Gjuhë & Letërsi

SHKOLLA E PYLLIT

Poemë - Nga BEDRI DEDJA

1.
Në një pyll të gjelbëruar,
Ku njeri nuk kish kaluar,
Plot me ferra, plot me drurë,
Plot kërpudha edhe gurë,
Një mëngjes porsa agoi,
Një trumpetë fort ushtoi.
2.
Në çeltinë kishin dalë
gardalina dhe një gale.
Me trumpetë lajmëronin
gjithë kafshët që kalonin.
« Rap-e-tap e rap-e-tap ,
Sot në pyll një shkollë u hap…
Urdhëroni,
të mësoni,
kokën tuaj
t’pasuroni !
Japim libra,
dituri,
bëjm’ ushtrime
llogari ;
Ju mësojmë
histori,
shkenc’natyre,
gjeografi.
Ju mësojmë
të lani dhëmbët,
të pastroni
duart, këmbët !
Eni, zogj,
eni, kafshë,
s’ju pengon
asgjëkafshë,
nisni shkollën
nga e para,
që të bëhi
fort të mbara ! »
3.
Na u ngritën milingonat
ketërushët dhe shqiponjat,
kanarina, harabeli
dhe palloi i fryrë si gjeli,
ujku i çalë e dhelpra plakë,
një patok e një rosak,
dy sorkadhe, një ari,
korbi plak e flokëzi,
me të vegjëlit përpara,
nëper pyll e nëper ara ;
lanë shpellat, lanë gjerdhet,
lanë strofkat, lanë çerdhet,
lanë drekën pa gatuar,
lanë punët pa mbaruar
dhe u nisën në çeltinë
te mësuesja gardalinë !
4.
Vetëm një lepur
nuk bëri zë,
« I zgjuar jam, - tha. – 
sa s’bëhet më ! »
Në shkollë nuk vajti,
s’u regjistrua,
shokëve, mësuesve,
nuk iu afrua.
I dukej vetja
si burr’ i madh,
donte shëtitje
nëper luadh,
të ndizte llullën
plot me duhan
e të krekosej
si kapedan !
5.
Kurse në shkollë filloi mësimi,
aritmetika dhe vizatimi…
6.
Klasa « A »
ka abetare,
fillon shkronjat
nga e para,
me mësues
një Ari,
shtatgjatosh
edhe të zi :
- A, a, a,
jam ARIU,
ARRAT
më pëlqejnë mua,
AKULLOREN
nuk e dua !
A, a, a,
B-ë, b-ë. B-ë,
rrini urtë 
mos bëni zë !
7.
Klasa « B »
ka vizatim
me maçokun
tonë trim.
Ketërushët,
dhelpërushët,
nxënës plot 
vizatojnë,
veç nga frika
dora u dridhet,
kur maçokun 
e vështrojnë !
8.
Klasa « C »
aritmetikë
po mëson
në një lëndinë
me mësuesen
gardalinë.
- Dy dhe dy
bëjnë katër !
Kini mëndjen 
dhe degjoni,
mbledhje, zbritje
të mësoni !
Gardalina 
ka dy këmbë,
kurse macja
katër këmbë,
me një fjalë
po ta shkoq,
macja ka
sa për dy zogj !
9.
Kaluan muaj, kaluan vite
e festë e madhe u bë një dite.
Në mes të pyllit, n’atë çeltinë,
ku shpendët, kafshët e kan’ shtëpinë,
u mblodhën plot dhe përgëzuan
ata që shkollën me nder mbaruan.
U mblodhën gjyshët me baballarë,
nëna dhe teze me xhaxhallarë,
u mblodhën nipat, u mblodhën mbesat
kur kafshët-nxënës morën dëftesat.
10.
Vetëm një lepur s’mori dëftesë ;
ai mbeti trung edhe pa shpresë !
Kurse të tjerët morën zanat,
fituan shkollë dhe dituri,
gëzuan prindër edhe shtëpi,
në pyll me punë gjith’ u shpërndanë,
njëri shofer, tjetri doktor,
kush inxhinjer, kush murator...
një rrobaqepës, një projektues,
njëri bari, tjetri blegtor,
njëri k’pucar, tjetri mësues,
dikush teknik, dikush postier,
bujk i dalluar e brigadier.
11.
Nga foleja
po na zbret,
krahëgjërë,
pendëlehtë,
një lejlek
me zogjt’ e vet.
Thuhet ka
në pyll tani
një ndërmarrje
për shtëpi,
që ndërton
dhe projekton.
Kjo ndërmarrje 
ka teknikë,
zdrukthëtarë,
hidraulikë,
muratorë,
punëtorë,
ka edhe një
përmbi të tjerë,
ësht’ kastori
inxhinjer,
që mendon,
projekton.
Kur s’ka punë
me projekte,
ai shtëpitë suvaton !

