Vende & Zakone

Toponimi "Bjeshkët e Nemuna", një keqkuptim i madh - Nga Mehmet Elezi

Mehmet Elezi

1.

Ku gjinden këto bjeshkë që bartkan qysh nga fillesa një dramë pa fund e pa shpresë, një mallkim që e paskan pjesë të qenies, qysh në ngjizje? Ku fillojnë, ku mbarojnë? Dhe kryesorja, pse qenkan “të Nemuna”?

Duket sikur gjithkush e di përgjigjen: në Veri të Shqipërisë.  Por në ngulsh këmbë ku shtrihen saktësisht, me kë kufizohen në Veri, në Jug, në Lindje, në Perëndim, përgjigja turbullohet, vendndodhja nëpërtymet e largohet si nëpër një ëndërr të ligë.

Mbase ndihmojnë anasit, banorët e katundeve veriore? As ata nuk ftillojnë gjë. Japin ndonjë përgjigje të vakët me fjalët e librit të gjeografisë, të mësuar dikur në shkollë fillore. Ose flasin me fjalë të thata gazetash e televizioni.

Ndryshe ndodh kur pyet për cilindo mal a bjeshkë të atyre viseve. Dinë çdo hollësi.

Pra ku ndodhen “Bjeshkët e Nemuna”?

2.

Në FESH (Akademia e Shkencave, Fjalori Enciklopedik Shqiptar), Tiranë 1985, “Bjeshkët e Namuna” njëjtësohen si “kurriz malor në Alpet Shqiptare, rrethi i Shkodrës...”. Në këtë botim flitet më gjerë për “Bjeshkët e Namuna të Kosovës”. Për pjesën e tyre në Mal të Zi heshtet.

Botimi i ri i FESH (2008), ka ndryshime të dukshme në këtë zë.

Qysh në fillim bie në sy një saktësim fonetik. Nuk quhen më “Bjeshkë të Namuna”, por “Bjeshkë të Nemuna”. Më pas vijojnë shtjellime përmbajtësore të reja. “Bjeshkët e Nemuna” nuk përcaktohen si “kurriz malor” në rrethin e Shkodrës, por si “trevë e madhe malore në Shqipërinë Veriore, që zë gjysmën perëndimore të Alpeve Shqiptare”. Flitet për “Bjeshkët e Nemuna” në Mal të Zi - Plava e Gucia. Dhe pastaj një koment i çuditshëm për zanafillën e emrit.

Sipas FESH, 2008:

“Relievi tepër i thyer, thuajse i pakalueshëm, klima shumë e ashpër, mungesa e theksuar e ujërave rrjedhëse në sipërfaqe për shkak të zhvillimit të madh të karstit, mungesa e rrugëve të komunikimit, vështirësitë e përballimit të jetës në ato vise, mund të shpjegojnë edhe cilësimin e tyre si “të Nemuna”. Emërtimi “Prokletie” i serbishtes është një përkthim i emërtimit shqip”!

Më përmbledhtas, këtë shtjellim e ka pasur edhe botimi i parë i FESH, 1985.

3.

Pikëpamja e shprehur në FESH për prejardhjen e emrit “Bjeshkët e Nemuna” shfaqet plot kundërshti. Për të mos thënë le shijen e një folklorizmi akademik.

Sipas FESH, janë pikërisht “relievi tepër i thyer, thuajse i pakalueshëm, klima shumë e ashpër... etj.”, që ua veshën bjeshkëve shqiptare cilësorin “të Nemuna”. Por klimë shumë të ashpër dhe reliev tepër të thyer kanë, ku më shumë e ku më pak, edhe bjeshkët e tjera të kontinentit. Vetë FESH pohon se “Bjeshkët e Nemuna” të Shqipërisë “nga natyra janë të njëjta me Alpet e Europës Qendrore”. Madje, gjithnjë sipas FESH, për këtë arsye emërtimi i tyre “në studimet e gjeografëve dhe në përdorimin e përgjithshëm ka ardhur duke u zëvendësuar me emrin “Alpe” (Alpet Shqiptare)”.

Kjo do të thotë se s’kish arsye të veçantë që bjeshkët shqiptare me u cilësue “të Nemuna”. Ato janë si të tjerat në Europë. Si të tjerat, të cilat Europa nuk i quan “të Nemuna”.

Jo vetëm kaq.

