Kulla e Sahatit të Durrësit, një element i harruar - Nga Aleksandër Cangonja

Aleksandër Cangonja - Durrës
Nëse do vizitojmë Tiranën, Kavajën, Elbasanin etj., do vërejmë diçka të përbashkët midis tyre. Në sheshet qëndrore të këtyre qyteteve shihen kulla të ndërtuara në periudhën Osmane të cilat shërbenin si kulla sahati. Të gjitha këto kulla janë ndërtuar në shekullin XIX. Një kullë të tillë nuk e shohim në Durrës. Pse?
Sipas dokumenteve dhe fotove që gjenden në Arkivin e Shtetit, mbas tërmetit të dhjetori të vitit 1926, që në Durrës shkaktoi shumë dëme, në ndihmë të autoriteteve shtetërore Shqiptare ofrohet dhe shteti italian i cili solli specialistë të cilët asistuan në shembjen e objekteve të dëmtuara dhe në kuadër të këtij operacioni nga fotot shohim që punonjësit e Kryqit të Kuq, së bashku me ushtrinë, po shembin disa objekte të dëmtuara, midis tyre dhe kullën e sahatit të Durrësit. Fatmirësisht këtë gjë e tregojnë fotot e bëra nga mjeshtri Ymer Bali, i cili e pat fiksuar këtë moment.
Edhe pse ekzistencën e saj e dallojmë nëpërmjet fotove të shumta të atyre viteve, të cilat tregojnë se kulla ka qenë aty, në plan të parë kur shihet në foto, ajo ngjan si një kullë me këmbanën e ndonjë kishe, gjë që diskutohet shpesh në rrjetet sociale. Po e cilës kishë? Pyetja mbetet pa përgjigje. Duke qenë se për të është folur pak prej disa nga autorët që kanë shkruar për Durrësin, në kërkimet mia në Arkivin e Shtetit por edhe më gjërë, arrita të gjejë disa dokumente për të vërtetuar që Durrësi ka pasur një kullë të sahatit.

Durrësi në fundin e shekullit të XIX bëhet Sanxhak (prefekturë) e Vilajetit të Shkodrës dhe si Sanxhak kishte në varësi Kaza (Bashki) të tjera si Tirana, Shijaku, Kavaja dhe Kruja. Normalisht si kryeqendër e prefekturës që ishte, Durrësit nuk kishte si t’i mungonte dhe atij një kullë sahati. Aktualisht sot nuk kemi gjurmë të saj dhe shumë pak veta në Durrës e dinë se ajo ka qenë e vendosur në krah të bashkisë ku ndodhet sot busti i Hafiz Ali Podgoricës, sipër murit turk i cili vazhdon të jetë aty.
Ekzistencën e një kulle sahati në Durrës e vërtetojmë nga dokumentat që gjenden në arkivin Osman të Stambollit. Nëpërmjet Osmanologut Ermal Nurja arrita të siguroj një dokument të përkthyer ku thuhet:
“Drejtuar Inspektoriatit të përgjithshëm të Lartë të Vilajeteve të Rumelisë
Naltësisë së tij të veshun me pushtet!
(Pas elozheve të rastit)
Ju parashtroj me gëzim pa masë se dhoma e karantinës, kulla e sahatit dhe postoblloku i skelës së qytetit të Durrësit janë ndërtuar nga themelet (pra janë ndërtime të reja jo të mëparshme) dhe inagurimi i tyre do të realizohet në ditën e lumtur që kemi përpara (përvjetori i radhës i fronësimit të sulltan Abdulhamitit të II që është 19 gushti). Urdhri dhe fermani i takojnë vetëm të zotit të cështjes. Data aktit 27 korrik 1907
Mytesarifi i Durrësit Kazim (vula) (1)
Pra nga ky dokument i datës 27 korrik 1907 ku Mytesarifi i Durrësi i drejtohet Inspektoriatit të Përgjithshëm të Lartë të Vilajeteve të Rumelisë dhe informon se dhoma e karantinës, postoblloku i portit dhe kulla e sahatit janë objekte të reja të ndërtuara nga fillimi dhe si datë për inagurimin e tyre do vendosej 19 gushti ditë kjo që përkon me rastin e fronësimit të sulltan Abdulhamitit të II. Nga ky dokument vërtetojmë se kulla ka qenë ndërtim relativisht i ri (me një orëmatës me tinguj), pra e fillim shekullit XX dhe jo njëlloj si kullat e Tiranës, Kavajës, Elbasanit etj., që janë ndërtime të viteve 1800 (por fakti që kulla po ndërtohet nga e para nuk e përjashton ekskluzivisht idenë se më përpara edhe mund të ketë pasur kullë tjetër, thjesht ky dokument tregon se hera e fundit që është bërë një kullë sahati në Durrës ka qene ky vit, pra 1907).
Po pse nuk u rindërtua përsëri në të njëjtin vend kulla e sahatit?
Për këtë gjë mund të ketë disa hipoteza, një prej të cilave dhe më bindësja është se mbas tërmetit të vitit 1926, ndërtimtaria e objekteve civile dhe shtetërore filloi me hov të madh. Krahas shtëpive dhe objekteve tregtare në Durrës filloi ndërtimi i objektit të bashkisë. Godina do pozicionohej në fillim të sheshit “Liria” ku sipas projektit ajo do ishte 3 kat+1 kat bodrum dhe mbi godinë në cepin e krahut të majtë do ndërtohej sahati i cili do kishte një mekanizëm të prodhuar në Gjermani nga kompania “Eduard Korfhage dhe bijë” dhe dy këmbana (2). Kjo mendoj se ishte një arsye domethënëse për të mos u rindërtuar më në pozicionin e mëparshëm, por të integrohej në godinën e bashkisë.
Referencat:
1) Arkivi Osman i Stambollit, përkthyer nga osmanologu Ermal Nurja.
2) Dritan Çoku, Kullat e sahatit në Shqipëri, fq. 209, Tiranë, Alsar 2021.
©Aleksandër Cangonja