12.


Tek ai 
na shkon lejleku,
e nderon
dhe bisedon :
- Kam nevojë
për fole,
të gëzueshme
dhe të re,
se u bëra
me fëmijë,
tek e vjetra
s’kam ku rri,
kam kërkesa,
shok, tani.
Se fole
dhe vet’ ndërtoj,
por ty mjeshtër
s’ta kaloj.
Me projekte,
llogari,
del foleja
mrekulli !
- Urdhëroni,
si e doni ? –
thot’ kastori
dhe dëgjon,
katalogun 
i tregon.
- Një fole
të më ndërtosh,
ku si njerëzit të jetosh ;
me avlli,
me hambar,
me kuzhinë
dhe qilar.
Fresk të jetë
dite e natë,
një fole me
katër kat…
Shpejt kontratën
e nënshkruan
dhe nga puna
ia filluan.
13.
Pas tre muaj
n’atë vatër
bëri festë
shpend’ i varfër.
Erdhën fqinjët
për urim
turma-turma
me gëzim,
gjithë pinë,
ngritën dolli
në të bukurën fole,
me avlli,
me hambar,
me kuzhinë
dhe qilar.
14.
Korbi zogjt’ i vuri para,
mori rrugën lart mbi ara,
mbi zabele e bregore,
drejt në shkollën muzikore,
ku mësuesja kanarinë
kalamajve u mësonte
këngë, piano dhe violinë.
- T’lutem zonja
kanarinë,
m’prano zogjt’
në violinë ;
m’i mëso
si të këndojnë,
notat mirë
t’i lexojnë,
se më kanë
zë të çjerrë ;
krrakërijnë,
oh, sa tmerr ! –
Kanarina i provoi, 
pastaj nisi t’i mësojë.
Do – re – mi – fa – sol – la – si,
merre harkun, korb i zi !
Si – la – sol – fa – mi – re – do,
mos u çirr ti, po kendo !


15.
Ja, ariu shkon serbes,
i bje pyllit mes per mes
me një stof të ri në gji,
futet në rrobaqepsi,
ku palloi del n’sallon,
i merr masë dhe shënon :
- Thomëni,
xhaxhi ari,
si ta qepim
ne tani,
me jelek,
o pa jelek ?
- Me jelek, o
bijt’ e mi,
që të dukem pak i ri !
16.
Gjithë kafshët po punojnë,
vogëlushët po mësojnë,
zilja bie, tringëllin,
shkolla e pyllit gumëzhin.
17.
Vetëm një lepur s’u regjistrua
dhe shkollës kurrë nuk iu afrua.
I dukej vetja i zgjuar shumë,
bridhte ndër ferra, shkonte në lumë ;
na kapardisej si burr’ i madh
dhe shtrihej, flinte nëper luadh…
Një dit’ lepurushi keq e pësoi,
u sëmur rëndë e desh mbaroi…
Vajti te mjeku, mori recetë,
bleu ilaçet në një paketë.
Në fund, kur erdhi para shtëpisë,
harroi këshillat e farmacisë ;
me shkrim, paketa, çdo gjë shpjegonte
por lepur-ziu s’dinte t’lexonte.
Në vend tri lugë, bile pas buke,
ai piu gjashtë dhe para buke !
U zverdh nga helmi leprush’ i gjorë,
pritej të vdiste, çdo çast, çdo orë.
Ca shokë e çuan me vrap n’spital,
me një karrocë hequr me kalë,
edhe nga vdekja shpëtoi për pak,
operacion i bënë n’stomak.

18.
Por edhe pasi u shërua,
lepuri nuk u qetësua !
S’gjente drithra për të brejtur,
roja nuk rrinte fjetur…
S’gjente lakra të gjëllinte,
bostanxhiu nuk e linte…
S’gjente l’vozhga për të bluar,
roja e pyllit rrinte zgjuar…
Një parrullë ngrihej là :
« Kush s’punon, jo nuk ha ! »
* * *
Ikin muajt, iknin vitet,
toka prapë përtëritet ;
ikën dimri, vjen pranvera,
afron vjeshta, ikën vera ;
brënda n’pyll çdo gjë ndryshon,
thahet, vyshket, lulëzon.
Po ky lepuri i mjerë
do t’ndryshojë ndonjëherë ?
Ç’thoni ju, pra, o fëmijë
për kët’ lepur, lepur-zi 
që na mbeti fillikat
pa një punë, pa zanat,
varavinga e barkun thatë,
duhanxhi e pijanik,
pa një shok e pa një mik, 
fshehur ferrave me frikë ?..