FESH shkruan se “Bjeshkët e Nemuna” shtrihen në tri shtete, në Shqipëri, në Mal të Zi dhe në Kosovë. Ndalet te bukuritë dhe pasuritë e tyre të pafundme, me pyje, kullota, liqene, bimë, kafshë. “Bjeshkët e Nemuna” të Kosovës, shkruhet aty, “janë një nga zonat më të pasura të Ballkanit me bimësi, sidomos me pyje të larta, përbërja e të cilave ndryshon në përputhje me lartësinë”. Atje rriten “dushku dhe gështenja, më pas halorët, disa prej të cilëve janë endemikë e shumë të lashtë... Më lart shtrihet zona e livadheve alpine, me barëra e lule të shumëllojshme... Bota e kafshëve është gjithashtu e pasur dhe e shumëllojshme...”. “Bjeshkët e Nemuna” të Kosovës zotërojnë potenciale të mëdha turistike, pjesërisht të shfrytëzuara”. Edhe “Bjeshkët e Nemuna” të Malit të Zi, Plava e Gucia, janë nga më të bukurat në krejt trojet shqiptare, edhe ato kanë potenciale turistike të pakrahasueshme.

Kjo do të thotë se aq më pak kishte arsye që bjeshkët në Plavë, Guci dhe Kosovë, të merrnin cilësorin ndjellakeq “të Nemuna”. Por sipas FESH pikërisht kjo paska ndodhur. FESH thotë se bash në Kosovë e në Mal të Zi, ku këto bjeshkë janë më të bukura e më të pasura se në Republikën e Shqipërisë, bash atje “emërtimi “Bjeshkët e Nemuna” përdoret gjerësisht... edhe nga banorët vendas”!

Pohimi shkon kundër arsyes dhe lëkund çka vetë FESH shkruan për shkakun pse janë quajtur “të Nemuna”.

Pa folur që vëzhgimet në vend, takimet me banorët rrënjës, nuk japin dëshmi se ky emërtim u përdorka “gjerësisht... edhe nga banorët vendas”. Dëshmi për të kundërtën, po.

FESH guxon edhe më shumë. Sipas tij, “Emërtimi “Prokletie” i serbishtes është një përkthim i emërtimit shqip”. Nuk është e qartë ku mbështetet e si argumentohet kjo pikëpamje. Po ashtu nuk dihet sa i bën nder kombëtarizmit shqiptar ky pohim, nëse nuk mbështetet me argumente shkencore bindëse.

Prejardhja e emrit jo domosdo dëshmon përkatësinë kombëtare ose shtetërore të një vendi. Përgjithësisht emërvendet kushtëzohen nga rrethana historike, diktohen prej tyre dhe ashtu mbesin. Emri Ballkan i siujdhesës sonë vjen prej turqishtes, por askush nuk thotë se, për këtë arsye, Ballkani qenka Turqi.

Bjeshkët e quajtura “të Nemuna” prej mija vjetësh janë pjesë e trojeve iliro-shqiptare. Ani pse, siç do të shtjellohet në vijim, emërtimi “Bjeshkët e Nemuna” nuk duket së është shqiptar.

Me u shprehë butë, duket se kemi të bëjmë me një keqkuptim të madh.

4.

Dyshimin e parë të fortë e mbjell koha kur në letrat shqipe nis me u dëshmue emërvendi “Bjeshkët e Nemuna”.

Në letërsinë shqipe të katolikëve të Veriut dhe në krejt krijimtarinë e para Luftës së Dytë, me sa ka vënë re autori i këtyre shenimeve, ky emërvend nuk del kund.

Tërë teatri i luftës i “Lahutës së Malcisë” zhvillohet në malsitë e Veriut e përreth. Nëse do të kishte pasur një emërvend “Bjeshkët e Nemuna”, ç’arsye kish me e shmangë Fishta, i vemendshëm në çdo imtësi të atjeshme? Nëpër vargjet e Lahutës përmenden me emra malet e luginat e krojet e lumenjtë, Vizitori e Limi, Plava e Gucia e Prizreni...; ndeshen e përflaken me vetimë e bubullimë figura të mitologjisë shqiptare, dragoi e kulshedra, lëvizin orë, zana e shtojzovalle. Për artin fishtian s’kishte rast më të bukur me i harmonizue artistikisht skenat epike të plojës me kumbimin tragjik të toponimit “Bjeshkë të Nemuna”, nëse ky toponim do të kish qenë i përdorur. Një emërvend i tillë, metaforë e gjallë, bart pafundësisht dramë. Vështirë gjindet tjetër aq i përshtatshëm për një poemë epike si Lahuta.

