Vende & Zakone

Shpella e Gadimës - Nga Mehmet Elezi

 Mehmet Elezi

1.

Në udhëtimin tim të parë në Kosovën e lirë mendova edhe për një vizitë në Shpellën e Gadimës. Ndonëse në mënyrë të mjegullt, për të kisha lexuar diçka para 1990-ës, në revistën e rinisë “Shkenca dhe Jeta”. Mbresat e përftuara kishin hyrë në valë me mbresat që më kishte lënë libri i speleologut të famshëm Norber Kasteré (Norbert Casteret) “Jeta ime e nëndheshme”, dhe me vetë fëmininë time pafundësisht të pasur në malet e gjelbra veriore me livadhe e ujvara, me shkëmbinj e shpella bore, me liqene plot ujëra e gojëdhana gurgulluese.

Ajo nuk është thjesht shpellë.

2.

Një shmangie e lehtë e udhës gjatë kthimit prej Kaçanikut, 10-15 kilometra larg Prishtinës. Përballë është një prej vendeve më pak piktoreske të Kosovës. Një kodër bajate, si e rjepur, me ndonjë ferrë, hithë apo kaçë, të kujton një kalë të ligur që e ka vrarë samari. Edhe sa duhet me shkue te Shpella?

Edhe disa minuta: sa të vijë ciceronia. Vajza e paska shtëpinë diku afër.  Nuk është cicerone profesioniste. Kosova e sapodalë prej shtypjes së gjatë e luftës s’e ka infrastrukturën e nevojshme turistike. Vetë Shpella është lehonë, në “regjim shtrati”. Ia ka dëftuar botës pjellën gjeniale, por ende është me plagë në të katër anët. Nga 17 kilometra që është njëjtësuar gjatësia e saj prej studiuesve, vetëm pak më shumë se një kilometër është përpunuar për t’u bërë e vizitueshme. Nëse xhevahiret vazhdojnë me u zbulue me të njëjtën dendësi siç janë zbuluar deri tashti, kushedi me ç’magji do të përballemi më tutje.

Kjo mund të thuhet vetëm për katin e parë. Por Shpella është dykatëshe.  Në katin e dytë është gërryer shumë pak, vetëm një gërrithje për specialistët, jo për vizitorin e përditshëm. Një grup kërkuesish të pajisur jo mirë desh e paguan me krye thirrjen e papërballueshme me përbirue nëpër katin e panjohur. Humbën të gjitha lidhjet me botën e gjallë dhe vetëm vonë, rastësisht, kur po u shterreshin energjitë, deshi Zoti e u ra këmba në një anë, ku dëgjuan zhurma jete prej katit të parë.

Në hyrje shkruhet se dimër-verë temperatura në shpellë është njësoj: 14-16 shkallë Celcius. Ciceronia thotë, jo pa krenari, se po vizitojmë shpellën më interesante të botës. Është zbuluar edhe një shpellë e ngjashme në Slloveni, thotë. Por bukuritë e saj zhvleftësohen përballë kësaj tonës. Gadima është e tëra... këqyreni vetë: mermer i gjallë. Ajo e Sllovenisë është thjesht gur.

3.

Nuk thonë kot rasti është mbreti i botës. Rreth tridhjetë vjet më parë, në mos gabohem më 1974, një banor thyen gurë në këtë kodër shterpë, kurrizrjepur. Gurët mezi gjinden, i duhen me ndërtue shtëpinë e re.

Papritur i rrëshqet qysqia prej dore. Përkulet me e marrë, por aty ka mbetur vetëm një tringëllimë e habitshme, që përhumb e venitet si fjalë lamtumire. Qysqia ka fishkëlluar pjetposhtë, është ndalur s’di se ku. Vegla mund të gjindet diku tjetër, po ku shkoi xhanëm, ç’është ky hon i humnertë, ky bunar pa pikë uji, a mund të nxirren më gurë këtu?

Humbja e qysqisë mund të merret edhe si një paralajmërim i sjellshëm, fatbardhë: kjo gropë mund të hajë edhe gjind të gjallë, kujdes.

Burri e le punën pa e ditur se ajo minutë e mërzitshme, kur vegla i la shëndetin duke u shndërruar në një tingull të pakapshëm, në një tundje shamie që largohet pjetposhtë në thellësi të dheut, paskesh qenë e bekuar prej Fatit. E paracaktuar me nxjerrë prej ngujimit të Bukurën e Dheut, që prehej aty, robinë prej miliona vjetësh. 

