Profil & Intervista

Rubrika “Pyetësori i Jetës”: E ftuar Anila Lara Jani, London-Ontario

Jeta Dedja-Kryeredaktore e FlasShqip.ca

“Pyetësori i Jetës” është një tip interviste jo e personalizuar, as e përgatitur enkas për të ftuarin, përkundrazi kemi të bëjmë me një listë prej 31 pyetjesh të pandryshueshme që u drejtohen personazheve të përzgjedhur të Diasporës Shqiptaro-Kanadeze.

Pyetjet synojnë ngacmimin e emocioneve, kujtesës, dhe sigurisht mendimeve të të ftuarit në lidhje me tema në dukje të vogla, por me ndikim të konsiderueshëm në jetën dhe sjelljen e njeriut. Ja provojeni edhe ju ndërkohë që lexoni përgjigjet e të ftuarës së sotme, Anila Lara Jani, Terapiste Okupacionale, në London, Ontario.

1. Anila, nëse emocionet kanë ngjyrë, çfarë ngjyre ndihesh sot?

E gjelbërt.

2. Me çfarë shpejtësie kanë ecur 10 vitet e fundit të jetës tënde?

Vite që kanë ecur shpejt. Më dalin parasysh fëmijët që largohen nga shtëpia për të gjetur vendin e vet në botën ku i kemi sjellë ne, ashtu siç ju larguam ne prindërve tanë; udhëtimet e mia të përvitshme në Shqipëri për të parë prindërit; humbja e babait që nuk arrita dot ta shoh në momentet e fundit të jetës; ndyshimet që vijnë te vetvetja kur vitet që ikin të çojnë në vjeshtën e jetës.  Dhe pyes veten: Po si vallë? Kaq shpejt?

3. Cila ka qenë zgjedhja me koston më të lartë?

Besoj që vendimi për t’u larguar nga Shqipëria dhe ardhja në Kanada. Përpjekjet për t’u përshtatur në një jetë dhe vend të ri, por që gjithnjë e kam quajtur si një gjë të mirë që i kemi bërë vetes dhe fëmijëve tanë. Me kosto sigurisht. Fëmijët që i ndamë nga gjyshërit, kushërinjtë, nga të afërmit.

4. Humbja më e vogël?

Mendoj që humbjet janë të vogla kur gjendet një zgjidhje. Para humbjes së shëndetit dhe jetës humbjet e tjera bëhen më të vogla.

5. Gjëja e fundit që të ka gërryer shpirtin e trazuar gjumin?

Situata e veçantë që kemi përjetuar lidhur me Covid 19.

6. Cilës ndjesi/gjendjeje do doje t'i arratiseshe?

Boshësisë.

7. Ç'dobi mund t'i sjellë njeriut mërzia?

Mendoj që mërzia është një gjendje emocionale që ka një funksion. Më e rëndësishme do të thoja, është të kuptojmë vetveten nëse jemi të mërzitur dhe të zgjedhim nëse duam të vazhdojmë të përjetojmë mërzinë apo të bëjmë diçka për ta larguar atë.

8. Cili është stimulanti më i fortë që ndez qënien tënde?

Ndjesia që krijohet kur ke mundur të influencosh në një ndryshim pozitiv në jetën e dikujt, sado i vogël ky ndryshim.

9. Çfarë bën për t'u ndjerë në formë fizike/shpirtërore?

Përpiqem të jem aktive: bëj yoga (ndofta jo aq sa duhet), ecje të shpejta në zonën ku jetoj sa herë që mundem.

10. Si reagon ndaj një pritjeje të gjatë?

Me kalimin e viteve kam mësuar që ka situata që nuk kontrollohen. Mendoj në situata të tilla duhet bërë përpjekje për të bërë më të mirën tënde dhe atë që mundesh, duke e pranuar realitetin ashtu siç është, edhe me pritje.

