Vende & Zakone

O Zot na e bje m(b)arë! - Nga Dom Gjergj Meta

Nuk e di nëse kjo shprehje përdoret në zona të tjera të Shqipërisë, por qysh fëmijë këtë shprehje e kam dëgjuar nga goja e gjyshërve të mi çdo mbrëmje para se të flinim. Ishte fjalia që mbyllte ditën e jetës aktive e i linte vendin jetë së gjumit të natës. Një lloj fjalie trafikndarëse midis ditës dhe natës.

Më vonë fillova të kuptoj se kjo fjali, e thënë në atë moment të 24 orëshit, kishte të bënte me çastin e mbramë të vdekjes. Ishte një lutje që gjyshërit e mi bënin për vdekjen, për një vdekje të mbarë. Ata ishin të bindur se jeta dhe vdekja "vijnë", "bijnë" (në kuptimin që ndodhin, janë një event) e nuk jemi ne autorët e tyre.

Në fakt mbrëmja dhe nata janë simboli i vdekjes, i ndalimit të jetës ashtu si e perceptojmë ne. I asaj jete që lëviz dhe ndjehet e gjallë sipas parametrave racionalë ku gjithçka kalon në paradë para vetëdijes. Nata i lë vendin pavetëdijes. Dhe ëndërrat janë jeta jonë paralele. 

Fjalën "mar" apo "mbarë" ne e përdorim në shumë raste: "t'u priftë e mbara", "kah e mbara e Zotit". Madje e kemi abstraguar në fjalën "mbarësi". Në raste të tjera thuhet: "Ma bje o Zot mbarë" apo "Ishalla ta bjen Zoti mbarë" etj.

Në kuptimin e fillestar që mbart titulli i këtij shkrimi fjala "mar" apo "mbarë" na kujton fjalë të tjera që mbartin tre bashkëtingëlloret "mbr" si shembull bëj: "mbrëmje", çasti i ndarjes së ditës me natën; "mbramë", për të thënë "çasti i fundit"; "mbarim" çasti limit, i fundit i një veprimtarie apo segmenti kohor. Interesant se "mbarimi" si "limit" na çon edhe drejt fjalës "limes" që do të thotë kufi. Në latinishten kishtare "limina" apo "ad limina" ka të bëjë me varret e apostujve, stacioni i fundit i jetës së apostujve, varret e tyre.

Në të gjitha kuptimet, fjala e thënë nga gjyshërit e mi të pashkollë, çon drejt reflektimesh ekzistenciale shumë të ndjeshme. Nuk do ta kuptoja këtë fjalë në fëmijërinë apo adoleshencën time, madje as në rininë time intelektuale dhe universitare, por vetëm tani kur në horizont shoh se ka lëvizur dielli i mesditës.

Të krishterët, deri vonë dhe ende ka raste, thonin "lutjen për një vdekje të mbarë". Kur shikon raste kalimesh nga jeta drejt vdekjes, me vuajtje, dhimbje, ekzistenciale dhe trupore, kupton se "lutja e vdekjes së mbarë" nuk është pesimizëm apo fatalizëm ndaj vdekjes, por një lloj pranimi i saj me dëshirën e thellë që ajo të jetë sa më njerëzore.

Ashtu sikurse jetën, as vdekjen nuk mund t'ia japim as vetes as të tjerëve. Ajo çka mund të bëjmë është lutja: "Zot na e bje m(b)arë!"

Zoti na dhashtë të m(b)arën...!

© Dom Gjergj Meta