Shpella e Gadimës, thonë specialistët, është 80 milionë vjet e vjetër. Eshtë llogaritur në bazë ta analizave të stalaktiteve. Një stalaktit zgjatet një milimetër në tridhjetë mijë vjet. Kjo “ngadalësi” i trishton së tepërmi të dashuruarit që e vizitojnë. Ç’merak kanë? Një prej ndarjeve të Shpellës quhet Oda e Romeos me Zhuljetën. Janë aty një stalaktit e një stalakmit prej mermeri vetues, përkatësisht Romeo e Zhuljeta, që shkojnë drejt njëri-tjetrit të ndezur, plot përvëlim e djegë. Buzët e tyre janë vetëm dhjetë milimetra larg puthjes së ëndërruar deri në legjendë. Megjithatë… do të duhet me pritë edhe një milion e gjysëm vjet për këtë puthje!

Burri le punën pa i shkuar ndër mend se ajo minutë e mërzitshme, kur një vegël pune i rrëshqiti duarsh dhe u lëshua drejt së panjohurës me një mendjelehtësi adoleshente, do të ishte vendimtare me e përjetësue edhe atë vetë. Tashti një prej holleve kryesore të Shpellës së Gadimës thirret me emrin e tij.

4.

Shpella e Gadimës është një lloj “Luvri”. Por nëse në Luvër njihen autorët gjenialë, janë artistë me CV e me të dhëna të tjera, që kanë djersitur e kanë psherëtirë, gjeniu i këtyre galerive është i paparë me sy por i gjithkundodhshëm. Ato i ka gdhendur drejtpërdrejt dora e Zotit.

Galeritë e saj kanë emra të veçantë. Por jo sipas shkollave të artit, jo sipas epokave a gjinive.  Ja për shembull Galeria e Lotëve. Mijëra stalaktite të xhevahirta pikojnë e pikojnë me vezullimë. Lotë të ngrirë të kujt?

Më tej Syri i Kosovares. Në faqen e mermertë është një sy i madh, i përkryer, me qerpikë të njëmendtë prej stalaktitesh të vogla. Diku afër tij është Nusja Mbi Kalë. Po shkon drejt dasmës. E dëgjoni tupanin dhe pushkët si bijen? “Në Dardani bje nji tupan/ Krushqit vijnë me kapuçë të bardhë…”. Kur Hamit Aliaj shkroi tekstin e kësaj kënge që gati do të shndërrohej në hymn, ai s’e kish parë Shpellën e Gadimës. Por Shpirti Shqiptar, në të gjitha trajtat që shfaqet dhe kudo që ndodhet, merr e jep me pjesët e veta simbas parimit të enëve komunikuese.

Kënga thotë se krushku i parë është Skënderbeu. Ja ku qenka edhe këtu. Një stalaktit i shpalosur e i krehur, që vjen duke u holluar në majë, është Mjekra e Skënderbeut. Por jo vetëm mjekra. Pak më tutje është vetë Përkrenarja e Skënderbeut, me brirët e dhisë. Cili skulptor do ta kishte bërë me kaq art? Përkrenarja nuk është e ngrirë, ajo valëzon, mjekra nuk është e ngurtë, ajo fërfërin. Gjithçka është në lëvizje. Këto skulptura të Dorës së Shenjtë nuk e kanë vulën e asnjë kohe. Ato janë sa klasike aq edhe moderne. Ato janë të gjithkohshme.

5.

 Ç’është kjo gurgullimë?

Në njërën prej galerive të këtij arti hyjnor është një liqenth pak si i mënjanuar, sa një sofër vend. Valëzon butë. Hidhni nga një monedhë e thoni një dëshirë, thotë ciceronia. Rit i njohur në shumë vende turistike, si te Fontana di Trevi në Romë, për shembull. Në fund të pusit s’ka zaje të bardha, megjithëse kthjelltësia m’i kujton pusat e Valbonës me gurzit që dridhen e regëtijnë. Janë paret metalike që luhaten si zaje të bardha. Vetë fundi është shkëmbor, më saktë, i mermertë.

Kështu luhaten në krahët e ëndërrës edhe dëshirat njerëzore. Derisa vjen një ditë e shuhet drita dhe ato nuk duken më.

