Fëmijët

Ç’tha presidenti në ligjëratën e tij?

  • Published in Fëmijët

Kapitulli 9

Romani për fëmijë “Presidenti i Planetit të kuq”

nga Bedri Dedja

 

-O kalamaj-shkencëtarë! Sot ne do të vizitojmë uzinën e anijeve kozmike të planetit Mars. Aty po ndërtohet anija e dytë kozmike, që do të niset në Jupiter. Ajo do të ketë 80 kozmonautë të përgatitur mirë. Jo vetëm si të tillë, por edhe si shkencëtarë, ushtarë, policë e dedektivë. Për t’u përleshur me shëmtarakët mjekërgjatë të mafies kozmike, nëse do të jetë nevoja. Unë mbrëmë, parmbrëmë dhe mbiparmbrëmë kam ndenjur me orë para intersatit. Kam lexuar mbi shpikjet, informacionet shkencore dhe artikujt e revistave që flisnin për zbulimet e reja në kozmos. Në ekranin e intersatit tim më dolën shumë shkencëtarë të Tokës. Ata më treguan përralla shkencore shumë interesante, të cilat ne duhet t’i ngulitim mirë në mendje. Shkecatari i parë, i cili nuk e tregoi emrin, kishte pseudonimin “Hundëmprehti”. Ai e tregoi shkurt përrallën e vet shkencore.

“Na ishte një mafie kozmike. Ajo kishte ardhur nga galaktika fqinje dhe ishte bashkuar me ca piratë tokësorë, që fshiheshin skutave të sistemit diellor…Çfarë kërkonin ata? Në fillim donin të sulmonin Jupiterin, që s’ka qenie të gjalla. Duket ia kishte frikën Tokës dhe Marsit të populluar me njerëz të mençur…Këto të dhëna i ka zbuluar dedektivi im me pseudonimin “Stërhundëmprehti”. Mafia e galaktikës fqinje, duke thithur valët elektromagnetike që shpërndante Akademia e Shkencave të Globit në formë sekrete, kishte zbuluar përmes spiunëve të saj elektronikë se Jupiteri paska rezerva të jashtëzakonshme. Rezerva të hekurit dhe të silikateve, sidomos rezerva të smeraldit, kuarcit dhe xhamit të silicit, që përdoren veçanërisht për instrumentet e optikës dhe të orëve. Orët që prodhoheshin në galaktikën fqinje, për mungesë kuarci prisheshin brenda ditës. Përveç kësaj, një shkencëtaruc i galaktikës fqinje kishte deklaruar se Jupiteri kishte edhe lëndë radio-aktive për prodhimin e armëve të shkatërrimit në masë. Për këtë arsye mafia kozmike kishte lëshuar parrullën: ”Jupiteri është yni. Jupiterin do ta pushtojmë ne!”. Ndaj neve na duhet ta mbrojmë Jupiterin nga pushtuesit, -vijoi presidenti i Planetit të Kuq. Ndërsa shkencëtari i dytë që doli në ekranin e intersatit tha: “Kam dyzet vjet që punoj për zbulimin e atmosferës së Jupiterit. Një këshillë kam për zbuluesit e këtij planeti: Kini kujdes kur t’i afroheni Jupiterit! Atmosfera e tij lëshon energji të mëdha nga hekuri i bërthamës. Bërthama e planetit është 30.000 gradë celcius e nxehtë. Jupiteri ka edhe fusha magnetike që të thithin, e po të futën në gji, të kthejnë në hi të skuqur. Pra, mos u afroni pa mend në kokë më shumë se 3000 kilomentra.”

Pra, hapni sytë, o kalamaj-shkencëtarë,- u dëgjua përsëri zëri i butë i presidentit. Në fillim mendohuni mirë, pastaj vendosni nëse do të vini me mua në ekspeditën e anijes kozmike të Marsit “X=Jupiter-2”. Para se të nisim ligjëratën e dytë, bëni një çerek ore pushim dhe pini një kafe marsiane.... (Vijon)

 

*Shënim: Ky libër është i përshtatshëm për fëmijët e moshës mbi 9 vjeç

 BEDRI  DEDJA