Vende & Zakone

Xha Ligori - Nga Bamir Bebeziqi

Në qytetin e vogël “D”, diku nga fillimi i viteve ’70, nëpër rrugët e tij u shfaq papritur një personazh shumë i çuditshëm. Ishte një burrë diku tek të pesëdhjetat, imcak në fytyrë, trupvogël, me flokë të rënë.

Ai kishte një aftësi që zor ta kishte ndonjë tjetër në qytet. Ai kishte një kujtesë të pazakontë. Ai kujtonte ditën e lindjes të pothuaj çdo të riu të qytetit dhe në çdo kohë që ta ndaloje e ta pyesje, pas disa sekondash të menduari, të jeptë saktësisht ditën e lindjes, që ti i kishe treguar dikur.

Burrin e thërrisnin xha Ligor dhe sa herë që kalonte rrugës, apo hynte nëpër kafenetë e qytetit, djemtë e ndalonin, e pyesnin për ditën e lindjes dhe ai i kthente përgjigjen saktësisht. Për shërbimin fitonte ndonjë 5 lekësh të vjetër apo 10 lekësh, e me ato para shtynte ditën.

Kaluan disa vite e banorët e qyteti “D” u mësuan me të, por një ditë prej ditësh ai zhduket nga qyteti, pa lënë ndonjë gjurmë. Shpejt u harrua e besoj se edhe sot, pak mundet ta kujtojnë.

***

Në mars të vitit 2020, Ermiri, një emigrant prej plot 30 vjetësh, vendosi të festojë gjashtëdhjetëvjetorin, në qytetin e tij të lindjes, me nënën e tij të plakur e cila kishte mallin e dëshirën, që i biri ta takonte përsa kohë që ajo merrte frymë.

Ermiri niset për në qytetin “D”, por udhëtimi i qëlloi i pafat. I qëlloi në një kohë kur një virus vrastar papritur pushtoi botën mbarë dhe muaji që ai kishte zgjedhur u bë gati fatalitet për të, pasi pikërisht në ditën e tij të lindjes, më 6 mars u shpall shtetrrethimi. Tanket u shfaqën në rrugë e njerëzit për t’i shpëtuar virusit u detyruan të qëndronin të mbyllur e lejoheshin të dilnin vëtëm një pjesëtar për çdo familje, për të blerë ushqimet apo ilaçet, të domosdoshëm për jetesën.

Ermiri kishte ardhur për t’u çmallur me shokë e me miq e i duhej të izolohej në shtëpi. E vetmja e gëzuar në shtëpi ishte nëna e tij, e cila dëshironte të kishte të birin e saj vetëm për vete e pandemia sikur punonte më së miri për të.

Ermiri disa ditë i kaloi jo keq, por më pas jetesa ne qytetin “D” filloi të bëhej e padurueshme. Vetëm pas një muaji i dhanë të drejtën të dilte nëpër rrugë për disa orë. Edhe ajo e dalur, duhej që të shoqërohej me maskë në fytyrë.

Të paktën maska kishte diçka të mirë. Të mbronte nga era e rëndë e fekaleve, që të ndiqte kudo rrugëve të qytetit, sidomos pas ndonjë shiu të vrullshëm, kur përmbytjet ishin mëse të zakonshme.

Ashtu në mërzitinë e tij të pamundësisë për t'u kthyer në vendin ku jetonte, pasi çdo fluturim avionësh ishte pezulluar, një ditë Marko, një shoku i tij i fëmijërisë i propozon Ermirit të shkojnë diku në një fshat të Jugut, në bregdet, pasi atje nuk kishte rregulla shumë striktë ndaj virusit dhe një ditë, bashkë me t’ëmën, përfundon në një hotel të vogël, ne fshatin “P”, përballë detit të mrekullueshëm e ajrit të pastër krejt të ndryshëm nga ai i qytetit të tij.

