Fëmijët e Diasporës - Art Kozmaqi, inxhinieri i ardhshëm
Në këtë periudhë kur i madh e i vogël ndodhen mbyllur në shtëpi duke pritur ditë më të mira të vijnë, FlasShqip ka ftuar fëmijët/adoleshentët e diasporës shqiptaro-kanadeze, t’u përgjigjen 31 pyetjeve. Qëllimi nuk është aspak t’i lodhim e t’u japim detyra shtëpie në shqip, por t’i angazhojmë pak nga pak në një media komunitare për t’u njohur me njëri-tjetrin. Le të shohim një pas një kush janë fëmijët/adoleshentët shqiptarë që jetojnë në Kanada dhe çfarë mendojnë ata. U kemi drejtuar pyetje të shkurtra e tek-tuk ndonjë pak më të ndërlikuar. Falenderojmë prindërit për bashkëpunimin dhe fëmijët/adoleshentët për seriozitetin dhe çiltërsinë.
Pyetje 1: Kush je ti?
Quhem Art Kozmaqi.
Pyetje 2: Ku ke lindur?
Kam lindur në Regina (Saskatchewan) të Kanadasë.
Pyetje 3: Ku banon ?
Banoj në Regina.
Pyetje 4: Në ç’klasë je?
Në klasën e njëmbëdhjetë.
Pyetje 5: Cili është hobi yt?
Hobi im është basketbolli.
Pyetje 6: Po lënda e preferuar në shkollë?
Shkencat, Biologjia dhe Shëndeti.
Pyetje 7: Çfarë ke menduar të bësh pasi të mbarosh gjimnazin?
Të studioj elektronikë dhe mundësisht të bëhem inxhinier elektronik.
Pyetje 8: Cila është fjala ose shprehja më e pëlqyer në gjuhën shqipe?
Tu ngjatë jeta!
Pyetje 9: Cilën fjalë apo shprehje përdor më shpesh në anglisht?
Hello dhe thank you.
Pyetje 10: Më identifiko një nga tiparet e personalitetit tënd që të bën të ndihesh më shumë shqiptar?
Virtyti i besnikërisë më bën që të ndihem më shumë shqiptar.
Pyetje 11: Ç’lloj punësh shtëpie bën?
Rregulloj dhomën time, ndihmoj në pastrimin e shtëpisë, gjatë verës rregulloj kopshtin, gjatë dimrit pastroj dëborën.
Pyetje 12: A kërkon të shpërblehesh për këto punë? Pse?
Jo nuk kërkoj. Janë punë që i bëj me dëshirë.
Pyetje 13: Më thuaj një tipar që nuk të pëlqen te shqiptarët dhe një që të pëlqen.
Thashethemet. Mendoj që besnikëria është virtyt i mirë i yni.
Pyetje 14: Çfarë të ka bërë përshtypje kur ke shkuar në Shqipëri?
Bujaria, mikpritja dhe traditat tona në përgjithësi. Jam impresionuar nga natyra, trashëgimia kulturore dhe historike.
Pyetje 15: Na thuaj një të drejtë që duhet ta kesh sipas teje, por që të shkelet.
Nuk më shkelet asnjë e drejtë.
Pyetje 16: Kujt do t’i ankoheshe nëse do kishe ndonjë problem?
Prindërve.
Pyetje 17: Më thuaj një libër për fëmijë në shqip që e ke lexuar?
Kam lexuar Abetaren kur isha më i vogël dhe me ndihmën e nënës kam mësuar të shkruaj dhe lexoj shqip.
Pyetje 18: Si e kaloje kohën e lirë para Coronavirus?
Para Coronavirusit isha i zënë me mësime dhe luaja basketboll rregullisht.
Pyetje 19: Po tani çfarë bën gjithë ditën në shtëpi?
I përmbahem rregullave të mbajtjes së distancës sociale. Çdo ditë luaj basketboll mbrapa në oborrin e shtëpisë dhe sëbashku me motrën bëjmë gjimnastikë.
Pyetje 20: Ke frikë se mos sëmuresh?
Nuk dua që të shoh asnjë të sëmurë, në veçanti jo nënen time.
Pyetje 21: Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje gjatë kësaj periudhe kur gjithë bota ka të njëjtin hall?
Respektimi i rregullave.
Pyetje 22: Cila është frika jote më e madhe? (përjashto Coronavirusin)
Nuk kam një të tillë.
Pyetje 23: Kur të ndodh diçka e bukur, si e shpreh gëzimin?
I gëzohem gjërave të bukura, nuk ekzaltohem shumë edhe nga to sepse çdo gjë është relative.
Pyetje 24: Pse shumica e të rriturve duan të kenë fëmijë?
Sepse fëmijët janë lumturia dhe e ardhmja e Botës.
Pyetje 25: Sa fëmijë duhet të ketë një familje?
Dy ose tre.
Pyetje 26: Më shoqëro me fjalën e parë që të vjen në mendje fjalët:
Motra - Dashuri e papërshkrueshme;
Qiell - Liri;
Vëlla - Nuk kam vëlla, por do të ishte gjysma tjetër e imja;
Shkollë - Vendi ku edukohesh dhe zhvillon aftësitë sociale;
Shok - Njeriu që i besoj;
Internet - Lidhje më pjesët tjera të botës dhe zhvillim i njohurive për botën;
Libër - Burim i diturisë;
Buka - Artikull që ne shqiptarët e konsumojmë shumë;
Pemë - Shëndet i mire.
Pyetje 27: Pse disa të rritur kanë mall për fëmijërinë dhe thonë “Ah sikur të isha edhe një herë në atë moshë”?
Sepse fëmijëria është periudhë e jetës pa brenga.
Pyetje 28: Çfarë i streson më shumë të rriturit?
Pasiguria sociale, fizike dhe financiare.
Pyetje 29: Çfarë i mërzit më shumë fëmijët?
Ndryshon nga grupmoshat. Grupmosha ime brengosemi për mos-sukseset në shkollë!
Pyetje 30: Çfarë këshille do t’u jepje të rriturve që po të lexojnë? Po fëmijëve?
Të rriturit të jenë gjithmonë të hapur me fëmijët e tyre, kurse për fëmijët të besojnë në ëndërrat dhe aspiratat e tyre dhe kujdes se me kë shoqëroheni.
Pyetje 31: Nëse do mundje të shkruaje një artikull në shqip, për çfarë do të shkruaje në portalin FlasShqip?
Së pari, do të doja që të publikoni intervistën time. Për artikull do të mendoj një here tjetër. Ju falënderoj nga zemra për mundësinë e dhënë që edhe unë të ndaj mendimin tim së bashku me fëmijët shqiptarë anë e kënd Kanadasë.

Shënim:
Të dashur prindër dhe fëmijë, nëse jeni të interesuar të merrni pjesë në rubrikën “Fëmijët e Diasporës”, lutemi na kontaktoni në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. ose në faqen tonë në Facebook. Intervistat e fëmijëve do të jenë një kujtim i bukur për ta kur të rriten. Faleminderit!
©FlasShqip.ca