11. Si i dallon njerëzit e mënçur?

Leon Tolstoy tek Ana Karenina thotë se “familjet e lumtura janë njësoj të lumtura, ndërsa ato jo të lumtura janë të ndyshme në mënyrën e vet”. Do të thoja që njerëzit e mençur janë të mençur, s’ke ç’thua. Siç thotë populli: “Dielli që duket nuk do kallauz”.  Po ashtu mendoj që njeriu i mençur, “the wise man” është ai që reflekton përputhjen e zgjuarsisë me maturinë emocionale/shpirtërore. I zgjuar mund të jesh, por jo domosdoshmërisht i mençur.  Inteligjenca emocionale është ajo që mendoj i karakterizon njerëzit e mençur.

12. Për çfarë të pëlqen të flasësh më shumë me miqtë?

Varet nga interesat e përbashkëta që ndajmë. Me miqtë tanë shqipëtarë ndaj shumë gjëra që vetëm me ta mund të ndahen: kujtime të rinisë, momente të caktuara që përjetuam  dhe përjetojmë në atdhe. Se si mundet të flasësh me një mik të lindur këtu për përshembull, tallonin për ushqime të fundit të viteve 80, apo për apartamentet e vogla ku u lindëm dhe jetuam?!

Me miqtë ndaj interesa për vendet e vizituara, për artin muzikor që na pëlqen, për libra apo ndonjë film, dhe kohët e fundit, për ushqyerjen dhe shëndetin më tepër se më parë.

13. Profili i “mikut” të padëshiruar?

Besoj që intuita që flet ndonjëherë dhe që duhet dëgjuar…

14. Cila është formula e njeriut të mirë?

Në një kurs profesional që ndoqa vite më parë nga një psikolog i njohur i interesuar në fushën e studimit të karakterit njerëzor, na u sugjerua të lexojmë një libër “The road to character” nga D. Brooks. Në këtë libër me raste konkrete nga jeta e njerëzve të mëdhenj që kanë influencuar në histori, paraqitet se njerëzit bëjnë gabime. Por nga to zgjedhin. Dhe në bazë të zgjedhjes më të mirë është një zemër e mirë.

15. Përkufizimi i budallallëkut?

Njerëzit janë të ndryshëm në këtë botë. Ndofta një veprim që nuk ka kuptim në botën time, ka kuptim në botën e atij që e bën atë veprim. Ndaj përpiqem të mos të papagjykoj asnjë. Siç themi në shqip, kushedi si e ka hallin tjetri.

16. Këshilla që do t'i jepje një njeriu të zemëruar?

Nuk do t’i jepja asnjë këshillë. Në momente zemërimi ndofta një njeri i zemëruar do vetëm të dëgjohet. Do të përpiqesha të kuptoja pse është i zemëruar.

17. Pishmani më i madh në jetë?

Përpiqem të mos të mbaj “pishmane” (the path not taken). Në kohën që kemi marrë vendime të caktuara ato janë marrë sepse ashtu i kemi gjykuar, si për më të mirat. Çështja është se ne gjykojmë për to nga largësia a kohës, kur jemi njerëz të tjerë nga ata që kanë marrë ato vendime, me vitet, me përvojën që na ka dhënë jeta.  Kam mendimin që pishmanet të mbajnë peng të së shkuarës dhe të pengojnë të jetosh të tashmen.

18. Një rast tipik kur të vjen për të sharë?

Kur në mëngjes jam vonë për në mbledhjen e mëngjesit në punë, dhe vonohem edhe më tepër, nga trafiku.

19. Më thuaj një fjalë të vjetër/të veçantë shqipe ose një shprehje të urtë popullore që përdor më shpesh?

Për të qenë e drejtë me veten për t’ju përgjigjur kësaj pyetje pyeta vajzën. Dhe ajo më tha se kohë më parë përdorja shprehjen (po e them si e tha ajo): “oh, ç’mu ça koka”. Qesha që ajo e mbante mend, por dhe u gëzova që paskam thënë vetëm këtë.

