

Të dy sëbashku pa menduar shumë i dalin përpara buldozerit të madh, i cili sapo kishte ulur krahun e fuqishëm e po shkatërronte gurët.

“Mos- bërtiti Suzi- Ju nuk duhet ta prishni lulishten. Kam punuar një jetë në të dhe kam shume kujtime.”

“Ik moj kurvë! - bërtiti buldozeristi - edhe ti o kontabandist. Kam marrë urdhër e do ta prish.”

Suzi dhe Toni vazhdonin të kundërshtonin. Vendosën trupat e tyre përpara buldozerit e më pas u shtrinë në gurët e lulishtes.

Por jo, ishte e kotë, vendimi ishte marrë. Lulishtja duhej të prishej.

Ndërkohe, shumë banorë të qytetit D. ishin mbledhur, jo për arsyen se po prishej lulishtja, por për klithmat që lëshonin Suzi dhe Toni.

“Haha! Kurva dhe kontrabandisti po duan të mbrojnë lulishten!” - gajaseshin sehirxhinjtë që filluan të bënin edhe tifozllëk. Disa bile i thonin buldozeristit që t’i shtypte fundërrinat. Më pas erdhi edhe policia dhe i kapi me forcë të dy qytetarët që kundërshtonin dhe ashtu zvarrë i hoqën nga lulishtja.

Suzi e tmerruar, duke qarë, bërtet e nga shpirti i del një klithmë:

“Unë jam kurvë, këtë e di i gjithë qyteti, këtë e kam pranuar, por këtë qytet e dua, këte lulishte e dua.... Ju që hiqeni si të ndershëm, ju që bëni sehir, edhe ju kuuuurva jeni!”

Më pas klithmës së saj i bashkohet edhe Toni:

“Ju po shkatërroni lulishten, ju po shkatërroni jetën time. Nga bari ku pi konjakun prej shumë vitesh nuk do të mundem të shikoj më deren e Portit, nga ku frynte flladi i lirisë edhe në ditët më të tmerrshme. Nuk do të mund të shikoj më detin, ku prisja anijet. Nuk do të shikoj më lulishten, ku zemra më rrihte fuqishëm, kur shihja dashurinë time të pavdekshme, dashurinë time të vetme, Suzin e bukur.”

©Bamir Bebeziqi