Vende & Zakone

Sociologjia e kollitjes - Nga Dashnor Kokonozi

Biseda e tyre kishte nisur të më interesonte. Sikundër ata edhe unë e familja ime kishim një numër te madh pronash për të marrë dhe konvertuar...

Për vështirësitë e një pune të tillë po bisedonin. Pastaj e lanë befasisht atë temë dhe iu kthyen problemeve të shëndetit.   

- Ti shkove të kollitesh sot? - pyeti ai që më dukej si më i mësuar në kontaktet me administratën.

- Po, - iu përgjigj tjetri. - U kollita sapo hyra te dera...

- Te roja?

- Jo.

- Duhej... Një gjë të vogël, por duhej. Eshtë ai që nuk le të tjerët të futen, pa mbaruar ti punë. Po nëpër shkallë, u kollite?

- Te ajo zyra në katin e dytë majtas shkallëve, te Arqile Z.

- Aty nuk ishte nevoja, ai nuk ka gjë në dorë.

- Nuk e dija dhe po më vjen inat. Pas tij shkova të kollitem drejt e te kati i katërt.

- Po te i treti?

- Jo.

- Gabim

- Pse?

- Duhej të kishe kaluar te zyra e Ëngjëllushe N.  Të kolliteshe mirë aty dhe t’i kërkoje asaj të telefononte te kati i katërt. Ai nuk do të shohë njeri te zyra e tij, pa e njoftuar më parë.

- Ja që shkova të kolliten drejt e te ai.

 - U befasua?

- Nuk di ç’të them. Po aty u kollita sa më dolën mushkëritë. Në fund më tha të shkoj edhe një herë tjetër. 

- Kushedi si i do jetë dukur kolla tënde.

- Ai më pa mirë tek u zbraza i gjithi.

- Duket nuk mjafton. Kam frikë se duhet te shkosh e të kollitesh nga e para.

- Nga e para?

- Nga e para fare. Që nga kabina e rojës, nëpër shkallë dhe deri lart fare.

Nisa të dyshoj se kishte dalë ndonjë sëmundje e keqe. Nga ato për të cilat prodhohet vetëm një sasi e vogël ilaçesh, që nuk ia japin askujt po nuk e panë duke i dalë mushkëritë jashtë.

U shqetësova shumë.

- Po unë ku të shkoj e të kollitem? - pyeta. - Mbrëmë nuk jam ndjerë mirë.

Më vështruan si të ishin kujtuar vetëm atë çast për praninë time dhe çanë e ikën duke më kujtuar të paguaja kafetë, se atë ditë nuk u kishte mbetur asgjë nëpër xhepa.

©Dashnor Kokonozi