Nuk dalin “Bjeshkët e Nemuna” as te “Liria” e Mjedës, ku himnizohet kryengritja e Hotit dhe heroizmi i malsorëve për liri. As te Risto Siliqi, që i këndoi me frymëzim luftës së dukagjinasve me “Mehmet Shpendin trim si dre”. Te Gjeçovi, te V. Prenushi, B. Palaj e D. Kurti, Pater A. Harapi etj.  nuk di se vërehet kund. Te “Visaret e Kombit” e “Hylli i Dritës”, në këngët e Kreshnikëve, jo se jo. Fjalori i emërvendeve i Gazullit pati fat të përbashkët me autorin e tij, por s’ka gjasë se do të kishte sjellë ndonjë dëshmi për këtë emërtim. 

Në Hot e Grudë e Plavë e Guci jo, në Kelmend, në Theth e në Dukagjin jo. Në bjeshkët e Malsisë së Gjakovës (Tropojës), të Rugovës e të Pejës, përsëri jo. Del se vetë shqiptarët në këto anë nuk njëjtësojnë (identifikojnë) bjeshkë që vetë ata i kanë quajtur “të Nemuna”. Atëherë ku tjetër u shtrikan ato? Nëse kurrkush prej atyre që i kanë banuar e u japin jetë atyre trojeve prej mija vjetësh nuk i njeh me këtë emërtim, kush i pagëzoi ashtu, si u regjistrua ky emër ndjellazi?

5.

Studiuesi S. Ahmeti, bashkautor i “Fjalorit të Plavës e Gusisë” (“Pavli Haxhillazi, Sylejman B. Ahmeti, Fjalor i Shqipes së Plavës dhe të Gusisë”, Toena 2004) ngul këmbë se emri “Bjeshkët e Nemuna” është thjesht përkthim prej serbishtes. Serbët, për arsyet e veta, këtë pjesë të Alpeve shqiptare e quajnë “prokleti” (të nemur, të mallkuar). Vetë rrënjësit, shqiptarët vendas, kurrë.

Ky kërkues është ndër njohësit më të mirë të atyre trevave. Lerë e rritur në Vuthaj të Gucisë, ku sipas FESH janë “Bjeshkët e Nemuna të Malit të Zi”, aty ka kaluar edhe rininë. Eshtë autor i një monografie të pasur të atyre viseve (“Sulejman B. Ahmeti, Vuthajt dhe vuthjanët”, Tiranë, 1996). Në këtë punim ka plotni të dhënash historike, gjeografike - përfshi emërvendet -, etnografike, folklorike dhe gjuhësore.

Ndoshta krejt pahiri, sepse s’ka qenë ky qëllimi i tij, edhe akademiku Luan Starova sjell dëshmi se kumbara i padëshiruar, që i pagëzoi “Bjeshkë të Nemuna”, është fqinji verior i shqiptarëve. Te romani “Kurbani Ballkanik” (Tiranë, Toena 2007) shkruan: “Në një moment helikopteri u gjend mbi Kurorën e bjeshkëve të Prokletisë”. Disa rreshta më pas, në të njëjtën faqe, këtë emërvend e jep të përkthyer shqip (vetëm një herë në atë libër): “Kanosej rreziku që Bjeshkët e Nemuna ta gëlltiste helikopterin dhe askush të mos kuptonte më asgjë për të”. Pas katër-pesë faqesh i kthehet burimit sllav: “U end me muaj nëpër bjeshkët e pakalueshme. Arriti madje edhe në majë të Prokletisë”. Dhe sërish më vonë: “...jemi në majën e bjeshkës Prokletia”.  Dhe përsëri vijon me këtë emër. 

Një hollësi domethënëse. Togfjalëshin “Bjeshkët e Nemuna” Starova e përkap si një fjalë të vetme në numrin njëjës: “...që Bjeshkët e Nemuna ta gëlltiste”. Rregullat e gjuhës shqipe kërkojnë me shkrue “që Bjeshkët e Nemuna ta gëlltisnin”, duke vënë kallëzuesin në shumës, në përshtatje me kryefjalën. Me gjasë autori e ka shkruar kallëzuesin në njëjës, sepse Prokletia, emri origjinal prej ku është bërë përkthimi, është në njëjës. Ndonëse e ka shkruar shqip, e ka menduar siç e ka origjinali. Domethënë serbishtja.

