Fëmijët

Kacimicrri rreth globit (rrëfenja 18) - Nga Bedri Dedja

Dy çudi

Kacimicërr! – thirri babushi. –Mos humb rastin për të parë dy çudi! Zbulim në Rumani. Një anije kozmike zbret në tokë!

Avioni supersonik zbriti te hyrja e shpellës Movile[1]. Ajo ishte e gjatë me kilometra e kilometra. E lartë, e thellë, hyp këtej e zbrit andej. Kacimicrri, me një maskë oksigjeni dhe një elektrik dore hyri brënda e pa e ç’nuk pa. Kishin thënë dikur se të gjallët jetojnë vetëm në dritë dhe me oksigjen. Kurse këtu ishte zbuluar një botë e re dhe e panjohur, ku gjallesat jetonin në errësirë dhe thithnin në mushkëritë e tyre ose nëpërmjet lëkurës së trupit hidrogjen sulfuror, apo gaz metan. Sa çudi! Sa të fshehta kishte kjo botë, të cilat njeriu nuk i kishte zbuluar ende ! Edhe gjallesat e shpellës, kafshët e vogla që ndodheshin brënda saj, ishin shumë të çuditshme. Në vënd të gojës, ato kishin një tub që ngrihej përpjetë si qiri e me të ushqeheshin. Pasi në tokë nuk jetonin dot me oksigjen…

Kacimicrri bëri disa fotografi për t’i botuar në revistën “Fatosi“[2] në Tiranë.

Po ajo anija kozmike që zbriti nga Galaktika, ç’ishte?

Ushtoi radio në Francë e në Zvicër. “Zbriti dërgata e parë nga kozmosi“! Anija quhej “Ultra Ursus“. Ejani të shikoni! Ejani të shikoni!

Kur shkuan njerëzit në vëndin e zbritjes nuk panë gjë, siç kishin parë në fotografinë e gazetës. Gazetari kishte shkruar se anija kozmike ishte e mbushur plot me orë zvicerane “Tissot“. Banorët e kozmosit kishin ardhur për t’i blerë këto orë se thuhej se janë shumë të mira…

Atë ditë në Zvicër u shitën të gjitha orët “Tissot“ që ndodheshin nëpër dyqane… Blerësit thanë: “Gjersa janë kaq të mira dhe i blejnë banorët e planeteve të tjera, pse të mos i blejmë edhe ne ?“

Po anija kozmike, ç’u bë ?!

Jo. Nuk zbriti ndonjë anije kozmike, por një tregëtar kishte bërë shaka në radio dhe në gazetë që të shiste orët e mbetura në dyqane…

 

Shpjegime:

[1] Shpella Movile në Rumani është një zgavër gjeologjike e përmbytur që ndodhet në qarkun e Konstancës, e zbuluar në vitin 1986 nga Cristian Lascu. E veçanta e kësaj shpelle është se prej më shumë se pesë milion e pesëqind mijë vjetësh, ka qënë e izoluar nga bota e jashtme dhe përmban një faunë të egër jovertebrore, unike në botë, e cila është përshtatur më së miri me mungesën e dritës dhe të oksigjenit, duke mbijetuar nga bakteriet e përhapura, të cilat ushqehen me lëndët që qëndrojnë pezull mbi ujë.

[2] Revista “Fatosi“ ishte një revistë që është botuar për fëmijët në Shqipëri.

 

(vijon..)