Fëmijët

Kreu 16 i romanit për fëmijë 'Presidenti i Planetit të Kuq'-nga Bedri Dedja

  • Published in Fëmijët

Kreu 16 - Operacioni “Aleanca Tokë-Mars për sistemin diellor”

*Romani për fëmijë “Presidenti i Planetit të Kuq”

Nga Bedri DEDJA

Mbaroi një luftë e madhe pa gjak, por a mbaruan mendjet e mbrapshta? Mendjet e mbara thoshin se nuk kanë mbaruar. Mendjet e mbrapshta silleshin tinëz andej dhe këtej kufirit të sistemit tonë diellor. Madje kishte edhe një të keqe tjetër: këta njerëzit e sistemit tonë diellor ende nuk dinin se ç’ndodhte në shtëpinë e tyre të madhe përtej planetit të pestë, Jupiterit.

Në kokat e të dy presidentëve-presidentit të Tokës dhe presidentit të Planetit të Kuq-në të njëjtën natë, në të njëjtën orë, në të njëtën minutë dhe sekondë u shfaq e njëjta ëndërr në gjumë. Ëndrra ishte e llahtarshme. Dielli kishte shpërthyer dhe po shuhej. Gjithë sistemi diellor kishte marrë flakë. Po digjej Mërkuri, po dogjeshin Venusi, Toka dhe Marsi. Flaka sapo kishte filluar në Jupiter dhe shkëndijat gjigande kishin rënë edhe në Saturn, Uran, Neptun e Pluton. NJerëzit po përpiqeshin të shpëtonin me çdo mjet. Duhej gjetur një mënyrë për të ikur në sistemet e tjera të galaktikës sonë.

Të dy presidentët u zgjuan të llahtarisur. Të dy të shqetësuar pinë nga një gotë ujë. Të dy u ngritën nga shtrati me pizhame dhe nisën të ecnin nëpër dhomë. Të dy u kujtuan me vonesë të shihnin përtej perdeve të trasha përmes dritareve jashtë. Ndërkaq të dy u qetësuan dhe u shkriu gjaku.

Presidenti i Tokës pa nëpërmjet xhamave një hënë rrumbullake bukuroshe me dritë të fortë të argjendtë. Presidenti i Planetit të Kuq pa dy hënat e veta: Fobosin dhe Deimosin, me dritë më të zbehtë se hëna e Tokës.

Të dy presidentët, njëri në Tokë e tjetri në Mars, brohoritën në të njëjtën kohë: “Dielli nuk qenka shuar! Planetët nuk kanë marrë flakë!” Si u menduan një hop, njëri në Tokë e tjetri në Mars thanë: “Megjithatë duhet të jemi vigjilentë. Duhet të takohemi me njëri-tjetrin…Unë me të Marsit…Unë me të Tokës…”

U nisën dy kozmoradiograme: njëri në drejtim të Tokës, tjetri në drejtim të Marsit. Kështu u morën vesh të takoheshin të dy delegacionet. Presidenti i Tokës do të shoqërohej nga kryetari i Akademisë së Shkencëtarëve të Tokës, profesor Kriosi. Ky i fundit ishte zgjedhur në mungesë kryetar, në kohën kur drejtonte luftën për shpartallimin e operacionit “Mjekra e zezë” në hapësirën midis Marsit dhe Jupiterit. Presidenti i Planetit të Kuq do të kishte me vete kryetaren e Akademisë së Shkencave të Marsit, marsianen flokëzezë Dea.

Vendi i takimit u caktua kryeqyteti nëntokësor i Marsit Marsmrekullia, meqë ky planet ishte më afër Jupiterit dhe planetëve të tjerë që duhej të eksploroheshin.

Kur delegacioni i Tokës mbërriti në Mars, u lëshuan tonelata me fishekzjarrë në Tokë dhe rreth Marsit. Madje edhe rreth dy hënave të tij, Fobosit dhe Deimosit.

Në fund të takimit u nënshkrua marrëveshja “Aleanca Tokë-Mars për mbrojtjen e sistemit diellor”.

Në këtë marrëveshje thuhej:

Toka dhe Marsi janë motër e vëlla. Ne kemi edhe një motër, Venerën dhe gjashtë vëllezër të tjerë dhe do të bashkohemi si gishtat e dy duarve. Bashkë me Diellin bëhemi dhjetë dhe nuk do të lejojmë asnjë armik të prekë kufijtë e sistemit tonë diellor dhe të grabisë pasuritë që na ka falur natyra. Akademitë tona të shkencave me Kriosin dhe Dean do të punojnë pareshtur për të zbuluar të gjitha pasuritë e Saturnit, Uranit, Neptunit dhe Plutonit si dhe për të ngritur pranë çdo planeti kur të krijohen kushtet, një qendër të banuar, ose në sipërfaqe ose në formë sateliti. Njëkohësisht të krijohen posta kufitare rreth gjithë sistemit diellor. Ne do ta mbrojmë me shkencë e me paqe atdheun tonë, sistemin diellor!

Në fund të marrëveshjes nënshkruan të dy presidentët dhe të dy kryetarët e akademive të shkencave.

Në darkë, nga presidenti i Planetit të Kuq u shtrua banketi për nder të presidentit të Tokës dhe kryetarit të Akademisë së Shkencave të saj, profesor Kriosit. Në ceremoni mori pjesë si i ftuar special edhe doktori i shkencave Teodor Metalori, të cilit i ishte dhënë në Tokë grada shkencore “doktor”, si bashkëpunëtori më i ngushtë i akademik Kriosit. Si asnjëherë tjetër, secili nga të ftuarit në tryezë kishte nga pesëmbëdhjetë tableta në pjatën e vet.

Gjatë darkës Fobosi dhe Deimosi, dy hënat e Marsit, dërgonin rrezet e tyre përmes kanaleve në kryeqytetin nëntokësor. Rrezet e dy hënave marsiane i praronin si me ngjyrë floriri pjatat me tabletat e ushqimit, që kështu bëheshin më të shijshme.(vijon...)

 *Vepra e fundit e autorit, botuar 2 vjet pas vdekjes nga “Max”