 Nuk është më interesanti ky liqenth. Pak më tej është një tjetër, vetëm sa e qet syrin në strehë të shkëmbit anësor të Shpellës. Aty kanë hyrë speleologët - qysh kanë përbiruar nëpër atë plasë tërthore të shkëmbit të mermertë, ku duket sikur veç ujit të holluar në trajtë pete nuk mund të kalojë gjë tjetër? - pra atje kanë hyrë speleologët. Dhe kanë gjetur një liqen me sipërfaqe afërsisht sa një fushë sporti. Më tej s’kanë shkuar. Po thellësia? Po burimet ujore që e mbushin, kah i vijnë?

Meqë jemi te ujrat: ja një bunar tipik. Edhe ky ngjat murit, sikur është bërë qëllimisht këtu, i skajuar, mos me i pengue vizitorët. Ciceronia thotë se është njëzet e pesë metra i thellë. Dhe gurgullon pa u ndier. Kanë vënë disa pompa elektrike për ditë të tëra duke ia thithur ujin, por më kot. Niveli i tij nuk është ulur as edhe një gisht. Nuk ulet as nuk ngrihet, kushedi me ç’burime të fshehta merr e jep jetë. E ushqejnë aq sa i duhet, asnjë pikë më shumë, asnjë pikë më pak.

Dhe ç’ujë i shijshëm me e pi!

6.

Misteret e Shpellës së Gadimës i ngjajnë vetë Botës. Edhe përtejbotës në daç.

Ciceronia drejton llampën e dorës kah një strehëz e mënjanuar, krejt e papërfillshme. Një qull i verdhë në të gjelbëremtë rri paluar aty, mbledhur kotullaç si gjarpër i stërmadh. Vlon e gëlltit vetveten. Nxjerr herë pas here ndonjë flluskë si rrushi në fuçi, kur nis me u tharmëtue.

Një përbindësh i përgjumur, pa trajtë, i llahtarshëm.

Eshtë pus pafund balte të njëllojtë, një baltë që pak me iu afrue të thith brenda ngadalë, gjakftohtësisht, pa mëshirë. Tërë teknika e teknologjia e botës nuk të shpëtojnë, në të raftë këmba në dhëmbët e butë të këtij përbindëshi të panjohur. Vetëm vështrimi mbi të të mbush me drithërimë. Mos vallë pikërisht ay fillon skëterra?

Më kujtohet një skicë e shkurtë e Viktor Hygoit për një të mjerë që e përpin kështu rëra. Ia mbush gojën, në sekondën e fundit ia gëlltit sytë dhe për një hop, vetëm për një imtë, era ia lëkund flokët e çuara përpjetë përpara se të zhduken për mos me u pa kurrë më. I fundit që humb në atë vdekje mizore, si direku i një anije që e përpijnë vorbullat e detit, është krahu i tij i ngritur më kot, drejt një shprese të fundit, të pakapshme në hapësirën e zbrazët.

Njerëz, afrojuni puseve të kthjellta, larg prej baltës e botës së turbullt, që nuk di çka fsheh!

7.

Humori dhe drama bashkëjetojnë këtu. Komedia dhe tragjedia.

Ciceronia pyet nëse ndërmjet vizitorëve ka ndonjë grua vjehërr.

- Sepse, në pastë ndonjë vjehërr, kujdes me gjuhën.

Një stalaktit shpatuk, në trajtë llape të zgjatur, varet prej tavani drejt dyshemesë. Varet… majëprerë. Jemi te Gjuha e Vjehrrës, thotë vajza. Nusja ia ka kallëzuar qejfin. Ia ka këputur me gërshërë të mëdha! Dikush e ngacmon duke e pyetur edhe për “gjuhën e resë” dhe ajo thotë gjithë humor se s’ka kund prej atyre burrave që ua presin gjuhën nuseve. Vetë ajo është nuse si drita.

Si për ironi të lojës me prerjet, kemi mbërri te Dy Gishtat e Prerë. Eshtë një stalakmit i madh, jo stalaktit, i mbirë prej dheut. Asnjë trajtë të veçantë s’ka tashti, është thjesht një trung mermeri, i prerë në mënyrë të rrafshët. Ç’thotë ky?

Thotë shumë. Deri para do vjetësh ky stalakmit kishte trajtën e pastër të dy gishtave të ngritur me shenjën e Fitores V., i denjë për t’u vënë në sheshin më të madh të Prishtinës, të Tiranës a të cilitdo kryeqytet perëndimor. Por serbët e prenë me sharrë. As në nëntokën shqiptare të Kosovës nuk duhej me i pasë të ngritur gishtat e fitores! Ata gishta në trajtë V-je, gishtat e Fitores, u mijëfishuan nëpër të gjithë Kosovën. U bënë dy milionë. Dhe dy milionë a mund të gjindej sharrë me i pre?

