Për prindërit

Sfida jonë me të rinjtë: a dimë t'i inkurajojmë? - Nga Agim Baçi

Drejtori i North College, John Tapene, në Zelandën e Re, kohë më parë gjeti një mënyrë të drejtpërdrejtë të komunikonte me të rinjtë e vendit të tij, teksa iu drejtua atyre që të hiqnin dorë nga argëtimet pa kuptim, nga kërkesa pa fund ndaj prindërve dhe të tjerëve, dhe t’i kthejnë sytë nga guximi i hapave të tyre për të ecur vetë në jetë, nëse duan një jetë apo një shoqëri më të mirë.

Një thirrje e tij na sjell të gjithëve në vëmendje një çështje madhore për të gjitha shoqëritë, teksa gjendemi përballë rrezikut të një shkërmoqjeje marrëdhëniesh mes brezash. Por, në fakt, a dimë ne t'i inkurajojmë sot të rinjtë që ata të guxojnë në jetë të gjejnë vetë rrugën e tyre drejt një të ardhmeje të moralshme dhe me virtyte? A jemi të shqetësuar se me çfarë merren ata? A jemi sot në gjendje të flasim hapur për atë çka i shqetëson dhe për mënyrën se si duhet ta shohin jetën? A jemi sot në gjendje të mbajmë marrëdhëniet e lidhura mes brezave?

Po të shohim lajmet, po të ndjekim shqetësimet e mësuesve të fëmijëve tanë, mund të kuptojmë shpejt se pothuajse të gjithë jemi dorëzuar pak nga pak përpara kërkesave të pafundme nga ana e fëmijëve për veshje, për pajisje elektronike, për udhëtime, për teka pa fund - pra për gjithçka materiale. Në nxitim të përditshmërisë sonë, shumë pak u flasim atyre për jetën tonë të mëparshme. U kërkojmë shumë pak të komunikojnë me gjyshërit, e aq më pak edhe me fqinjët.

“Shko në shtëpi, laj dritaret, mëso të gatuash, ndërto diçka, gjej një punë, vizito një të sëmurë, bëj detyrat e shkollës dhe pasi t’i kesh mbaruar, lexo një libër. Vendi yt nuk detyrohet të të sigurojë ambiente çlodhëse dhe as prindërit nuk e kanë për detyrë vetëm të të argëtojnë. Bota nuk të detyrohet asgjë, duhet ta fitosh vetë jetën. Ti i detyrohesh botës diçka”, shprehej Tapene, duke ngritur disa nga çështjet që tashmë janë të përbotshme. Por kjo çështje e ngritur nga neozelandezi Tapene, si njeriu që kontakton çdo ditë me nxënësit, prej kohësh është ngritur edhe nga psikologë dhe filozofë. Kështu, neuropsikologu i famshëm grek, Nikos Sideris, në librin e tij lidhur me komunikimin me fëmijët, vë në plan të parë komunikimin që duhet të bëjnë prindërit dhe jo psikologët.

Sipas Sideris, janë prindërit ata që duhet t’u tregojnë fëmijëve atë që mundet dhe atë që nuk mundet apo që nuk duhet ta kenë, si dhe të jenë gjykues ndaj asaj që shfaqin fëmijët në përditshmërinë e tyre. “Është e dëmshme për vetë fëmijën, nëse imagjinata e tyre do të diktojë qëndrimin e prindërve”, shprehet Sideris, duke kërkuar nga prindërit që bashkëbisedimin me fëmijët e tyre ta shikojnë edhe si një bashkëbisedim me veten, si një rritje tjetër. Sideris vë re në librin e tij, duke iu referuar përvojës si psikolog, se shumë prindër nuk janë të qartë kur u thonë fëmijëve “Mos!”, ose “Jo!”, duke inkurajuar dyzimin.

Ndërkaq, filozofi spanjoll Fernando Savater sugjeron që t’u mësojmë fëmijëve se pasojat që vijnë nga liria për të vepruar nuk mund të mohohen apo zhduken sipas qejfit. Sipas Savater, Liria nuk është për të pasur çdo gjë, por për të pranuar pasojat në të mirë apo në të keq, në varësi të asaj që na ka ndodhur, apo që nuk arritëm të bënim. Ky moskomunikim ka bërë që prindërit dhe fëmijët e sotëm të mos diskutojnë asgjë, madje as ato gjëra, të cilat i prekin çdo ditë apo do t’i prekin në të ardhmen, sidomos kur të jenë në pleqërinë e tyre.

Duhet ta pranojmë që kjo sfidë nuk është aspak e lehtë por, të paktën, ne kemi detyrë t’i inkurajojmë fëmijët që të guxojnë të gjejnë rrugën e tyre, duke marrë përsipër detyrimet e tyre për një jetë dinjitoze. T’u mësojmë se të gabosh është njerëzore, por që të kërkosh falje është edhe më njerëzore. T’u mësojmë se udhëkryqet në jetë merren kur ke një dorë pranë, kur mundesh që të shohësh tjetrin në sy dhe kur e kupton që je pjesë e një shoqërie ku ke detyrimet e tua për ta bërë më të mirë. E sidomos t’u themi se, jeta pa dorën drejt tjetrit rrezikon të ketë pasojë vetëm vetminë dhe zhgënjimin.

©Agim Baçi

Tagged under Agim Baçi Flasshqip.ca