Krim ndaj një adoleshenti për të rritur shikueshmërinë - Nga Çapajev Gjokutaj
Një nënë braktis të birin, foshnjë 3 ditshe dhe kthehet ta takojë pas... 11 vjetësh. Vërtet kanë kaluar shumë kohë po nëna vjen ngakuar me “peshqeshe”.
I kumton të birit se familja ku është rritur s’është e tij, se ata që i janë bërë babë e mëmë dhe, me shumë njerëzillëk kanë sakrifikuar për ta rritur, s’kanë lidhje gjaku me të. Qershia mbi tortë është çasti kur i sjell “sihariqin” se djali i gjorë nuk ka as baba biologjik të identifikuar, është ngjizur gjatë një nate kobzezë, kur të ëmën e kanë përdhunuar pesë të rinj.
Jeta e nënës, duke nisur nga fëmijëria, tek braktisja e foshnjës e deri te ritakimi me të birin, është dramë e shkuar dramës. Vuajtjet e saj s’kanë si mos të të prekin. Por keqardhja dhe empatia që ngjall rrëfimi i fatkeqes nuk e justifikojnë kurrsesi veprimin që po kryen.
Vjen dhe hyn në jetën e të birit pa pritur e pa kujtuar. Dhe “zgjedh” një kohë shumë delikate, periudhën kur i biri po shkel në adoleshencë.
Dihet se për këdo kjo është moshë problemore. Fëmija sheh se po burrërohet, por së brendshmi ndjen që është akoma i dobët. Kjo kontradiktë bën që adoleshenti të jetë në kërkim të etshëm të identitetit e për rrjedhojë të mos gjejë karar me veten, por sidomos me prindërit dhe të afërmit.
Ritakimi në këtë moshë delikate e plot rreziqe mund të qetësojë nënën, por rrit pasiguritë dhe rreziqet për djalin. Për më tepër se nëna nuk ka “zgjedhur” që gjithë këto drama e peripeci t’ia rrëfejë të birit në intimitet, por ia defteris në distancë e në mexhlis, përmes ekranit të televizorit.
Një nënë me fatin dhe formimin e kësaj edhe mund të gabojë, por puna fillon e mban erë kur në mes hyjnë gazetarët dhe përpiqen ta shndërrojnë gjithçka në telenovelë me qurra e me lotë.
Ngjan se është dëshmi amatorizmi e injorance kur merr një njëmbëdhjetëvjeçar dhe, kundër ligjit e nxjerr në ekran me zë e me figurë, për t’i thënë publikisht gjëma të tilla. Por në thelb është shumë më tepër se kaq, është krim: për të rritur shikueshmërine, damkos publikisht një fëmijë.
S’mbetet veçse të thuash se kjo s’mban erë po kutërbon dhe pastaj të parodizosh Shekspirin “shikueshmëria është gracka, ku fatkeqët kapen si laraska”.
©Çapajev Gjokutaj