Aty, meqë uji i detit ishte shumë i ftohtë dhe e lara me siguri mund të sillte ndonjë pasojë të rrezikshme për shëndetin, me Markon filluan të shëtisin fshatin dhe fshatrat përreth, ndërkohë që nëna u gatuante në oborrin e hotelit të vogël e të dy bashkë me Markon, shijonin ushqimet e saj.

Fshatrat kishin shume kisha e objekte kulti dhe Marko, duke ditur se miku i tij e kishte me dëshirë historine e shoqëron e vizitojnë kisha pas kishash e në njërën, në kishen e “Shën Nikollës” në fshatin “Dh”, duke kundruar pikturat murale, shandanët e bukur që ndriçonin nga qirinj të ndezur, një burrë i kërrusur, shumë i vjetër, afrohet dhe Marko i drejtohet:

-Barba Apostoli, të lutem na ndiz disa qirinj, për mua, Ermirin, shokun tim dhe nënën e tij.

Në një çast Ermiri ngriu në fytyrë, po ashtu edhe barba Apostoli.

-Marko, ky më duket si xha Ligori i asaj kohe? E kujton?

-Çfarë flet o Ermir, ky është barba Apostoli e jeton këtu prej gati 30 vjetësh, - përgjigjet Marko, ndërkohë që plaku kishte kthyer kurrizin duke iu drejtuar shandanit, për të ndezur qirinjtë.

-Marko, ti e di që kam kujtesë fotografike e nuk besoj se jam gabim, - përpiqet Ermiri të bindë shokun e tij.

-Hajde se e zgjidh shpejt këtë kuriozitetin tënd, - thotë Marko, duke ju drejtuar plakut:

-Barba Apostol, betohu për këtë kryq, se ti nuk je xha Ligori, që ngul këmbë ky miku im.

Plaku donte t’i shmangej pyetjes dhe po hezitonte të përgjigjej, por më në fund dorëzohet.

-Po, unë jam xha Ligori dhe ky zotëria është Ermir Bebi, i ditëlindjes 6 mars 1960, - thotë plaku.

Marko ngriu, Ermiri gjithashtu.

-E shikon Marko që nuk më ka lënë kujtesa? Nuk flas kot! - thotë Ermiri.

Tani të dy shokëve iu shtua kurioziteti. Me siguri plaku diçka fshihte.

Kur plaku po ndizte qirinjtë, Ermiri vuri re tek dora e tij e djathtë një tatuazh të vogël, ku ishte shkruar, “Spaç 1980-1990”.

Në çast Ermirit në kokë mendimet filluan t’i rrotulloheshin e u kujtua se pikërisht në atë kohë plaku qe zhdukur nga qyteti.

-Xhaxho! Keni qenë në burg të Spaçit? - e pyeti.

Plakut dukej se diçka nuk po i pëlqente, por më pas...

***

Ishte lindur në Gore, një fshat i vogël i Myzeqesë në vitin 1922 e për dy vite do të festonte 100 vjetorin. Jeta e tij kishte filluar si një fëmijë normal, por një epidemie malarie që kishte pushtuar vendin në atë kohë, nuk kishte mundur t’i shpëtonte. Epideminë e kishte kaluar shumë rëndë me ethe të forta e pas sëmundjes, ishte kthyer nga një fëmijë i zakonshëm, në një idiot, apo budalla siç e etikonin në fshat. Në shkollë ishte nxënësi më i dobët në lexim apo shkrim, por në matematikë ishte i shkëlqyer, bile mësuesi i tij thoshte vazhdimisht, që ky fëmijë është një gjeni, por më kot. Në fshat vetëm e përbuznin dhe e tallnin keq, e kur mbushi 20 vjeç, familja e tij e gjeti një zgjidhje. E martuan me një kurvë në qytetin “D”, me Xhemilen, e cila kishte ndarë disa burra më parë, por nuk kishte patur fëmijë.

