Gjuha Shqipe për fëmijë: Mësimi 2-Tingulli dhe shkronja A
Ja erdhi e premtja e jemi përsëri bashkë për të vazhduar me orën e dytë të mësimit të gjuhës shqipe. Uroj që nga ora e parë e bashëbisedimit me fëmijën tuaj të keni kaluar momente të cilat përveç se e ndihmuat fëmijën në mësimin e gjuhës, janë edhe momente domethënëse …
Do mundohem që gjatë të gjitha orëve mësimore, situatat të jenë sa më afër marrëdhësines së sinqertë që krijohet midis fëmijës dhe prindit apo kujtdo tjetër që merr përsipër të bashkëbisedojë me fëmijën dhe ta orientojë drejt të menduarit në gjuhën shqipe. Nisim pa humbur kohë.
Tema mësimore: Tingulli dhe shkronja A
Situata e të nxënit: Shtëpia ime
Kompetencat mësimore
- Përshkruan në bazë të figurave
- Dallon shkronjën A
- Shqipton shkronjën A duke e lidhur me shkronjën A
- Gjen tingullin dhe shkronjën A në fjalë të ndryshme
- Lexon globalisht fjalë që kanë shkronjën A në trup të tyre
- Shkruan shkronjën A të madhe të shtypit
Fjalët kyçe: shtëpi; sallon, kuzhinë, banjo, dhoma e gjumit; korridori; shkallët; ashensori; lodra; krevati;
Teknika dhe strategji: Bashkëbisedim; punë individuale, stuhi mendimi
Burime dhe mjete pune:
Etiketa me shkronjën A; lapsa; fletore; fletore vizatimi; ngjyra; etiketa me fjalë; lodra, fije makarone
Lidhje me lëndë të tjera: Arte; matematikë
Veprime paraprake: 5 minuta
Fillimisht diskutohet me fëmijën për pemën e familjes e cila ishte detyrë shtëpie nga hera e kaluar. Fëmija me ndihmën e të rriturit (ose jo) ka vizatuar pemën, e ka ngyrosur dhe ka vendosur në degët e sipërme të saj: Mami, babi, vehten dhe motrën ose vëllain dhe në secilën anë të pemës, familjarët e secilit prind dhe kështu është zgjeruar fjalori me të tjerë pjestarë familjeje: Nëna; gjyshi; mami; motra; vëllai; daja; tezja; halla; xhaxhai; kushëriri etj. Si vlerësim për punën e bërë mund të fotografohet fëmija së bashku me pemën familjare dhe i tregohet me krenari gjyshërve, apo të tjerë të afërmve për të motivuar fëmijën në këtë rrugëtim të bukur por edhe të vështirë për të.
Hapi i parë: 10 minuta
I tregohet etiketa me shkronjën “A a” “A” e madhe e shtypit dhe “a” e vogël e shtypit dhe shqiptohet me kujdes.
Merren fijet e makaronave dhe i kërkohe fëmijës të ndërtojë shkronjë A të madhe të shtypit. I bëhet pyetja: Sa fije makarona përdore?
Etiketat e fjalëve të mësuara nga ora e parë e mësimit tregohen dhe i kërkohet fëmijës që të gjejë shkronjën A te secila prej tyre (Për t’ia lehtësuar gjetjen e shkronjave fjalët në etiketa mund të shkruhen të gjitha me shkronja të mëdha të shtypit)
Nëna-gjyshi-mami-motra-vëllai-daja-tezja-halla-xhaxhai -kushëriri
Hapi i dytë
Pasi kalohet faza e prezantimit të familjarëve dhe gjetjes së shkronjës a në secilën prej fjalëve, pyetet:
Ku jeton nëna, gjyshi?
-Në Tiranë
-Ku në Tiranë?
-Te pallati
-Si quhet ai vendi ku ata futen dhe jetojne të lumtur?
-Shtëpia.
-Po ti ku e ke shtëpinë?
-Këtu.
-A do i shikojmë bashkë dhomat?
-Kjo është dhoma e gjumit e Tedit.
-Kjo është kuzhina.
-Ky është salloni
-Ky është korridori
-Ky është ballkoni.
Merr secilën prej etiketave dhe i ngjit te dera e çdo dhome. I ngjit vetë fëmija pasi i keni lexuar bashkë disa herë dhe ka përfituar atë që e quajmë lexim global të fjalës. Këtu vlen vlerësimi i fëmijës me pikë për çdo herë që e ka gjetur siç duhet. (Merrni një kavanoz dhe hidhni brenda guralecë në bazë të pikëve të fituara çdo orë mësimi dhe pasi të jetë mbushur i dhurohet diçka që ka vendosur në listën e dëshirave)
Sfida e dytë duhet të gjejë shkronjën A në secilën prej fjalëve në etiketa.
- Dhoma e gjumit
- Kuzhina
- Salloni
- Ballkoni
Hapi i tretë
Shkoni te dhoma e fëmijës dhe gjeni objekte, lodra që:
- nisin me shkronjën A
- që e kanë në mes shkronjën A
- që e kanë në fund shkronjën A
Për çdo rast që e gjen saktë, hidhet një guralec te kavanozi.
Detyrë shtëpie
(Sugjerim) Ditën e Diel kur familja është mbledhur në shtëpi dhe mbase keni edhe ndonje takim virtual me familjarë që janë të interesuar që fëmija të mësojë shqip mund të uleni para televizorit, ose kompjuterit dhe të shohin bashkë videon:
Abetare-Erdhën shkronjat, shkronja A
dhe bashkë të gjeni dhe përsërisni fjalët që personazhet e pjesës teatrale pëmendin.
- Të vizatojë 2 objekte që kanë shkronjën A në trup.
- Të shkruajë shkronjën A të madhe të shtypit.
Duke ju falenderuar për vëmendjen ju lë takim ditën e Hënë, më datë 30 mars për të vijuar me mësimin e tretë. Një përqafim të ngrohtë për fëmijët nga mësuese Danjela Lumani.
27 mars 2020
©FlasShqip.ca