Karafilët e kuq të varreve - Nga Dashnor Kokonozi

Dashnor Kokonozi - Francë
Hera e sjell që ndokush mëson për origjinën time dhe me dashamirësi afrohet e më rrëfen se dikur ka vizituar Shqipërinë. Janë takime mjaft më të shpeshta se sa mund të mendohet. Në raste të tilla mua më duket sikur kam dalë në anën tjetër të pasqyrës. Gjithnjë kam dashur të di çfarë mendonin ata për ne kur na shikonin rrugëve të Tiranës, por nuk e fsheh aspak dëshirën për t’u treguar edhe se çfarë mendonim ne për ta.
Këtu duhet bërë një dallim midis kontakteve të para në fillim të viteve shtatëdhjetë, kur t'u flisje në plazh turistëve të huaj ishte gjësendi e ndaluar, por që për pak kohë u tolerua (edhe pse çdo aventurë e tillë, kujtoj, përfundonte në rajonin e policisë), dhe vizitave të mëvonshme të grupeve të majta, krejtësisht të inkuadruara e kontrolluara.
Natyrisht midis tyre kishte kureshtarë, por edhe fanatikë.
I shihnim, tek ecnin në rresht rrugëve të qyteteve tona dhe rrinim e pyesnim veten se çfarë kërkonin aty, a besonin vërtet në ato që u rrëfenin shoqëruesit?
E pra, përgjigjen e këtyre pyetjeve qëllon që e marr vetëm tani, në takime të tilla si ai që përmenda në krye të këtyre shënimeve. Më duken si epilogu i një dialogu të pamundur që kishte filluar në Tiranë, këtu e dyzet vjet të shkuara.
Nuk mungojnë ata që duket se kishin besuar seriozisht në themelet prej betoni të “atdheut të proletarëve”, por më të shumë janë ata që në një farë mënyrë kërkojnë ndjesë që nuk mundën të kuptonin asgjë gjatë atyre vizitave.
E megjithatë bisedat e tyre kanë një pikëtakimi: moskuptimin përse ngado që shkonin, bashkë me muzetë e ndryshëm i detyronin të vizitonin edhe varrezat e dëshmorëve.
Pothuaj pa përjashtim, në çdo qytet ku zbarkonin ata i detyronin të kalonin para një numri të pafund varresh!
Nga fundi i vizitës, për persona të veçantë, dushe të tilla varrezash, siç i quante dikur Pablo Neruda, bëheshin shkas tronditjesh të forta, çekuilibrimi emocional dhe krizash pagjumësie.
Te varrezat fundit të gjithë ndiheshin të pushtuar nga ankthi, të deprimuar, por shumëkush kujtohej se me vete kishe marrë ilaçe për të gjitha format e diarreve, por asgjë për ta mbrojtur nga ai lloj depresioni funeral.
Në dhjetë ditë ata qenë të detyruar të vizionin shumë më tepër varreza se sa kishin vizituar gjithë jetën në vendin e tyre.
Gjithsesi edhe pa njohur detaje nga tragjedia e vërtetë e vendit, turin funebër e plot ankth të varrezave shqiptare, në sytë e tyre nuk e përligjte as qëndrimi falas në Shqipëri.
Shkrimtari dhe psikanalisti i njohur parizian, Jean Luc Tourenne (autor i një romani të shkëlqyer për Ahmet Zogun), me të cilin i kthehemi shpesh anës komike të historisë komuniste të Shqipërisë, dikur më tregoi detaje krejt të veçanta, të panjohura për mua.
Diku nga mesi i viteve ’80, pasi kishin parë një numër varrezash si ato të Korçës, Durrësit etj., atë dhe grupin e tij i kishin vënë në rresht dhe po i drejtonin midis rruginave të varrezave të Shkodrës. Ishte vetëm nëntëmbëdhjetë vjeç dhe i kishte ardhur në majë të hundës, duke lundruar përmes varresh me të cilat nuk e lidhte asgjë.
Aty në Shkodër vendosi të mos ndiqte pas drejtuesin e grupit. Qëndroi në anë të një parcele dhe nisi të vështrojë rrotull, pa kuptuar asgjë përse ndodhej aty.
Diku i zunë sytë një vajzë të re, e cila po nxitonte të vendoste nga një karafil të kuq mbi çdo varr.
Ecte e përkulur dhe e përqendruar te puna e saj, dhe dikur ajo ndeshi ballë për ballë me të riun francez. Në fillim pati një çast habie dhe stepjeje, por së fundi i buzëqeshi.
Dhe pastaj ndodhi ajo që nuk e priste askush. Vajza vështroi kalimthi rrotull dhe me një lëvizje të hijshme ia la në dorë djaloshit francez të gjithë tufën e karafilave që i kishte mbetur. Dhe iku.
Jean Luc qe mrekulluar.
I thashë se në moshën e tij edhe unë do të bëja interpretime të ndryshme të atij gjesti aq të bukur, por sot kam interpretim tjetër. Në të vërtetë ajo vajzë ishte shpirti i vërtetë i Shqipërisë, të cilin regjimi kërkonte të mbante të lidhur pas idealesh të një kohe tjetër, idealesh që ai regjim i kishte shkeluar që të nesërmen e përfundimit të luftës.
Dhe nëse ai ndihej i detyruar të ruante një mendim për atë vizitë, ishte pikërisht ajo ngjarje e pazakonshme.
Me atë vajzë, fare pa u gabuar mund të identifikohej e gjithë rinia e atij vendi të shtypur, poshtëruar e ndrydhur, por që instinktet vitale i kishte ruajtur të gjalla për t’i shfaqur me aq dinjitet në fillim të viteve nëntëdhjetë.
©Dashnor Kokonozi