Jetesa me Xhemilen ishte veç një ferr, kujtonte plaku.

Ajo çdo ditë ftonte në dhomën e saj të vetme, fshatarë që vinin në qytet për të shitur dhe e pranonte të shoqin në shtrat, vetem natën, për të fjetur, pasi natën ajo kishte frikën se xhindet mund ta merrnin.

E kështu xha Ligori gjithë ditë bridhte rrugëve të qytetit “D”, deri sa një ditë si papritur, ndaloi dy djem në një nga vitrinat e dyqaneve dhe i pyeti për ditën e lindjes.

Djemtë ia tregojnë e pas disa muajsh ata e ndaluan xha Ligorin e ai çuditërisht u tregoi datën e saktë të lindjes. Shpejt lajmi u përhap në qytet e ashtu filloi xha Ligori të njihte pothuaj të gjithë qytetin. Kujtesa e tij brilante dhe aftësia e tij për të fotografuar fytyrat deri në detaje i dha sukses biznesit të tij, me të cilin jetoi për shumë vite, duke kënaqur edhe Xhemilen e tij, e cila duke u plakur, nuk po mundej t’i përballonte më klientët e saj.

Diku nga fundi i viteve ’70, në qytet vjen një kryetar i ri i Degës së Punëve të Brendshmë. E thërrisnin shoku Murat. Sa erdhi në qytet, terrori e frika mbizotëroi kudo. Shoku Murat ishte shumë i rreptë, por mbi të gjitha, ai kishte plot vese, e më së shumti vesin e kurvërimit. Ai vdiste për gratë e bukura apo kurvat e qytetit.

Një ditë se ku kishte marrë informacion e dërgon një gaz të Degës për të marrë xha Ligorin dhe diku në një kamp të Ministrisë së Brendshme, në breg të detit, i propozon plakut që të bëhej agjent i Sigurimit. Në fakt nuk ishte propozim, por detyrim. Shoku Murat kishte dëgjuar per xha Ligorin e aftësinë e tij dhe i cakton një detyrë si fillim. Ai i thotë xha Ligorit, që të shikonte se kush hynte e kush dilte tek shtëpia e Ervehesë, një infermiere e ndarë nga burri.

Kështu nga pak xha Ligori, filloi të ndiqte kush hynte, jo vetëm tek shtëpia e Ervehesë, por edhe Lirisë, Fatës, Rukijes, e gjithë kurvave të qytetit.

Nuk kaloi shumë, e një valë arrestimesh filloi në qytet. Drejtorë, doktorë, ekonomistë, oficerë, përfunduan burgjeve e mbi akuza u shtohej edhe imoraliteti, gjë që e rëndonte më shumë dënimin e tyre. Xha Ligori po bënte me të vërtetë një punë të lavdërueshme.

Një ditë xha Ligori, duke ruajtur shtëpinë e një fatorinoje treni, befasohet. Në atë shtëpi, shikoi që një kuadër i lartë i partisë hyri vjedhurazi. E ndoqi kuadrin për disa kohë. Ai hynte në shtëpinë e fatorinos, pothuaj dy herë në javë e më pas, dilte me fytyrë të skuqur e të qeshur nga kënaqësia. Një ditë qëlloi fatale për kuadrin. Ai hyri me kembët e tij dhe doli i mbuluar me çarçaf. Kuadri i partise kishte pësuar goditje në zemër dhe të nesërmen, një varrim madhështor u krye dhe u tha se kuadri i partisë, kishte rënë në krye të detyrës. Pune dreqi. Problem i madh për xha Ligorin, pasi ai i kishte treguar çdo gjë me hollësi shokut Murat, e nuk kalon java, xha Ligori e gjeti veten të prangosur. Në gjyq e dënojnë 10 vjet për agjitacion e propagandë e dëshmitare doli ajo që s’ia kishte marrë mendja kurrë, e shoqja, Xhemilja.

