Poezia e Ilirian Zhupës, bëhet hit në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë
- Published in Kulturë
Poeti i mirënjohur Ilirian Zhupa ishte i ftuar në Festivalin Ndërkombëtar të Poezisë në Genova, Itali nga data 9-18 Qershor. Në këtë festival me përmasa botërore morën pjesë si të ftuar nobelistët Czeslaw Milosz, Derek Walcott, John Coetzee, Gao Xingjian, Wole Soyinka dhe poetët e artistët Lou Reed, John Giorno, Juan Gelman, Lawrence Ferlinghetti, Mahmoud Darwish, Alvaro Mutis, Adonis, Manuel Vasquez Montalban, Yusuf Komunyakaa, Peter Hammill, Jack Hirschmann, Linton Kwesi Johnson, Evgenij Evtushenko, Charles Simic, Diane Di Prima, Roger Mc Gough, Simon Armitage, Ray Manzarek of The Doors, Fernando Arrabal, Alejandro Jodorowsky, Edoardo Sanguineti, Mario Luzi, etj.
Poeti Zhupa, mori pjesë në natën gjysëmfinale dhe finale të këtij eventi mes të përzgjedhurve nga Bosnje-Herzegovina, Franca, Izraeli, Greqia, Venezuela, Tunizia, Kanadaja, Siria, Spanja, Rumania, Portugalia dhe Italia. Për këtë festival, ishin përzgjedhur poezitë: “Shumë qenkam rritur”, “Përgatitje për një udhëtim të largët”, “Stolat”, “Posta”, “Ëndërr për duart e tua”, “S'kam asnjë punë me ty”, “Kohë e drunjtë”, “Një kumbull, një qen, një trishtil”, të botuara në Itali me përkthimin e gjallë e besnik të Albana Alia.
Poezia "Përgatitje për një udhëtim të largët...", u bë hiti i këtij festivali. Ajo u lexua nga Drejtori Artistik i Festivalit, z. Claudio Pozzani, e lexuan aktorët dhe publiku e kërkonte vazhdimisht, në të gjitha takimet, kopje të saj të printuara në shqip, italisht, anglisht, rumanisht...
PËRGATITJE PËR NJË UDHËTIM TË LARGËT…
Mora sytë e mi të lodhur dhe i futa në xhep,
Veshët i mbylla në një kuti hermetike të veshur nga brenda,
Do i nxjerr të shikojnë e dëgjojnë, vetëm po mbërrita në ndonjë ishull të shkretë
Ku luajnë natyrshëm dritat, ngjyrat dhe zërat.
Flegrat e hundës i mbusha me lecka e dyll,
Që të mos tundohen nga aromat e rrugëve dhe avujt,
Po kam një problem me gjuhën dhe me lukthin tim të mpirë,
Që duan fshehur në një qoshe të thellë e të lagësht.
Buzët e djegura nga puthje pasioni, mashtrimi,
Do i fus midis teshave, në fund të çantës së shpinës,
Të veçuara nga dhëmbët kafshues dhe nga qiellza e lartë e shijimit,
Nga frika e mëkateve që mund të na shfaqen tinëz.
Në mollëzat e gishtave vura gishtëzat që përdorte kur qepte nëna,
Kështu mund t’u ruhem tundimeve të prekjeve intime në një çast ligështie,
U vesha trashë jo nga të ftohtit, por që të mos dëgjohet si përpëlitet zemra,
Në këtë prag arratie.
Urdhërova këmbët të nisen për udhë, pa adresë, kuturu,
Po këmbët nuk binden, sikur kanë hedhur rrënjë në këtë vend origjine...
Koka gjëmon, duhet marrë nën sqetull dhe ajo gjithashtu,
Pastaj të vazhdoj rrugën time.
©FlasShqip.ca