8.

Kompleksi madhështor i Gadimës mund të tronditë e të mahnitë jo vetëm shpirtërat njerëzorë. Ai ve në pikëpyetje edhe mendjet më të ndritura të njerëzore. Më shumë se në çdo ndarje tjetër, kjo dëshmohet në odën më misterioze të zbuluar deri tashti në Gadimë. Tavani i saj është i mbushur me qindra e mija stalaktite të imta, vezulluese. Si në një pikturë impresioniste, ngjyrat e tyre ndryshojnë në vartësi të dritës, që nga e brymta e deri tek ndryshesat (nuancat) e kuqe e vjollcë.  Tavani të shplon pamjen e përmbysur të një livadhi të lulëzuar, ku midis luleve e fijeve të pafundme të barit fërgëllues fëshfërin era. 

Këto mijëra stalaktite nuk varen poshtë, siç ndodh me të gjitha stalaktitet kudo në botë. Ato janë nisur për të pikuar, por kanë ndërruar mendje gjatë rrugës dhe kanë marrë drejtime të ndryshme. Janë grepuar e kanë krijuar kënde, janë kthyer përpjetë si gozhdët që shtrembërohen, janë përdredhur si leshra kaçurrele të lagura në det. Si ka qenë e mundur që këto stalaktite janë kthyer përpjetë?

Një forcë misterioze ka sfiduar ligjin e rëndesës. Pikat e ujit s’kanë rënë poshtë, ato janë kalakryquar e kapërthurur në drejtime të ndryshme, si telat me gjemba. Studiuesit kanë hedhur ide të ndryshme. Një ide: ndoshta kanë fryrë erëra të nëndheshme, ose, më thjesht, janë rrymat e ajrit?

Intriguese pyetja. Por mbrapa saj zgjohen pyetje më të vështira. Do të duhej që këto erëra të kishin qene tepër të fuqishme dhe të kishin fryrë miliona vjet rresht, që të arrinin me ndryshue drejtimin e pikave të ujit, si me thanë, me e kthye ujin përpjetë, duke i lënë kohën e mjaftueshme me krijue një stalaktit. Vetëm për një milimetër stalaktit duhen tridhjetë mijë vjet, por për dhjetëra ose qindra milimetra, aq sa është gjatësia e këtyre?

Pikëpyetja më e madhe është diku tjetër: në pastë fryrë kjo frymë pambarimisht, përse stalaktitet nuk u shtrembëruan në të njëjtin drejtim kah frynte era, por, duke qenë përfund të njëjtës qiellzanë (tavan), ato janë kryqëzuar në të gjitha drejtimet, majtas e djathtas, nga Lindja e nga Perëndimi, nga Veriu e nga Jugu, thua dikush i ka shtrembëruar një për një me durim, me çekiç në dorë?

Pastaj: në paçin fryrë kaq shumë erëra nëntokësore, përse stalaktitet u përzien e u bënë rrëmujë prej tyre vetëm në këtë dhomëz, dhe kurrkund tjetër?

Pikëpyetja mbetet edhe kur hamendësohet tjetër gjë: mos, për miliona vjet, ka vepruar ndonjë fushë e veçantë magnetike?

Të njëjtët argumenta që rrëzojnë mundësinë e erërave të nëndheshme, e venë në dyshim edhe këtë mundësi. Në pastë qenë aq e fuqishme dhe për një kohë aq të gjatë (miliona vjet), fusha manjetike duhej të kish prekur edhe odat fqinje, dy ose njëzet metra më tej. Por vetëm një hap më larg stalaktitet e tjera lëshohen paqësisht poshtë, të patrazuara, thua janë mijëra kilometra larg prej këtu. 

Kurrkush deri më sot nuk jep një përgjigje të besueshme. Vetëm një gjë është e kapshme, preket me dorë e shihet me sy: në Shpellën e Gadimës është sfiduar ligji gjithësor i rëndesës, i zbuluar prej Njutonit. Stalaktitet janë kthyer grremç drejt qiellit.

© Mehmet Elezi - Tetor 2001

(Me shkurtime nga libri Kush i nemi “Bjeshkët e Nemuna”?)