I varfëri xha Ligor, çfarë do të bënte në burg? Ai nuk kishte as edhe një lloj zanati, por halli çfarë nuk të detyron që të bësh. Në burg, xha Ligori njohu edhe disa nga viktimat e tij, të qytetit të tij, të cilët frekuentonin kurvat dhe tani vuanin ndoshta edhe prej tij. Ndërgjegja e vriste nga pak, por asnjeri prej tyre nuk dinte gjë, e kështu kaloi për bukuri për disa vite. Merrej me ditëlindjet e të burgosurve. U kujtonte sa herë që harronin ditën e tyre të lindjes e fitonte ndonjë cigarë apo ndonjë lugë sheqer, e ashtu kalonte koha, por edhe jeta në burg një ditë i ndryshoi. Jeta iu bë tmerr kur aty u shfaq shoku Murat. Ardhja e tij në burg u kthye në festë, pasi kishte shumë nga ata të burgosur që e kishin njohur drejtpërsëdrejti, dhunën e tij, presionet e tij, dënimet e tij, e ja ku përfundoi edhe vetë në birucë.

Uh çfarë ka hequr në ato vite ferri, shoku Murat! Edhe jashtëqitje ka ngrënë, edhe abuzim seksual ka pësuar, saqë thirrjet e tij nga dhëmbjet dëgjoheshin deri jashtë burgut, po kush pyeste. Për të burgosurit, abuzimi seksual, ishte diçka që nuk e kapte rregullorja e brendshme e burgut.

Por, shoku Murat ishte një dhelpër e vjetër e një ditë me ngashërim u drejtohet të burgosurëve:

-Dëgjoni vëllezër, unë vetëm kam zbatuar ligjet e shtetit dhe kushtetutën. Mos u përpiqni të më linçoni mua. Të keqen e keni nga ai atje, xha Ligori, siç e njohin të gjithë në “D”. Ai më ka dhënë informacion për ju, e ja ku jeni sot nëpër burgje. Atë linçoni, ai është i poshtri, ai është spiuni.

.. Nga ajo ditë shoku Murat jetoi si zotni e të gjithë ç’ka pësoi ai, e pësoi mbi kurriz xha Ligori. Vetëm një prift i dënuar, at Nikolla e ndihmoi, bile ai e mori në kishën në fshatin “Dh”, me ardhjen e demokracisë, atë ditë kur burgu i Spaçit u mbyll, për mos t’u hapur më kurrë.

***

Historia e xha Ligorit është një histori e dhimbshme, pasi ai pas burgut nuk qasej as nga Shoqata e të Burgosurve Politikë, as nuk mund të merrte dëmshpërblim burgu, pasi ai kudo etikohej si spiun. Sa herë që dosjet e ish-bashkëpuntorëve të  Sigurimit hapeshin, aty gjendej vetëm një emër, “Ligor Nasi”, ndërsa shoku Murat për shumë vjet, deri sa vdiq, mori  edhe shpërblimin si partisan, edhe shpërblimin si i burgosur politik.

Pasi nuk mundi të durojë dot etiketimin spiun, xha Ligori vendosi të humbë gjurmët e të ndryshojë emrin në Apostol.

***

Ermiri dhe Marko e dëgjuan historinë e xha Ligorit. Ai kishte të drejtë për ndryshimin e emrit, e nga ajo ditë të dy miqtë, sa herë që shkonin në kishë e thërrisnin, xha Apostol.

 Ai ndjehej më i lirë e më i qetë.

-Zoti Ermir, babai yt, profesori, ka qenë burrë i ndershëm, - i thotë një ditë plaku, - shoku Murat më kërkonte me ngulm që ta ndiqja kudo ku shkonte, por ai … ai vetëm në bibliotekë e në plazh shkonte. Shoku Murat nuk kishte se ku të kapej.

©Bamir Bebeziqi