Fëmijët e diasporës: Ina veterinerja

Përgatiti: David Shkurti
Në këtë periudhë kur i madh e i vogël ndodhen mbyllur në shtëpi duke pritur ditë më të mira të vijnë, FlasShqip ka ftuar fëmijët e diasporës shqiptaro-kanadeze, t’u përgjigjen 31 pyetjeve. Qëllimi nuk është aspak t’i lodhim e t’u japim detyra shtëpie në shqip, por t’i angazhojmë pak nga pak në një media komunitare për t’u njohur me njëri-tjetrin. Le të shohim ditë pas dite kush janë fëmijët shqiptarë që jetojnë në Kanada dhe çfarë mendojnë ata. U kemi drejtuar pyetje të shkurtra e tek-tuk ndonjë pak më të ndërlikuar. Falenderojmë prindërit për bashkëpunimin dhe fëmijët për seriozitetin dhe çiltërsinë.
Pyetje 1: Kush je ti?
Unë jam Ina Rama.
Pyetje 2: Ku ke lindur?
Kam lindur në Toronto.
Pyetje 3: Në ç’klasë je?
Jam në klasën e 7.
Pyetje 4: Ku banon?
Unë banoj në Toronto, afër Marlee Avenue.
Pyetje 5: Cili është hobi yt?
Më pëlqen të këndoj dhe të luaj futboll (soccer).
Pyetje 6: Po lënda e preferuar në shkollë?
Matematikë dhe Anglisht.
Pyetje 7: Çfarë ke menduar të bësh pasi të mbarosh gjimnazin ?
Prej shumë kohesh e kam ditur që do të bëhem Veterinere sepse i dua shumë kafshët.
Pyetje 8: Cila është fjala ose shprehja më e pëlqyer në gjuhën shqipe?
Unë gjithmonë i them gjyshes « të lumshin duart » sepse ajo gatuan gjërat më të mira për mua.
Pyetje 9: Cilën fjalë apo shprehje përdor më shpesh në anglisht?
« Oh my God »
Pyetje 10: Më identifiko një nga tiparet e personalitetit tënd që të bën të ndihesh më shumë shqiptar/e?
Ndihem shumë shqiptare kur këndoj këngë shqip me mamin.
Pyetje 11: Ç’lloj punësh shtëpie bën?
Më pëlqen të organizoj dhe të pastroj dhomën time.
Pyetje 12: A kërkon të shpërblehesh për këto punë? Pse?
Nuk kërkoj shpërblim në lekë, por i këkoj mamit që të më japi më shumë kohë që të luaj në telefon. Megjithatë më pëlqen kur edhe unë ndihmoj në familje.
Pyetje 13: Ka ndonjë gjë që nuk të pëlqen te shqiptarët?
Asgjë. Mua më pëlqen shumë origjina ime.
Pyetje 14: Çfarë të ka bërë përshtypje kur ke shkuar në Shqipëri?
Nuk kam shkuar në Shqipëri qëkur kam qenë bebe.
Pyetje 15: Më thuaj një të drejtë që duhet ta kesh sipas teje. por që të shkelet
Mami nuk më lejon të dal vetëm me shoqet nëpër dyqane (mall).
Pyetje 16: Kujt do t’i ankoheshe nëse do kishe ndonjë problem?
Mamit dhe shoqeve të ngushta.
Pyetje 17: Më thuaj një libër për fëmijë që do doje ta lexoje në shqip?
Unë kam vështirësi të lexoj në Shqip, prandaj nuk jam e sigurtë.
Pyetje 18: Si e kaloje kohën e lirë para Corona Virus?
Shkoja në pishinë, takohesha me shoqet në fundjavë dhe dilja me mamin.
Pyetje 19: Po tani çfarë bën gjithë ditën në shtëpi?
Shikoj televizor, luaj me telefon, flas me shoqet, luaj me qenin tim dhe bëj ushtrime.
Pyetje 20: Ke frikë se mos sëmuresh ?
Kam shumë frikë.
Pyetje 21: Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje gjatë kësaj periudhe kur gjithë bota ka të njëjtin hall ?
Kur filloi epidemia unë u mërzita shumë. Unë mendoj se ky virus na ka bërë të kuptojmë që ne duhet të kujdesemi më shumë për njëri-tjetrin, për natyrën dhe për kafshët. Ky ishte një alarm për të gjithë njerëzimin.
Pyetje 22: Cila është frika jote më e madhe?
Frika ime më e madhe është se mos familja ime sëmuret.
Pyetje 23: Kur të ndodh diçka e bukur, si e shpreh gëzimin?
Bërtas me të madhe dhe hidhem pupthi.
Pyetje 24: Pse shumica e të rriturve duan të kenë fëmijë?
Sepse duan të vazhdojnë traditat e tyre.
Pyetje 25: Sa fëmijë duhet të ketë një familje?
2 ose 3 fëmijë.
Pyetje 26: Më shoqëro me fjalën e parë që të vjen në mendje fjalët:
Motra- shoqja më e mirë.
Qiell- shoqja ime që quhet Skye
Vëllai- mbrojtës
Shkollë- Glenview Public School
Shok- shoqet e ngushta
Internet- TikTok
Libër- Harry Potter
Bukë- Bukë me gjalpë
Pemë- Oksigjen
Pyetje 27: Pse disa të rritur kanë mall për fëmijërinë dhe thonë “Ah sikur të isha edhe një herë në atë moshë!
Sepse ata shikojnë fëmijët e tyre që bëjnë gjëra që ata do kishin dashur t’i bënin kur ishin vetë fëmijë.
Pyetje 28: Çfarë i streson më shumë të rriturit?
Faturat.
Pyetje 29: Çfarë i mërzit më shumë fëmijët?
Më mirë nuk po e them (qesh).
Pyetje 30: Çfarë këshille do t’u jepje të rriturve që po të lexojnë? Po fëmijëve?
Nganjëherë ne fëmijët nuk duam t’ju mërzisim, ne thjeshtë duam të flasim me ju. Për fëmijët do thoja të kenë durim sepse çdo gjë do bëhet më mirë.
Pyetje 31: A do doje të publikoje një shkrim tëndin në portalin FlasShqip?
Do kisha shumë dëshirë por siç e thashë më parë, kam vështirësi të shkruaj dhe lexoj në Shqip.
Shënim:
Të dashur prindër e fëmijë, nëse jeni të interesuar të merrni pjesë në rubrikën “Fëmijët e Diasporës”, lutemi na kontaktoni në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. ose në faqen tonë në Facebook. Intervistat e fëmijëve do të jenë një kujtim i bukur për ta kur të rriten. Faleminderit!
4 prill 2020
©FlasShqip.ca