Kurthi i prindit perfekt - Nga Çapajev Gjokutaj
Çapajev Gjokutaj
Mos u mundo të jesh prind ideal, perfekt në çdo gjë dhe kurdoherë. Nëse nisesh në një rruge të tillë, herët a vonë do ia shohësh sherrin, do dëmtosh veten dhe, me gjasë, edhe femijët.
Të jesh perfekt është ëndërr e bukur, por e parealizueshme. Gjërat ideale ekzistojnë vetëm në mëndjet tona, shumë shumë zbresin dhe në ligjërim, por kurrë nuk arrijnë deri në realitet.
Të synosh diçka që s’mund ta realizosh, do të thotë të stërmundosh veten, të hedhësh mbi supe shumë më tepër ngarkesë seç mund të mbajë robi dhe rrjedhimisht të prenotosh biletë për në viset e depresionit. Nese arrin në këtë pikë, nxin ditët e tua dhe shton mërzi, ankth e pasiguri edhe në jetën e femijëve.
Imazhi i një prindi që në çdo hap kërkon të jetë perfekt orienton keq fëmijët, i shtyn të kërkojnë përsosmërinë e të mos jetojnë jeten në gjithë gamën e saj. Duke bredhur pas persosmërisë njeriu lë pa provuar një pjesë të mirë të gjërave që e bëjnë jetën jetë.
Imazhi i një prindi ideal bëhet i dëmshëm sidomos për adoleshentët, u krijon ndjenjë pafuqie për të bërë atë që synon çdo fëmijë i kësaj moshe: tejkalimin e prindit. Mbase s’është e rastit që jo pak nga fëmijët e njerëzve të famshëm nisin rrugën e drogës e të alkolit.
Asnjë fëmijë nuk ka nevojë për një prind ideal, ajo që u shërben fëmijëve është një prind i mirë por real e tokësor, me rast edhe i rreptë a i inatosur, por në thelb i arsyeshëm.
Kurthi i prindit perfekt bëhet dukshëm i dëmshëm në variantin “nënë ideale”. Ndodh kështu ngaqë synimi për t’u bërë e tillë e shpie gruan në kufijtë e një miti universal që, më shumë se objektiv i realizueshëm është instrument pushteti e skllavërie, pushtet për burrin, skllavëri për gruan.
Miti i nënës ideale përpiqet të absolutizojë brenda gruas mëmësinë dhe të largojë prej saj gruan, shoqen, eksperten, aktivisten etj. dhe kështu ta kufizojë brenda shtëpisë nen barrën e kujdesit për fëmijët e familjen dhe nën zgjedhën e burrit. Është ky synim kostant i të gjitha qasjeve patriarkale të djeshme e të sotme, paçka se burri mund të shfaqet me qeleshe, me kominoshe a me kravatë.
Ngado që ta shohësh, morali i fabulës mbetet po ai: mos u përpiq të jesh nënë a baba ideal, mjafton ta duash, ta mbrosh e ta sigurosh fëmijën dhe të bashkëjetosh sa më natyrshëm.
©Çapajev Gjokutaj