Fëmijët

8-Kreu i kozmodromit nëntokësor të planetit Mars

  • Published in Fëmijët

Kapitulli 8 –Romani për fëmijë “Presidenti i Planetit të Kuq”- nga Bedri Dedja

Çdo mëngjes në planetin Mars ishte më i çuditshëm se i mëparshmi. Çdo ditë ndodhte ndonjë gjë e re dhe çudia nuk i ngjante çudisë.

Profesor Kriosi u zgjua i pari. Pas tij u zgjuan edhe kalamajtë e tjerë të tokës. Çuditërisht, pasi u zgjuan, asnjërit nuk i shkoi mendja për të ngrënë. Dukeshin të gjithë të ngopur. Kush i kishte ushqyer aq mirë?

Në hotelin e kryeqytetit Marsmrekullia, çdo shtrat ka një aparaturë, e cila, pa e kuptuar ti fare, me valë elektromagnetike të zbulon dëshirat për të ngrënë. Pastaj të ushqen me një tabletë. Tabletat janë të ndryshme dhe përmbajnë supë me zarzavate, kotoletë me mish viçi, patate të skuqura, ëmbëlsirë ose bukë, gjalpë, djathë, sallam, qumësht. Ka edhe tableta frutash, si mollë, banane, rrush ose dardhë, ftua a luleshtrydhe.

Kështu ishin ushqyer, pa hapur sytë nga gjumi, edhe profesor Kriosi edhe kalamajtë e tjerë të tokës.

Pasi u bënë të gjithë gati, me një maksitaksi, që i kishte xhamat të mjegullt e përmes të cilëve nuk shihej asgjë, ata u nisën diku. Po se ku asnjëri nuk e dinte. Mbi kokën e shoferit të maksitaksisë, udhëtarët lexonin mbishkrimin me shkronja të kuqe: “SEKRET!”

Si ecën edhe ca, në tabelën ballore të maksitaksisë u duk një mbishkrim tjetër: “Kozmodromi 1, Mars!”.

***

Kush mund të hynte në kozmodromin nëntokësor të Planetit të Kuq?

Shkencëtarët, kozmonautët, inxhinierët dhe shkrimtarët. Gazetarët dhe kalamajtë që ishin anëtarë të rretheve shkencore për studime në Jupiter e Saturn si dhe deputetët e Asamblesë së Madhe të Planetit.

Kur hyje në tunelin që të çonte në kozmodrom, të dukej vetja sikur hyje në një labirint. Porta i ngjante derës së një ashensori. Sapo hyje brenda në dhomëzën e ashensorit, shuhej drita. Të dukej sikur kishe humbur në një humnerë. Por kjo nuk zgjaste shumë, pasi më tej niste një muzikë e lehtë. Në sfondin e kësaj muzike dëgjohej një zë i qetë elektronik, i cili të thoshte: “Ti, more njeri, burrë a grua je? Ti qofsh edhe kalama! A e ke trurin të pastër, pa mendime të errëta? A e ke zemrën të pastër, pa ndjenja të këqija? Ti më thua “Po”, por unë në emër të shtetit marsian, në emër të ndershmërisë dhe të besës së marsianëve do të të kontrolloj. Do të të kontrolloj sepse në hapësirën rreth planetit tonë, vijnë vërdallë shumë agjentë të mafies kozmike. Ata duan të hyjnë këtu, të veshur si priftërinj e si murgesha, si lypsarë e si barinj, si bamirës e si qyqarë. Që t’i vënë minat planetit tonë…Që të na mbyllin rrugën për në Jupiter, Saturn e mëtej…Që pastaj të përgatitin sulmin për të pushtuar Marsin, Tokën, Venusin dhe Mërkurin.  Mafia do që të gjithë sistemin diellor ta ketë pronën e vet, me qëllim që pastaj të pushtojë edhe gjithë galaktikën tonë. Mafiozët janë qenie çnjerëzore. Janë përbindësha që nuk ngopen së ushqyeri me bukë e djathë. Ata duan gjak njerëzish, duan të hanë flori e para…Mos u mërzitni, kalamaj. Kjo këtu është dhoma e kontrollit të presidentit. Me ndihmën e rrezeve radio-elektrike të lëshuara pa rrezik në trupin tuaj ne do të marrim vesh nëse keni ndonjë mendim të errët në tru, ndonjë ndjenjë të keqe në zemër për planetin tonë. A na doni apo na urreni…?

Njerëzve të pastër në këtë dhomëz, zëri u thoshte: “KALO!”, kurse atyre që ishin të dyshimtë, u thoshte: “NDAL!”

Kalamajtë tanë dolën të gjithë të pastër dhe kaluan. Vetëm profesor Kriosit iu tha “NDAL”. Pse? Sepse atij në kokë i kishte lindur një mendim ziliqar: “Pse marsianët të kenë ecur kaq shumë përpara, kurse ne të Tokës kemi mbetur aq prapa? Me luftëra në Afganistan e Irak, në Haiti e Kolumbi, me Bin Laden e me Sadam Husein?”

Ky mendim ziliqar iu transmetua menjëherë presidentit, që dha urdhër që Kriosi të kalonte për në kozmodrom. Mendimi i tij ziliqar nuk ishte armiqësor, por një ndjenjë dashurie për planetitn e vet. Një kritikë e sinqertë për banorët e Tokës.

Pasi kaluan dhomën e kontrollit, kalamajtë u futën në trenin ekspres që të çonte drejt e në kozmodromin nëntokësor të Marsit. Treni përshkonte një tunel të ndriçuar me dritat blu të kozmosit, të thithura përmes pompave dritëtërheqëse…

Sheshi ku zbritën kalamajtë e Tokës, ishte i mbushur me vitrina të ndriçuara, që ishin të ekspozitës së fluturimeve kozmike ndërplanetare. Aty tregoheshin të gjitha bëmat, duke nisur që nga sulmi i parë drejt kozmosit nga rusi i madh Gagarin.

Pasi vizituan ekspozitën ra zilja e fillimit të mësimeve në sallën e ligjëratave të kozmodromit. Kalamajtë u futën dhe zunë vend. Në foltore doli presidenti i Planetit të Kuq, i cili do t’u mbante një ligjëratë.

Kur presidenti nisi ligjëratën, ra qetësi e plotë. (vijon...)

 

©FlasShqip.ca