Poezi nga Odhise Grillo
- Published in Fëmijët
![](/images/fotografi_lajme/femijet/Odhise_Grillo/Odhise_Grillo-flasshqip.jpg)
Kryefjala e fjalëve
I mora A-në atit,
në të ishte dhe nëna,
i mora T-në tokës,
në të ishte dhe zemra,
i mora D-në detit,
në të ishte dhe qielli,
i mora H-në hënës,
në të ishte dhe dielli,
i mora E-në erës,
në të ishte dhe shiu,
i mora U-në ujit,
në të ish dhe njeriu...
I lidha të gjitha bashkë
dhe si ylber shkëlqeu
e para kryefjalë
e fjalëve :
ATDHEU!
Fjala është e vogël shumë
Fjala është e vogël shumë:
disa shkronja, disa rrokje…
ajo rrjedh si mjaltë e qumësht
midis miqve, midis shokëve.
Fjala është e vogël shumë:
dhe e ashpër, dhe e brishtë…
i ngre valët perçeshkumë,
kur vërsulet mbi armiqtë.
Fjala është e vogël shumë:
t’ëmbëlson a vret si plumbi…
fjala është si një urë
që lidh brigjet e një lumi.