Familja Gjinika - Mall e dashuri për Çamerinë
Çështja çame dhe përgjithësisht çështja e minoritetit shqiptar në Greqi, lindi me vendimin e Konferencës së Londrës më 1913, vendim që e shkëputi këtë trevë shqiptare dhe ia aneksoi atë Greqisë.
Që nga ajo kohë, për vite me radhë, pati një presion të vazhdueshëm, një politikë sistematike të shtetit grek dhe forcave të ndryshme ultranacionaliste greke për shkombëtarizimin e kësaj treve. Për këtë qëllim, u përdorën të gjitha mënyrat si tatimet e rënda, grabitja e tokës, përjashtimi i popullsisë nga pjesëmarrja në administratën shtetërore, ndalimi i dhunshëm i arsimimit në gjuhën amtare, madje edhe në shkollat fillore, vrasjet, burgimet, dënimi me dhunë e deri dhe masakrat e përgjakshme.

Këto fjalë i dëgjuam nga një anëtar i familjes së njohur Gjinika, familje e cila ka shumë vite që jeton në qytetin e Montréal-it. Gjinikat janë me origjinë nga Margëllici i Çamërisë së përvuajtur.
Kryefamiljari na rrëfen se si gjyshërit e tij shkuan në Shqipëri më 1944, në kohën e genocidit çam. Ata ishin në një moshë shumë të re, gjyshja 15 vjeçe, ndërsa gjyshi pothuaj 20 vjeç. Shumë prej familjarëve te tyre u vendosën në Sarandë, ndërkohë të tjerët u shpërndanë nëpër qytete të tjera.
Ata, me të ardhur në Shqipëri, filluan të merreshin me tregëti, ashtu siç është dhe karakteristike për popullsinë çame. Rrëfimi vazhdon me kujtimet e rritjes mes hidhërimit, mallit e dashurisë për Çamërinë. Amaneti më i madh i gjyshit të tij dhe i të gjithë brezit, ka qenë që ditët e fundit të jetës t’i kalonin në Çamëri, atje ku lanë gjithshka. Shqipëria i priti në gjirin e saj, megjithatë malli dhe dëshira për t’u kthyer në Çamëri nuk u shuan kurrë.
Z. Gjinika pranon se tregimet e gjyshërve, kanë qenë përralla më e trishtë e jetës së tij. Ai e ka përjetuar çdo detaj të historisë së të parëve ndaj edhe me ne e ndan me të njëjtën dhimbje. Kujton momentin kur nga autoritet greke u ishte ndaluar hyrja në kufirin grek personave që në pasaportë kishin vendlindjen Çamëri. Gjyshërit e tij bënin pjesë në këtë grup.
Vetëm në vitin 2000 ata u rikthyen për herë të parë pas shumë vitesh në vendlindje dhe përshkrimi i tyre ishte mallëngjyes. Edhe gurët u kishin munguar. Çdo gjë ishte e rrënuar. Flitej pothuaj vetëm greqisht dhe disa fjalë shqip nën buzë nga disa persona që nuk i pat rrëmbyer vala e 1944-ës. Ata kishin mbetur në vatan, por kishin qenë të detyruar të asimiloheshin.

Zonja e familjes gjithashtu ruan një kujtim shumë të bukur nga Çamëria. Ruan si thesar veshjen popullore të zonës e cila mbart edhe një histori të vogël nga e kaluara. Jeleku i kostumit çam, i nusërisë së gjyshes. Vjehrra e saj e kishte marrë dhuratë në pajë, e më pas ia pat dhuruar gjyshes e kjo më pas mbesës. Ka qenë një zakon brezash ruajtja e kujtimeve të tilla. Kudo ku ajo ka veshur kostumin tradicional çam, jeleku ka qenë gjithmonë pjesë e pandashme. Kujton sidomos më shumë kohën kur ka qenë studente, në përfaqësime të Shqipërisë jashtë vendit. E ruan me fanatizëm këtë dhuratë të paçmuar të cilën sipas traditës do ta trashëgojnë edhe shumë e shumë breza të tjerë. Në fakt nuk është një jelek i thjeshtë por një relike që bart shumë kujtime.
Komuniteti çam, është i njohur për vallet e bukura dhe të hijshme e për këngët plot domethënie. Gjithësecila nga ato mbart një fabul më vete. Traditën dhe kulturën po mundohemi t’i ruajmë e t’i zhvillojmë akoma më tepër, pa e larguar nga origjinaliteti na thonë Gjinikat, të cilët tregojnë gjithashtu se janë një fis shumë i madh e i shpërndarë në mbarë Shqipërinë.
Në fakt, po të pyesësh njerëz që i njohin, do dëgjosh se ata gjithmonë janë karakterizuar nga zemërgjerësia dhe aftësia për të jetuar me nder e dinjitet, ashtu siç kanë qenë të parët e tyre në Çamëri. Nga Çamëria nuk u kanë mbetur vlera monetare e pasurore se ato u shkatërruan. E vetmja vlerë e çmuar për ta është dinjiteti.

Historia e fundit që kujtojnë në bisedë Gjinikat, është një akt human i kryer nga stërgjyshja e tyre. Në kohën kur autoritetet vendase greke kryenin raprezalje ndaj popullsise çame, ata morën një djalë të fisit dhe e dogjën të gjallë. Si hakmarrje, burrat e fisit kishin dashur t’ua shpërblenin më të njëjtën monedhë, duke marrë rob një ushtar grek ndaj të cilit donin të kryenin të njëjtën gjë. Por nënë Fatimeja doli jashtë te porta e nuk i lejoi burrat të kryenin veprimin e nisur. Çfarë faji ju ka djali – tha jo. Lëreni të vejë të nëna e tij. Më pas, Fatimeja e mori atë, e lau, e ushqeu dhe la amanet ti dorëzohej prindërve të vet.
Kjo është histori e botuar edhe në libër por bashkëbiseduesit tanë e kanë të dëgjuar nga gjyshja. Dhe kjo histori u ka mbetur e ngulitur përjetë në mendje. “Komuniteti çam shquhet për tolerancë. Ne nuk kemi as urrejte, as nuk duam të hakmerremi. Jemi në gjendje të kuptojmë që genocidi, është akti më i shëmtuar ndaj njerëzimit dhe ky akt kryhet nga politika jo nga popullsia e thjeshtë ashtu siç jemi edhe vetë ne”. Këtu mbyllet biseda e përshkuar fund e krye nga malli për tokën e të parëve.

Përgatiti: Blerina Ruka/Albanian Montreal Press