Edhe një citim prej Zonjës Durham: “Në fund të luginës ngrihen malet e quajtura Prokletija (Bjeshkët e Nemuna)”. Shton (simbas gojëdhanës), se kështu quhen në Shalë e në Pultin e Poshtëm, “sepse përmbi to ishin dyndur turqit në Shqipërinë e Veriut”. Ajo thjesht regjistron çka i kanë thënë të tjerët, pa u marrë me saktësinë.  Historikisht nuk dihet që turqit të kenë mësy Shqipërinë e Veriut “përmbi” (nëpër) ato bjeshkë të pakalueshme, aq më pak të jenë dyndur në përmasa të tilla sa ato bjeshkë të marrin cilësorin “të Nemuna”. Veç kësaj, në se këtë epitet ua paskan vënë shqiptarët, për ç’arsye ua vunë “Prokletija”, pikërisht në gjuhën serbe? Shala e Shoshi janë ndër viset ku depërtimet e huaja, edhe në gjuhë, janë më të zbehta, atje ruhet një shqipe mjaft e pastër. Duket qartazi, dikush atje e ka sajuar shpjegimin në stilin e legjendave.

 6.

 Një ndër burimet e huaja, që prin me gjetë një çelës, vjen nga Zvicra. Janë shenimet e gazetares Noele Rozher (Noëlle Roger), e cila gjatë dhjetëvjetëshit të dytë e të tretë të qindvjetëshit të shkuar ka udhëtuar shumë herë nëpër Shqipëri (Noëlle Roger, “Nëpër udhët e Shqipërisë”, Tiranë, Pegi 2008). Në një reportazh me titull “Në malet e malsorëve” (“Dans les montagnes des malissores”), botuar me 9 Qershor 1924 në gazetën e Gjenevës “Journal de Genève”, pasi flet për malet në brigjet e Liqenit të Shkodrës e të Drinit dhe për malet e Mirditës,  Rozher shkruan se këto mbështesin një “labirinth të pafund vargmalesh e luginash të egra, i cili në hartat e paraluftës mban emrin e Bjeshkëve të Nëmuna” (në origjinalin frengjisht Monts Maudits). Rozher i vendos “Bjeshkët e Nemuna” në veri të Drinit. 

Nga fjalia e mësipërme bie në sy:

- fjalën malsor, megjithëse nuk është emër i përveçëm, pra normalisht duhej të përkthehej në gjuhën e saj, ajo e ve shqip (malissori). Pse? Sepse ashtu e shqiptojnë shqiptarët, ajo ka dashtë me i qëndrue besnik origjinalit;

- me emrin e bjeshkëve, që është emër i përveçëm, pra s’ka arsye me u përkthye, bën të kundërtën. E përkthen në frengjisht. Pse? Sepse emrin e bjeshkëve (ajo e shkruan Monts Maudits - malet e mallkuara), nuk e ka marrë prej shqiptarëve. E ka marrë nga burim i huaj. Përndryshe do ta kishte shkruar shqip, siç bëri me fjalën malissori.

7.

Nga ç’burim e ka marrë?

Rozher thotë se kështu quhen “në harta”, madje saktëson: “në hartat e paraluftës”. Domethënë në hartat e përdorura para Luftës së Parë Botërore, kur Shqipëria ende s’kishte shtet. Për shkolla shqipe e harta të studiuesve shqiptarë, në atë kohë as që mund të mendohet.

Hartat e “paraluftës” ishin punime topografësh ose dijetarësh të huaj, që bënin udhëtime hulumtuese në shërbim të kryeqyteteve të veta, më dendur për qëllime ushtarake dhe për pasuritë minerare. Të shumtën e herës, për të mos thënë çdo herë, emërvendet shqiptare në këto harta shenoheshin me emrat që përdornin fqinjët.

Udhëtarët, hulumtuesit, priftërinjtë, që vinin më pas, mbështeteshin në të njëjtat harta e shenime të kolegëve të mëparshëm. Toponimet i shkruanin e ia përcillnin njëri-tjetrit siç i kishin lënë paraardhësit. Me këtë ftillohet pse edhe dijetarë të qindvjetëshit të 19-të, të njohur për seriozitetin shkencor e paanësinë dhe me ndihmesa të çmuara në albanologji, përdorin emrin “Bjeshkët e Nemuna”.

Njerëzit shqiptarë të letrave, ndërkaq, nuk i përdornin këto. Ata mbështeteshin në realitetin e drejtpërdrejtë, që e njihnin dhe e preknin vetë, pa ndërmjetësinë e të huajve.

