Kulturë

Tiranë, 24 tetor 2024: Promovohet libri i Ilir Ikonomit “FAN NOLI - REBELI”

  • Published in Kulturë

Lajmin për publikimin dhe promovimin e librit të dytë të serisë biografike kushtuar Fan Nolit e ka njoftuar dje (21.10) vetë autori në profilin e tij në rrjetin social Facebook. “REBELI” është botim i UET Press dhe përshkruan në 425 faqe Nolin e viteve 1920-1924.

Siç shprehet vetë Ikonomi, “libri është fryt i kërkimeve të gjata nëpër arkivat e botës. Janë dokumente që i kisha mbledhur prej kohe por që i hodha në libër gjatë vitit të fundit. Gjashtë muajt e Nolit si kryeministër, qershor-dhjetor 1924, zënë një vend të veçantë në këtë vëllim dhe ju do të njiheni episod pas episodi me Shqipërinë e asaj kohe, e cila në disa drejtime mund të thuhet se ka ngjashmëri me të sotmen, sidomos përsa i përket luftrave të ashpra politike që e zhytën vendin në kryengritje”.

Parathënia e “FAN NOLI - REBELI” mban firmën e Nicholas C. Pano, Profesor Emeritus në Universitetin Western Illinois të SHBA. Pano e cilëson librin e Ikonomit “një ndërthurje mjeshtërore e biografisë me historinë”.

Promovimi do të bëhet në Tiranë, të enjten më 24 tetor, ora 18:00 në hotel Xheko Imperial (Karlsberg).

Kujtojmë që sivjet, publicisti i mirënjohur Ilir Ikonomi zhvilloi dy takime promovuese të vëllimit të parë biografik mbi Fan Nolin (“APOSTULLI”) me shqiptarët e Kanadasë. I pari në Toronto në qershorin e kaluar dhe i dyti në Montréal, në fillim të këtij muaji.

Flasshqip.ca e uron përzemërsisht autorin për publikimin e ri dhe shpreson që kopje të librit të mbërrijnë në duart e dashamirësve të tij të shumtë në Kanada gjatë ditëve të Festivalit të Librit Shqip në Toronto, që do të zhvillohet në datat 30 nëntor - 1 dhjetor, organizuar nga Albanian-Canadian Development Alternative (ACDA) e themeluar dhe drejtuar nga z. Rudin Dakli.

© Flasshqip.ca