Ambasada shpall 19 kandidatë për në KKD

Ambasada Shqiptare në Kanada ka zyrtarizuar sot 19 kandidatë që do t’i propozohen Ministrit të Diasporës Pandeli Majko për të përzgjedhur 2 prej tyre për të qenë anëtarë në Këshillin Koordinativ të Diasporës (KKD).
Kjo bëhet e ditur përmes njoftimit që Ambasada Shqiptare në Ottawa u ka dërguar në kohë gjithë aktorëve të përfshirë në këtë proces si dhe palëve të interesuara.
Në njoftimin e saj, ambasada nën firmën e ambasadorit Ermal Muça thekson se: “Në përmbyllje të këtij procesi konsultimi të gjerë dhe të shtrirë në kohë, si pasojë e angazhimit të përbashkët dhe kontributit tuaj thelbësor, kam besimin se lista e kandidaturave, përbërë nga figura dhe kapacitete të diasporës sonë këtu, me arritje të shumta profesionale dhe kontribute të rëndësishme në shërbim të komunitetit dhe ruajtjes së gjuhës shqipe e promovimit të Atdheut dhe identitetit tonë kombëtar, figuron përpjekjet për larmi dhe gjithëpërfshirje paçka se nuk është e lehtë të jetë shteruese kur bëhet fjalë për një komunitet të tillë në shifra dhe cilësi”
Flasshqip e publikoi që dje listën e kandidatëve me 16 emra, duke mos patur informacion vetëm për 3 kandidatët e propozuar nga njëra prej shoqatave të Torontos ACE, e cila, nuk e pa të arsyeshme t’i ndante propozimet e saj me median. Gjithsesi, ca gjëra janë çështje vizioni, ca të tjera çështje transparence, ndërsa shumëçka çështje dëshire e aftësie.
Përfundimisht, pas një procesi konsultimesh, sfidash informative, debatesh në forume sot kemi zyrtarisht këta kandidatë.
- Adriana Fishta Bejko
- Agustin Simoni
- Alban Merepeza
- Anton Brunga
- Ardian Lagji
- Ardian Radovicka
- Denisa Balla
- Genc Tirana
- Gjergji Hasa
- Ilda Fida
- Julian Dyrmishi
- Kostandin Ristani
- Lulëzim Rrafshi
- Mira Shehu
- Nehat Kaloshi
- Nerina Jahja
- Rukije Kondaj
- Shani Pnishi
- Zeqirja Rexhepi
Vlen të nënvizojmë se propozimet kanë respektuar edhe normën e barazisë gjinore të parashikuar në ligj. 30% e kandidatëve janë femra. Tashmë mbetet që Ministri i Diasporës Majko të përzgjedhë më të mirët dhe më të përshtatshmit për të qenë anëtarët e parë në historinë e Këshillit Kordinativ të Diasporës Shqiptare.
©Flasshqip.ca