Tropojanët - Nga Kastriot Fetahu

Kastriot Fetahu - Chicago
Kam lexuar në adoleshencën time një roman të Sulejman Krasniqit “Qielli i përflakur”. Aty u “takova” për herë të parë me tropojanët dhe heronjtë e Tropojës, Mic Sokoli, Ali Ibra, Binak Alia e të tjerë. Krismat në Dragobi, që vranë plakun e maleve, bacë Bajram Currin, oshëtinin në muret e shpellës kur studioja historinë e re të Shqipërisë.
Piktura e Sali Shijakut “Mic Sokoli”, i Tropojës së Eposit të Kreshnikëve apo Konferencës së Bujanit, më ngazëllente kur e shikoja…
“Sa hyra në këto male, të parin malësor që takova e pyeta: -Çka je? Shqiptar, m’u përgjigj ai. Kisha qenë dhe në vende të tjera dhe kisha pyetur e po kështu, më ishin përgjigjur se: “jam katolik, jam musliman, jam ortodoks”, shkruan Edit Durham, pasi vizitoi Tropojën në 1904.
Nuk e di pse tropojanët në mendimin tim empirik, tani që jetoj në USA, më ngjajnë me teksanët (Teksas), ndoshta nga konservatorizmi epik, ashpërsia kreshnike, ngjashmëria në tingull e të dy fjaleve dhe fillojnë të dyja me “T”.
Këto mendime më qarkullonin kur sapo ishim ulur për kafe me mikun tim profesor Admir Mulaj, një tropojan i shquar individualisht, erudit, atdhetar i madh dhe një derë po e tille nga Tropoja e vjetër, aty në ish “Çadrën” e Bllokut.
Fjalët e para ishin pyetjet e zakonshme derisa kapërcyem tek tema e turizmit, nisur nga telefonata e një turisteje suedeze, që iu bë në atë çast.
-Tropojanët janë trashëgimtare të dardanëve dhe Tropoja quhet edhe Malësia e Gjakovës, që si vendbanim i përket viteve 2000 -1700 të epokës së bronxit - e filloi fjalën e tij me këmbënguljen time, miku im.
-Gjatë vizitës në bjeshkë, hasa në përpjekjet e para të vendasve për të krijuar të ardhura edhe nga turizmi, duke hapur dyert e staneve të tyre për të mikpritur kalimtarët e huaj. Të flasim pak për këtë gjurmë kalimi. Sigurisht Valbona ka tërhequr gjithmonë turistë. Mbaj mend që miqtë e mi që punonin në aeroportin e Rinasit diku nga viti 2008. më thonin që përcillnin grupe nga 20 vetë në Valbonë, për të vizituar trevat e Tropojës. Më pas, DAV Summit Club, arriti që të krijonte një shteg kalimi prej 192 km të gjatë i cili përshkon tre shtete. Ky shteg i quajtur Peaks of Balkans nis në Theth, kalon në Valbone, Plavë, Dobërdol (Shqipëri), Kosovë, Mal i Zi dhe përfundon në Rugovë. Pikërisht në këtë kohë përkon edhe vizita ime në Dobërdol.
Nuk di pse m’u kujtua në atë çast, udhëtimi i kronikanit të shquar turk Evlia Çelebia, që pasi kaloi Qafë Prushin shkroi veprën “Udhëtime”, ku përmend edhe Tropojën në shekullin e XVII.
Profesori vazhdoi: -Duke qenë me prirje biznesi, pashë shumë potencial të papërdorur nga vendasit. Dikush kishte krijuar një guest-house (bujtinë) dhe po punonte mirë, të tjerët ishin në një gjendje dëshire, por pa aftësi për të bërë të njëjtën gjë. Pasi kuptova se si po interpretohej ky fenomen i ri, u dhashë kurajo disa të njohurve, të cilët në mendjen time kishin aftesinë për të krijuar këtë lloj biznesi. Vlen të theksohet se një vit para vizitës time, Sokol Avdia kishte shitur të gjithë tufën e vet të dhenve e të dhive, për të paguar një eskavator, me qëllim që të hapte rrugën e makines, i cili për mua duhet të vlerësohet me të gjitha medaljet civile të një shteti.
