Sot Shën Kolli dhe… përvjetori i “Bukuroshes së vjetit” - Nga Mehmet Elezi
1.
Na befason një prift etnograf (Atë Kolë P. Berishaj, Malësia e Madhe, etnografi, Gjergj Fishta, 2002). Në librin e tij tërheq vëmendjen një krye me titull “Bukuroshja e Vjetit”. Autori thotë se kulmi i festës së Shën-Kollit ka qenë më 6 dhjetor “kur asht çue mesha e, fill mbas saj, në oborrin e kishës… asht zgjedhë bukuroshja e vjetit - nusja ma daji mes nuseve që janë marrë atij moti”.
Në vijim shton se nuset konkurruese “janë veshë me xhubletën ma të shtrenjtë e të stolisun që kanë sjellë kur janë martue”. Me disa fjali të shkurta përshkruan veshjet, zbukurimet që vinin, thekunitë (emocionet).
Në libër botohet edhe një fotografi bardhë e zi prej kësaj ceremonie, në një prej katundeve shqiptare të Hotit, matanë kufirit shtetëror. Atë Kolë Berishaj e ka shkrepur aparatin dhjetëra vjet më parë, duke e regjistruar shfaqjen në celulozë.
Në Kontinentin e Vjetër konkursi i bukurosheve, i cili më pas do të quhej Miss sipas gjedhes amerikane, është bërë vonë pjesë e projekteve artistike kombëtare. Në një vend të kulturës e të artit si Italia, për herë të parë është organizuar më 1939. Ka qenë quajtur Miss Sorriso (Miss Buzëqeshja). Dhe ja, në të njëjtën kohë me Italinë organizohej edhe në Shqipëri! Jo në skena vezulluese, por në një shesh rrethuar me kulla të përhimëta guri, me pisha dhjetori me borë, me male të mrrolta shungulluese. Pa bërryla çmimesh të përkthyera në përfitime gjithfarësoj.
2.
Katër veçori bien në sy te konkursi që përzgjidhte bukuroshen e vitit.
- zhvillohej në trevat katolike më të thella;
- zhvillohej në oborr të kishës;
- zhvillohej si përmbyllje e festimeve të Shën-Kollit;
- konkuronin vetëm nuset, vajzat jo.
Dy të parat thonë se kjo veprimtari duhet të jetë traditë e hershme, e trashëguar. U ruajt në ato treva ku u ruajtën disa prej vlerave të moçme përfaqësuese, feja katolike dhe thesare të kulturës popullore: Kanuni, këngë nga Eposi i Kreshnikëve, rite pagane të varrimit me gjamën korale, pasuri gjuhësore të paprekura, veshje si xhubleta dhe kënga majëkrahut, të dokumentuara te Ilirët.
Shën-Kolli bie në kulm të dimrit (6 dhjetor), një dimër malesh që kaptojnë dy mijë metrat. Pse pikërisht për Shën-Koll? Pse nuk u zgjodh Shën-Gjergji, për shembull, me 6 maj?
Shën-Kolli njihet si shenjtor i fëmijëve, mbrojtës i tyre. Një organizim që zgjedh oborrin e kishës me naltësue hijeshinë e nuseve, si përmbyllje e festës së shenjtit të fëmijëve, merr më shumë kuptim. Rikujton se kjo bukuri femërore, që e pasuron aq shumë jetën, është në shërbim të përtëritjes së jetës.
Kah ky përfundim çon edhe një tjetër hollësi. Atë Berisha thotë se te Bukuroshja e Vjetit ishte garë nusesh, jo vajzash. Thotë “nusja e akëcilit”, jo vajza e akëcilit. Nuset që sapo kishin ardhur do të mbushnin atë oborr me fëmijë. Vajzat do të bënin të njëjtën gjë pak më vonë, por në oborre të tjera.
(nga libri “Kush i nemi ‘Bjeshkët e Nemuna’?”)











