Vende & Zakone

Vdekja e Gështenjës sime - Nga Përparim Kabo

Kur dimri po dilte dhe pranvera ishte nisur të vinte, ashtu si pa u kuptuar, brenda meje, ky kalim stinor, kishte të bënte me jetën dhe bukurinë e Gështenjës së vjetër, që prej më shumë se 20 vitesh, është një mikeshë e imja. E gjeta të njomë lastare, kur mbërriti në vitin 1999 në këtë shtëpi. Vit pas viti trashi trungun dhe degët, e ngriti kurorën, dhe çdo vit i afrohej dritares sime, saqë një ditë mbërriti deri te ballkoni, si për të më thënë: - Erdha, jemi bashkë!

E prita dhe këtë vit, që gjethet e fundit, të plakura, të iknin me erën dhe pragpranvere të çelnin bisqet, të fryheshin degët me ato gungat ndër nyje dhe pastaj të shpërthenin gjethet. Gështenjat e egra në rrugën “Sami Frashëri” janë kurora më e bukur natyrore-urbane, që në çdo stinë falin aq shumë bukuri dhe kënaqësi! Edhe Gështenja ime bënte pjesë në këtë zbukurim. Të gjitha stinët vinin tek unë edhe nëpërmjet saj. Pranvera, me gjethet që rriteshin si me magji, derisa e tërë pema gjelbërohej dhe une ndiqja se si zogjtë atje, mes pemëve, cicëronin herët në mëngjes dhe, disi të lodhur, në mbrëmje. Nisnin e frutëzoheshin kokrrat brenda asaj kutize sferike me gjemba, ku brenda, si nje perlë, rritej kokrra…

Edhe vera e tillë ishte, pasi kishin bujtur bletët ndër lule, stina e nxehte ia shëndoshte frutin. Vera e nxehtë në Tiranë ka një të mirë, sepse pakësohen makinat dhe qyteti të duket se është më shumë i yti… Rrugës, përbri shtëpisë ku banoj, këto pemë më falin shume miqësi dhe dashuri… Kur nisin shirat e vjeshtës, gjethet lagen e pështillen si ai njeriu që ngre qafën nga ajri i ftohtë… dhe kokrrat nisin e bien, ashtu, si pa të keq, me një peshëlëshim krenarie.

Mbrëmjeve të vjeshtës, abazhuri i dhomës sime, përmes xhamit të dritares, pasyrohej jashtë dhe binte mbi Gështenjën time si shandan dhe dritat varen, si në pikturën e Shagalit me orët… Përbri dritares, në kolltukun ku ulem e lexoj, çdo vjeshtë i thosha Gështenjës sime: - Ja, ke edhe ti dritë, ti je frymëzimi im, unë jam miku yt… Heshtja e saj natyrale më dërgonte mesazhe… Kështu dialoguam me vite…

Por, ahh! Por… këtë vit, Gështenja ime nuk çeli. Fillimisht nuk u shqetësova; mendova se do çelte disi me vonë, kur ta rrihte edhe më shumë dielli. Ndërkohë që pemët e tjera pranë saj ia kishin nisur punës e u gjelbëruan vrullshëm. Pas disa ditësh, u shqetësova… Nisa të mendoja se mos valle punëtorët e bashkisë, që rregulluan trotuarin, kishin bërë ndonjë gjë… sepse diku, mbi dheun, lëkura e trungut ishte zhveshur nga një mjet gërmues, qe u përdor gjatë riparimit. Por jo, kjo lloj plagosjeje kishte ndodhur edhe me trungje të tjerë… Po ç’kishte ndodhur atëhere?

Pyes dikë, që në katin përdhes të godinës, ka pikën e shitjes së orendive për shtëpi…

Si është puna me Gështenjën tonë, çfarë ka ndodhur?

U pataksa, kur më tha: - E ka goditur rrufeja!

Jo, jooo, i thashë! U afruam dhe pamë se ishte çarë trungu…

U pikëllova pa masë… kishte vdekur Gështenja ime…

Në shtëpi nisa të meditoja dhe vërtet, në këtë udhëtim që hetonte ditët dhe netët, m’u kujtua se një natë me shi, kur isha duke lexuar dhe qielli gjëmonte, një rrufe u ndje shumë, shumë afër, aq sa në atë çast, instiktivisht u mblodha kruspull… Atë natë ishte goditur Gështenja. Zjarri qiellor kishte mbërritur aq afër dhe përmes trupit të Gështenjës ishte strehuar thellë rrënjëve të saj e kishte humbur nëntokë, në një udhëtim krejt të habitshëm… e pothuaj misterioz. Sytë m’u mbushën me lotë…

Tashmë stinët nuk do vijnë më tek unë përmes jetës lodruese të Gështenjës sime… Edhe tani që po shkruaj këtë nekrologji, e shoh nga dritarja; degët duken sikur të jetë dimër dhe jo verë… Vdekja është një lloj dimri. Prej disa ditësh, Gështenja ka nisur të zhbëhet. Lëkura i është çarë. Gjithandej po del në shesh mishi i vdekur i trupit… ajo qëndron ende në këmbë, me rrënjët e pajeta nën tokë dhe me degët e pajeta mbi tokë, sikur do të thote: - Ja ku jam, nuk dua të iki!

Në vjeshtë do vijnë ta sharrojnë punonjësit e bashkisë, e ai dru kushedi se ku do digjet a do përdoret… Do iki Gështenja, bashkë me kujtimet e mia, në një tjetër botë, do shndërrohet në një tjetër materie…

Vdekja e Gështenjës sime më ka trishtuar; ajo nuk ishte thjesht një pemë… ishte një mikeshë e imja, e pagojë, por shumë bujare, një mike besnike e bukurisë, një nazike, që veç falte, pa kërkuar asgjë si shpërblim…

Faleminderit, Gështenja ime, që, për më shumë se dy dekada, krijuam një miqësi kaq të bukur, të çuditshme dhe tejet të sinqertë! Asnjëherë nuk m’u ankove apo më kërkove ndonjë shpërblim, por, për çdo vit u dhe kuptim natyror stinëve të mia njerëzore…

Lamtumirë, e dashur!

Nga qielli vijmë e në qiell shkojmë…

©Përparim Kabo - 26 qershor 2022