20. Cili është vendi që të qetëson sapo e sjell ndërmend?

Natyra.

21. Po libri i fundit që ke lexuar?

Lexova një libër për “vende të largëta”, siç u promovua në një rubrikë televizive mbi librin. Quhet “Pain” nga Z. Shalev. Flitet për një pjesë të jetës së një gruaje izraelite dhe të familjes së saj që jeton në Jerusalem. Flitet për njerëz ku e shkuara, e tashmja dhe e ardhmja fragmentohen nga presioni që ushtron ambienti ku jetohet. Dhe për jetën që merr kuptime të tjera. Ishte hera e parë që lexoja një libër nga kjo shkrimtare e njohur bashkëkohore.

22. Kënga që do këndoje në një karaoke?

Ndofta “Felicita” nga Albano dhe Romina Power.

23. Udhëtimi që nuk është ndërmarrë ende?

Eksplorimi i provincave kanadeze. Na pëlqeu shumë një udhëtim para dy vitesh në Nova Scotia dhe Prince Edward Island. Jetojmë në një vend shumë të bukur!

24. Nata perfekte e dimrit kanadez?

Me familjen në një ditë dimri me borë, kur stuhia ka pushuar.

25. Produkti që nuk do të doje të mungonte kurrë në dyqan?

Djathi i bardhë.

26. Pjata/ushqimi që nuk do refuzoje dot as me stomakun plot?

Buka e misrit me djathë.

27. Zakoni që do doje mos ta kishe?

Thuhet që tre javë duhen për të ndryshuar një zakon. E kam provuar, por prapë kafen e pi edhe pse e kuptoj që nuk më ndihmon për shëndetin.

28. Aftësia që do doje të kishe?

Po mendoj që duhet të punoj të krijoj një aftësi të re që do të më duhet për vitet kur të dal në pension.

29. Parashikimi për të ardhmen e profesionit që ushtron?

Fushat e rehabilitimit gjithnjë do të kenë të ardhme me fokusin e tyre në cilësinë e jetës.

30. Cila është arritja jote më e madhe në aspektin profesional?

Një kolege thotë shpesh “there is a season in life for everything”. Çdo arritje dhe sukses ka kuptim për kohën e vet dhe varet si e mat suksesin. Në vitet e vjeshtës sime kam kuptuar rëndësinë e balancës punë dhe jetë e përditshme. Sigurisht ku standardi profesional dhe përgjegjësia profesionale janë të padiskutuara, duke mbetur një studente e përhershme.

31. Si ndihesh tani në fund të pyetësorit tim?

Ndjek me interes dhe kënaqësi postimet në Flasshqip.ca dhe sidomos shkrimet e tua për probleme nga më të ndryshmet. Më pëlqejnë shkrimet e njerëzve të letrave dhe gazetarëve të njohur shqiptarë të diasporës për tematika të ndryshme, që kanë guxim dhe integritet. Kur më dërgove kërkesën për të plotësuar këtë pyetësor, më duhej ta mendoja nëse do ta plotësoja. Nga natyra, megjithëse punoj me njerëz, e kam të vështirë të flas për veten në publik. Plotësimin e këtij pyetësori e shoh si një përpjekje për të dalë nga zona e komfortit edhe si një mundësi për “feedback” ndaj vetes. Të falenderoj dhe uroj të lexoj shkrime të tjera po aq të mira dhe me kuptim të shkruara prej teje. Të uroj suksese në inisiativat e tua dhe në familje!

 

Montreal-London, Qershor 2021

 

Shënim!

FLASSHQIP beson në mbështetjen e lexuesve. Bashkohu me FlasShqip duke dhuruar përmes e-transfer (Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo.) ose duke klikuar më lart butonin “donate”. Faleminderit!

*Gjithashtu nëse dëshironi të bëheni pjesë e rubrikave tona, na shkruani në Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo. ose Questo indirizzo email è protetto dagli spambots. E' necessario abilitare JavaScript per vederlo..

©Flasshqip.ca