Aq e zakonshme ishte prirja me përdorë emërtimet e fqinjëve, sa edhe sot, pas më se njëqind vjetësh shtet të pavarur shqiptar, nëpër shkrime të të huajve gjejmë herë pas here Draç për Durrës, Skutar për Shkodër, Valona për Vlorë (pa folur për raste me prapavijë të caktuar politike, kur Shqipëria e Jugut quhet “Vorio-Epir”!). Për arsye të njohura, kjo dukuri është më e përhapur për emërvendet në Kosovë, në Maqedoni e në Mal të Zi. Gjakovica e Peç për Gjakovë e Pejë, Bitola e Dobar për Manastir e Dibër, Bari për Tivar, Vusanjie për Vuthaj.

Ka ndodhur që edhe në shtypin e Tiranës, në përkthime, janë përdorur këta emra!

8.

Ndër tërë pushtuesit, më agresivë në ndërrimin e emërvendeve dhe të fesë kanë qenë sllavët. Kanë përdorur dhunën çnjerëzore dhe shtrëngesat ligjore. Historianë të Mesjetës thonë se tokat, për shembull, duhej të regjistroheshin vetëm me emra në serbisht. Përndryshe shqiptarëve pronarë nuk u njiheshin më si prona, ata shpronësoheshin në vend.

Për këto pagëzime ata përdornin institucionet fetare, lidhjet e njohjet me kancelaritë e huaja, legjendat “urbane” e folklorike, gjithçka.

Perandoria osmane ka qëndruar më gjatë se çdo pushtues, rreth pesëqind vjet. Megjithatë emërvendet me gurrë turke janë të pakta.  

9.

Të dhënat që u përmendën deri tashti prijnë kah një përfundim: emërvendi “Bjeshkët e Nemuna”, i përdorur “në hartat e paraluftës”, është pagëzim i bërë prej fqinjëve. Ata i quanin kështu edhe në të folurën e përditshme.

Edhe dy arsye të tjera në të mirë të këtij përfundimi.

Njëra lidhet me psiqikën kombëtare. Nuk është në natyrën e shqiptarit me i mallkue vendet e veta, bukën e të mirën. Ka ndodhur nëpër balada a legjenda diku në një grimë vend, por jo si dëshirë. Ka qenë shfryrje dufi në kushte tjetërsimi prej fatkeqësisë rrenuese. Për shembull në Klysyrë, ku besohet se është vorri i Imerit të Mujës, 8-9 km larg qytetit Bajram Curri, në atë grykë bjeshke thuhet se s’këndojnë kurrë qyqja as turreci. Sepse Ajkuna, e mbytur prej dhimbjes për djalin e vrarë, i pati mallkuar, siç pati mallkuar edhe hënën (“T’u shkimtë drita ty mori hanë...”):

Kurrë këtu qyqja mos këndoftë

As turreci mos u ndieftë!

Kjo nemë nuk përfshin krejt bjeshkën. Eshtë e pjesshme, e kufizuar vetëm te kënga e qyqes dhe e turtullit dhe vetëm në një grykë të ngushtë në luginë të Valbonës, në këmbë të Brijave të Gjarpnit. Kryesorja, ajo nuk ngjiti kund. Mbeti në trajtë hijeje, e shpërndarë nëpër ajër si dhimbja. Si edhe në raste të ngjashme, ajo nuk prodhoi kurrë një emër vendi. Klysyra vazhdoi me u quejtë Klysyrë e Valbona Valbonë. Dhe hënës nuk iu shkim drita!

Si mund të mallkonin shqiptarët çerekun a më shumë pjesë të Atdheut, aq sa, sipas FESH, është hapësira e “Bjeshkëve të Nemuna”?

Arsyeja tjetër është e natyrës gjuhësore, lidhet me drejtshkrimin. Në tekstet e ndryshme në gjuhën shqipe herë shkruhet “Bjeshkët e Nemuna”, herë “Bjeshkët e Namuna” e herë “Bjeshkët e Nëmura”. Këso luhatjesh ndodhin në emra vendesh të vogla, më pak të përmendura, si për shembull Shkambi i Drenit/ Shkëmbi i Drenit/ Shkëmbi i Drerit, Brija e Lisit/ Brinja e Lisit. Por nuk ndodhin në hapësira të mëdha, me emra të njohur gjerësisht. Krahina veriore e Lumës quhet Luma, askund nuk quhet Lumi, megjithëse sipas rregullave të drejtshkrimit thuhet lumi (lumi Drin), jo luma. Edhe luhatjet në të shkruar dëshmojnë se emërvendi “Bjeshkët e Nemuna” nuk është i rrënjosur, është i pangulitur. Domethënë është mbivendosur, është thjesht përkthim.

