Vende & Zakone

Një fije shprese në stanin e Ndue Përgjonit - Nga Dom Gjergj Meta

Dom Gjergj Meta

Tashmë më ka ikur ajo ndjesi foshnjërake habie përballë diçkaje të re që shoh këtu ku jam prej pesë vitesh. Për mua gjithçka është normalitet, pasi jeta ime në Rrëshen ka marrë ngjyrimet e përditshmërisë dhe është shkrirë krejt natyrshëm me atë të banorëve të kësaj dioqeze. Kush jeton këtu, e di se mund të më gjejë shumë lehtë udhëve të Rrëshenit, duke blerë në dyqan, duke pirë një kafe apo një birrë me miqtë e mi, etj. Po ashtu, e di se mund të më ndeshë mua dhe Defender-in tim rrugës për në Kurbnesh, Kaçinar, Orosh a fshatra të tjerë. Duket se jeta këtu më ka bërë pjesë të vetën pa shumë ojna.  

Me datë 8 shtator e pati radhën rruga për Kunorë. Ky qe i dyti vit radhazi që shkoja atje ditën e Zojës së Vogël. Vendmbërritja ishte pak më lart se vendi i quajtur Kroi i Bardhë, ku gjendet edhe Livadhi i Priftit. Për të shkuar atje duke u nisur nga Rrësheni duhen nja tri orë të mira dhe rruga, sidomos aty ku dredhon për në Kumbull, pak pa shkuar në Krej Lurë, është tmerrësisht e keqe. Megjithatë, e ngisja makinën mjaftueshëm shpejt e mjaftueshëm ngadalë, duke biseduar me profesor Ndue Dedën dhe dy motrat e Perlatit (kështu i njohim midis nesh motrat Kolegjine të Familjes së Shenjtë), të sapokthyera nga Tanzania prej nga vijnë, të cilat kishin ardhur me mua për Meshën e Shenjtë që do të kremtonim atje.

Nuk e fsheh se ndiej një farë trishtimi çdo herë që kaloj andej, kur shoh Perlatin, Tharrin, Sheben, Lëkundën, Kthellën e Epërme, Kurbneshin e Mërkurthin, këta të fundit tanimë fshatra fantazmë, thuajse pa asnjë banor. Atje maksimumi mund të shquash ndonjë tufë dhensh e ndonjë bari që i ruan. Aq shumë kam folur në lidhje me këtë gjë, saqë kam filluar t’i mbaj inat edhe vetes e të grindem me të duke i thënë: “Hë pra, bëj diçka ose gjej një mënyrë tjetër të të thënit të gjërave, se na lodhe shpirtin!”. Por si të rrëfej ndryshe prej dhe për një zonë, e cila po rënkon prej plagës së thellë e të hapur të shpopullimit?!

Është një lloj hemorragjie a një lloj insulti celebral, që po e shterr krejtësisht një krahinë të tërë. Nuk e di ç’do të sjellë rruga e re që po bëhet për në Lurë, përveçse ndonjë biznes ndanë udhës së madhe, por nuk duket se do t’i ngjallë zërat e fëmijëve dhe t’i gëzojë trenët e shtëpive. Në atë zonë nuk ka më as martesa e lindje fëmijësh. Cila vajzë do të donte të martohej me një njeri që jeton në një fshat që nuk ka rrugë, nuk ka asnjë infrastrukturë? Mendimet ndeshen e përfyten me njëri-tjetrin, ndërkohë që makina tundet e shkundet prej gropave të mëdha.  

Pjesa më e vështirë e rrugës është ajo pas Mërkurthit. Ndërsa ngjitesh, poshtë në greminë, në të djathtë, gjenden gërmadhat e magazinave të rezervave të shtetit, pak përtej ndonjë kullë e braktisur dhe në fund fare, shtëpia e Mirash Palit, i vetmi i mbetur në atë fshat. Nuk është e mundur të ecësh me më shumë se 20 kilometra në orë, duke e mbajtur gjatë gjithë kohës të tendosur freksionin e makinës. E kupton se je në lartësi, sepse mbarojnë pemët e lisit dhe nisin ahet e pishat, të cilat ende e mbulojnë malin si një shtrojë. Sheh edhe përrenj uji që rrjedhin lirshëm duke sjellë freski bjeshke.

