Fëmijët e Diasporës - Mia Kalaj: Ëndërroj të fluturoj me anije kozmike!
Në këtë periudhë kur i madh e i vogël ndodhen mbyllur në shtëpi duke pritur ditë më të mira të vijnë, FlasShqip ka ftuar fëmijët/adoleshentët e diasporës shqiptaro-kanadeze, t’i përgjigjen pyetësorit "Fëmijët e Diasporës", një format standard pyetjesh. Qëllimi nuk është aspak t’i lodhim e t’u japim detyra shtëpie në shqip, por t’i angazhojmë pak nga pak në një media komunitare për t’u njohur me njëri-tjetrin. Le të shohim një pas një kush janë fëmijët/adoleshentët shqiptarë që jetojnë në Kanada dhe çfarë mendojnë ata. Falenderojmë prindërit për bashkëpunimin dhe fëmijët/adoleshentët për seriozitetin dhe çiltërsinë.
Pyetje 1: Kush je ti, ku ke lindur dhe ku banon?
Unë quhem Mia Lula Kalaj. Kam lindur dhe jetoj në Toronto, Ontario.
Pyetje 2: Në ç’klasë je?
Unë jam në grupin e rritur parashkollor.
Pyetje 3: Cili është hobi yt?
Më pëlqen të ngas biçikleten dhe të luaj me top me mamin e babin. Në verë më pëlqen të shkoj në pishinë ose plazh me prindërit. Në shkollë më pëlqen kur shkojmë në palestër dhe koha e muzikës.
Pyetje 4: Po ëndrra jote më e madhe cila është ?
Të fluturoj në hapësirë… por kam frikë se mos më prishet anija kozmike.
Pyetje 5: Cila është fjala ose shprehja më e pëlqyer në gjuhën shqipe?
‘‘Unë të kam xhan’’ dhe ‘‘zemra e mamit dhe e babit’’.
Pyetje 6: Cilën fjalë apo shprehje përdor më shpesh në anglisht?
Më shpesh përdor «Thank you» dhe «I love you».
Pyetje 7: Çfarë veprimi të bën të ndihesh më shumë shqiptare?
Kur bëj me duar shenjën e shqiponjës së flamurit shqiptar.
Pyetje 8: Ç’lloj punësh shtëpie bën?
Vë në rregull rrobat dhe lodrat e mia.
Pyetje 9: A kërkon të shpërblehesh për këto punë?
Ndonjëherë i kerkoj mamit dhe babit të shoh pak më shumë filma për fëmijë në televizor pasi rregulloj gjërat.
Pyetje 10: Më thuaj një tipar që nuk të pëlqen te shqiptarët dhe një tjetër që të pëlqen.
Nuk e di çfarë nuk më pëlqen por e di që më pëlqen që gjithë familja ime është shqiptare.
Pyetje 11: Çfarë të ka bërë përshtypje kur ke shkuar në Shqipëri?
Nuk e mbaj mend se kam qenë e vogël fare.
Pyetje 12: Më thuaj një të drejtë që duhet ta kesh sipas teje, por që të shkelet.
Të shikoj më shumë filma për femijë në televizor.
Pyetje 13: Kujt do t’i ankoheshe nëse do kishe ndonjë problem?
Ndonjëherë mamit, ndonjëherë babit e ndonjëherë të dyve.
Pyetje 14: Më thuaj një libër për fëmijë në shqip që do doje ta kishe në bibliotekë?
Ndoshta “Peppa Pig”?
Pyetje 15: Si e kaloje kohën e lirë para Coronavirus?
Dilja shëtitje me makinë me mamin dhe babin. Në fundjavë shkonim në dyqane ose në parqe, te plazhi ose ndonjëherë në kinema.
Pyetje 16: Po tani çfarë bën gjithë ditën në shtëpi?
Mësoj dhe pastaj luaj me mamin ose babin si dhe me gjyshin kur mami me babin janë në punë. Tani që po ngrohet koha dal dhe shëtis me biçikletë para shtëpisë ose luaj me top te parku këtu afër.
Pyetje 17: Ke frikë se mos sëmuresh ?
Po, shumë (shumë seriozisht)!
Pyetje 18: Çfarë të ka bërë më shumë përshtypje gjatë kësaj periudhe kur gjithë bota ka të njëjtin hall ?
Njerëzit nuk dalin shumë nga shtëpitë.
Pyetje 19: Cila është frika jote më e madhe ? (përjashto Coronavirusin)
Kam frikë mos t’i ndodhë gjë e keqe mamit ose babit dhe shokëve e shoqeve të mia.
Pyetje 20: Kur të ndodh diçka e bukur, si e shpreh gëzimin?
Duke iu thënë gjithë ato herë njerëzve që jam shumë e lumtur dhe që i dua shumë.
Pyetje 21: Pse shumica e të rriturve duan të kenë fëmijë?
Sepse ndonjëherë ndihen të vetmuar dhe kanë nevojë për femijët t’iu bëjnë shoqëri.
Pyetje 22: Sa fëmijë duhet të ketë një familje?
Një, sepse ka më pak rrëmujë në shtëpi dhe duhet t’u ndërrosh shpesh rrobat fëmijëve si dhe të pastrosh shtëpinë.
Pyetje 23: Më shoqëro me fjalën e parë që të vjen në mendje fjalët:
Motra - Vëllai
Qiell - Dielli
Kanada - Flamuri
Vëllai - Vëllai i mamit
Shkollë - Shoqet
Internet - Detyrat e shtëpisë
Libër - Kafshët
Pemë - Parku
Shtëpi - Familja
Shqipëri - Tërmeti…dhe shqiponja.
Pyetje 24: Pse disa të rritur kanë mall për fëmijërinë dhe thonë: ah sikur të isha edhe një herë në atë moshë?
Sepse fëmijet luajnë më shumë dhe kanë më shumë kohë të lirë, ndërsa të rriturit punojnë shumë dhe lodhen duke punuar.
Pyetje 25: Çfarë i streson më shumë të rriturit?
Gënjeshtra.
Pyetje 26: Çfarë i mërzit më shumë fëmijët?
Sa herë që fëmijët nuk i japin lodrat njeri-tjetrit kur luajnë bashkë.
Pyetje 27: Çfarë këshille do t’u jepje të rriturve dhe fëmijëve që po të lexojnë?
Ruhuni nga virusi Corona dhe kaloni mirë në shtëpi.
Pyetje 28: Nëse do mundje të shkruaje një artikull në shqip, për çfarë do të shkruaje në portalin FlasShqip?
Do të shkruaja diçka për mamin dhe babin.
Shënim:
Të dashur prindër dhe fëmijë, nëse jeni të interesuar të merrni pjesë në rubrikën “Fëmijët e Diasporës”, lutemi na kontaktoni në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. ose në faqen tonë në Facebook. Intervistat e fëmijëve do të jenë një kujtim i bukur për ta kur të rriten. Faleminderit!
©FlasShqip.ca