10.

N. Malkolm (Malcolm) në veprën “Kosova, një histori e shkurtë” (Kosovo, a short history, Macmillan, 1998), Eqrem Çabej e albanologë të mëdhenj gjermanikë, vlerësojnë se ato masive malesh kështjellore me banorët e panënshtruar patën shërbyer si bankë e genit shqiptar. Gjatë pushtimeve të gjata asimiluese të qyteteve e ultësirave arbërore aty u ruajt e pacenuar fara e racës sonë, gjaku e gjuha e lashtë shqipe. Tashti bash ato u zgjuan të mbuluara me një emër ndeshzi e ndjellazi: “Bjeshkët e Nemuna”!

Si ka ndodhur?

Në fillim emri sllav u është ngjitur bjeshkëve artificialisht, si maskë. Maska filloi me iu ngjeshë fytyrës gjithnjë e më fort. Çdo ditë, pak nga pak, me këmbëngulje. Derisa nisi me u shkri e u bë një më mishin, duke i dhënë fytyrës trajtën e vet. Prej fqinjëve sllavë kaloi nëpër botime e harta europiane. Rusët, të cilët e kanë pasur edhe në dosjet e hartat e veta, e përthithën dyfish.

Në Shqipëri, fill pas ardhjes së komunistëve në pushtet, konceptet dhe krejt përmbajtja e shkollës sovjetike u morën verbërisht, pa kurrfarë vështrimi kritik. Edhe emërvendi Bjeshkët e Nemuna, përkthim i “Prokletisë” sllave, u mor i mirëqenë dhe u pajis zyrtarisht me pasaportë shqiptare. U përfshi në harta e tekste shkollore, u regjistrua gjithandej. Shqiptarët, të cilët nuk ia njihnin prapavijën, e pranuan. Nuk u ndien as njerëz të rretheve të larta kulturore.  Edhe në e pastë menduar dikush, çdo kundërvënie mund të kushtonte. Personalitete si gjeografi i madh Ahmet Gashi, autor i të parës hartë të trojeve shqiptare, nuk mund të hapnin gojë. Kishin biografi me “njolla” dhe çdo mendim a fjalë u regjistrohej me keqdashje.

Për ngarkesën që përmbante, emërvendi “Bjeshkët e Nemuna” nisi me u ba joshës në krijimtarinë letrare. Aq sa në një farë kuptimi estetika e shkrimtarëve dhe poetëve, përfshi autorin e këtyre rreshtave, mund të mos ndihet aq mirë nga zbulimi i përkatësisë joshqiptare të tij. 

11.

Në veprën e përmendur më nalt N. Malkolm rikujton se, ndryshe nga emrat e përveçëm të njerëzve, të cilët mund të pasqyrojnë një ndikim kulturor, emrat e vendeve shpesh janë mbetje të një gjuhe më të hershme. “Emërvendet e pjesës veriore të Shqipërisë, thotë ai, ofrojnë një sërë provash të vlefshme gjuhësore për këtë çështje”. Çabej shkon përtej gjuhës. “Unë prej shumë vitesh kam formuar bindjen që toponomastika shqiptare përbën mbase dokumentin më kryesor që vërteton autoktonitetin e popullit shqiptar në vendbanimin e tij të sotmë, thotë ai, d.m.th. faktin që shqiptarët janë vendës në këto anë që nga kohët më të lashta të historisë, pa ndërpremje”.

Bash për shkak të rëndësisë, M. Shuflaj pati mbledhur një tufë dokumentesh që dëshmojnë emërvendin Pult qysh në vitin 743 të erës sonë deri në shekullin e 15-të, në forma të ndryshme, sipas disa gjuhëve (latinisht, italisht, sllavisht).

Shërbimi më i vogël që mund t’i bëjmë vetes: të paktën vetë të mos shqiptojmë çka të tjerët jo dashamirës kanë shqiptuar për ne. Të ashtuquajturat “Bjeshkë të Nemuna” t’i quajmë me emrin e natyrshëm që kanë: Bjeshkët Shqiptare ose Bjeshkët e Veriut.

Burimi: Gazeta “Nacional” (mbititulli dhe titulli në publikimin origjinal "Bjeshkët e Nemuna": pse nuk është ky emër te Fishta e te Mjeda? - Ku fillojnë, ku mbarojnë? Dhe kryesorja, pse qenkan “të Nemuna”?)

©Mehmet Elezi