Motrat e Perlatit nuk kishin qenë në Kunorë asnjëherë më parë dhe nuk e kishin menduar se rruga ishte aq e keqe, ndonëse jetojnë këtu prej shumë vitesh dhe e njohin zonën me pëllëmbë. Ato më thanë se ajo rrugë ishte më e keqe, më e vështrirë dhe më e rrezikshme se çdo rrugë e keqe që ato kanë parë në gjithë këto vite. Pavarësisht këtij fakti, ishin të kënaqura që kishin ardhur me mua.

Pas rreth 2 orëve e 45 minutave, iu afruam stanit të Ndue Përgjonit nga Lëkunda. Familja e tij, më saktë tre nga djemtë e tij, së bashku me nuset e fëmijët e tyre, e kalojnë verën në atë stan, ku ruajnë disa qindra krerë dhen, iu shërbejnë, i ushqejnë nëpër kullotat që ofron Kunora dhe mandej iu marrin qumështin dhe kecat. Janë djem të qeshur dhe të fuqishëm. Fëmijët e tyre, sapo na panë, na përshëndetën dhe na dolën përpara. E dinë se ato janë ditët e tyre të fundit aty, sepse të hënën fillon shkolla dhe ata duhet të zbresin në Lëkundë për të nisur vitin e ri shkollor në Kurbnesh.

Na priti Ndoi me dy vëllezërit e tij, që kishin ardhur nga Lezha posaçërisht për atë ditë, sepse prej vitesh, ata nuk jetojnë më në fshatin e tyre, janë shpërngulur atje. Me t’u ulur, na sollën direkt gotat e rakisë, si dhe djathë dhie të prodhuar aty. Pasi iu falëm shoku-shoqit, nisi biseda e ngrohtë dhe plot humor. Folëm për tema të ndryshme, duke krijuar një atmosferë të këndshme. Dalëngadalë arritën edhe miq të tjerë.

U mblodhëm për të filluar meshën. Djemtë e Ndoit kishin vendosur një kryq druri të lartë në vendin ku e kishim kremtuar meshën vjet dhe e quanin atë, vend të shenjtë. Pikërisht aty, u përgatitëm përsëri për kremtim. Gjendeshim si midis qiellit e tokës dhe lutja lartësohej natyrshëm nga shpirti ynë. Meqenëse ishte dita e Lindjes së Zojës, në meshë lexuam breznitë e Jezu Krishtit, që nisin me Abrahamin, si për të thënë se vetëm nëpërmjet fesë (Ai është Ati në fe i të gjithë popujve, shembulli i besimtarit) mund të hyjmë në misterin e pashqyrtueshëm të Hyjit.

Ka një brezni gjaku, por ka edhe një brezni feje, ajo që rrjedh nga gojët e gjysheve dhe gjyshërve tanë, e cila iu transmetohet fëmijëve, ajo që të parët na kanë lënë dhe ne do t’ua lëmë të tjerëve pas nesh. Një fëmijë i vogël i familjes Përgjoni, që nuk e kishte fare idenë se çfarë po ndodhte, sillej aty rreth nesh dhe mua më dukej tamam si Zoja e Vogël, e cila kishte ardhur të na vizitonte.  

Siç qemë të mbledhur rreth tryezës së Hyjit, u ulëm në atë të njerëzve. Megjithëse, kudo ku njerëzit janë në paqe, rrinë mirë me njëri-tjetrin e kanë dashuri në zemrat e tyre, aty është edhe Hyji me ta. “Në tavolinë ishin të gjitha të mirat”, sikurse thonë njerëzit tanë, por mbi të gjitha ishte mikpritja dhe bujaria e Ndue Përgjonit dhe djemve e rejave të tij, të cilat kishin përgatitur gjithçka me shumë kujdes e dashuri. Shpejt erdhi koha që ne të thonim fjalët magjike: “T’u rritë ndera, o Ndue Përgjoni! T’dhashtë Zoti bereqet!” E ashtu bëmë.

Pasi u përshëndetëm me të gjithë, morëm udhën për t’u kthyer në Rrëshen. Në ajër ndihej prania e vjeshtës. Me siguri këto ditë do të zbresin nga Kunora edhe ata, në mënyrë që Gjoana e vogël të vazhdojë shkollën, fëmijët e tjerë çerdhen, ndërsa prindërit e tyre do të merren me bagëtinë përgjatë gjithë dimrit, në stanet e Lëkundës ku koha është paksa më e butë se në Kunorë. Ata djem të qeshur e të fuqishëm e duan këtë vend dhe nuk kanë ndërmend ta braktisin. Dhe kjo ishte një rreze e vogël shprese …

©Dom Gjergj Meta