Gjatë kohës që dëgjoja profesor Adin, vetëtimthi para syve më doli një fotografi e asaj kohe, ku ishte Hoxha “gju më gju me popullin” në bjeshket e Tropojës. Në sfondin kryesor dy burra të vjetër malësorë, luftëtarë nga bajraku i Mulosmanëve (nuk e di nga e kisha këtë informacion) dhe kuptoja se diktatura e njihte e kujdesej për raportin me Tropojën, si një vend i njerëzve të lirë dhe historikisht luftëtarë nacionalistë.
-Çfarë u thashe, çfarë u premtova dhe çfarë bëra, - vazhdoi profesor Adi. -U thashë se janë në rrugën e duhur për të vazhduar të njëjtin biznes. Ata shihnin vështirësi, une shikoja potencialin që kishin. Turistët nuk kërkonin luks. Ata donin të përjetonin realitetin, të kishin ushqime bio, të njëjtët ushqime që vendasit konsumonin për vete. Ata nuk dinin anglisht. Nuk kishin lidhje me agjencitë, apo me strukturat që orientonin turistët. Atëherë, sapo u ktheva, pasi kisha marre disa filmime me celular të lëndinave (sepse guest-house nuk kishte) krijova një faqe web, një faqe facebook-u, një location në Google, një faqe biznesi në Google, një faqe në PayPal, një location në Bing si dhe dy numra telefoni për Whatsapp, të cilët vazhdimisht i paguaj. Të njëjtën gjë e krijova edhe për guest-hous-in tjetër. Praktikisht krijova Sokol Avdia Guest-house dhe Guest-house Bylbyl Vatnika. Më vonë kam parë që guida gjermane e Giz ka futur të gjitha informacionet e mia në guidat e veta.
M’u duk çudi se si miku im mendonte t’i jepej medalje Sokol Avdiajt (e merituar), sepse nga këto që degjoja, i takonte këtij më shumë për ndihmën në zhvillimin praktikisht të turizmit (pa shperblim) në atë zonë, pra virtytet e Mulajve janë të tilla…
-Gjatë këtyre gjashtë viteve, edhe pse s’kam shkuar atje, kam arritur çdo herë që të adresoj, të përgjigjem me facebook messenger apo Whatsapp dhe të orientoj turistët që kërkonin një vendstrehim në Dobërdol, - shton profesori. -Nuk harroj që vitin e parë takova dy agjenci turistësh dhe duke garantuar me personin tim dhe biznesin tim, arrita t’i bind që të kishin një marrëdhënie me këto dy guest-house. Praktikisht më ndodh që jam në takimet e mia, i zënë me rutinën time të ditës dhe sa herë më vjen një njoftim prej njerëzve që kërkojne të vizitojne Peaks of Balkans, une iu përgjigjem, i orientoj dhe iu uroj që të kalojnë sa më mirë. Sot pas gjashtë vitesh, kam parë qe Sokoli flet gjermanisht, Bylbyli dhe e motra flasin anglisht dhe arrijne të menaxhojnë vetë fluksin e kërkesave. Ja pra një punë gjashtë vjeçare me arritjet e saj sot…
Biseda vazhdoi rrjedhshëm edhe për tema të tjera…
Më erdhi në mendje “Çelesi i Tiranës” dhënë Goran Bregovic, apo nuk e di sa të tjerëve të huaj pa asnjë kontribut për Shqipërinë.
…Mendimi se USA ka vetëm shtatë qytetarë nderi të huaj, ku ky titull u është dhënë kur ishin gjallë vetëm Nënë Terezës dhe Winston Churchill, më përshkoi si rryma e kundërt e një lumi të fuqishëm.
Një personalitet i vërtetë shqiptar si Admir Mulaj (arsimuar në Universitetin e Pisa-s për Ekonomi), jo vetëm nuk dekorohet, por as nuk e di njeri se çfarë ka bërë në fushën e turizmit për atë vend të bekuar…
Në optikën time, tropojanët janë ndoshta atdhetarët më të mëdhenj të Shqipërisë.
Nuk jam çuditur kur në një udhëtim biznesi në Bosnje, miqtë e mi të çmuar, vëllezërit Vladimir e Admir Mulaj, kishin vendosur flamurin shqiptar në xhamin e pasem te makines.
U ndava me profesor Adin.
Kënga e tropojanit Gezim Nika, “Shqipëri oj nëna ime, ndonëse jam i mërguar” si lajtmotiv i asaj dite, e bën të lotojë emigrantin kur e dëgjon në dhe të huaj…
Do t’i vizitoj bjeshkët e Tropojes…një ditë.
Une i dua tropojanët, e dua Shqipërinë.
©Kastriot Fetahu












