Vende & Zakone

1 Maji korçar, festa e familjeve

Nga: Agim Xhafka

Sa herë vjen fundi i prillit më vjen si aromë e mirë dita e 1 Majit. E përjetoja si gëzim, si emocion, si çelje bliri, si ngrohtësi moti.

Thuajse deri në mbarim të universitetit e festoja në Korçë. Nga që kishim pushim dhe datën dy e mbase na futej ndonjë e dielë në mes ose fund. Pra bëheshin tre-katër ditë.

Shtonim dhe një nga xhepi dhe nisnim planet e udhëtimit qysh në mars. Sikur do shkonim në Amerikë, jo në Korçë. Numëronim javët me gishta dhe ja, vinte 29, ose 30 prill e qysh në 5 e 20 minuta treni ia niste çaf çafit nga Tirana. Për plot tetë orë kapnim Pogradecin dhe nga ora 4 mbasdite në familje, në parajsën mbi dhé.

Nuk kishte qyteti ynë marrshime, zhurma si në Tiranë. Nuk mbaj mend podiume, kamiona e parakalime. Iknim turma-turma drejt kodrave me pula hungareze e pilaf të shkoqur në tenxhere. Dy a tri birra dhe ujë burimi. Plot kodrat me fëmijë që rrokulliseshin mbi bar e me prindër që ia nisnin me këngë korçare e përfundonin po me këngën e fillimit. Pastaj derdheshim poshtë nëpër shtëpia e mblidheshim te bashta e Lëndinës së lotëve. Por me ngazëllim e me pak trishtim se ja, po na ikën një ditë nga pushimet. 

1 Maji ka qënë festë përherë. Shkruhej e thuhej Dita e punëtorëve, por unë e mbaj mend si festë të familjeve. Që na mblidhte tok, na detyronte të dilnim piknik, të shihnim e t’i gëzoheshim njeri tjetrit.

Babai e kishte si ditë zyrtare që hiqte nga veshja e tij ditore pardesynë. Kaq e ka stinën kjo, thoshte dhe e varte me kujdes në dollapin e vogël të dhomës së tij.

Ende i ndjej ato ditë të atyre kohëve. Jo nga atmosfera, por nga moti që vjen e ngrohet papritur si për t’i dhënë zjarr vatrës së çdo shtëpie.

Ma kujton edhe bliri, që e kam si libër historie të jetës sime. Aroma e tij mbart plot festa, gëzime, zhgënjime e trishtime …

1 Maji po troket. Dera rri hapur. Welcome, miku im!