Kulturë

Mbrojtja e të dhënave personale nga piratët dhe dinakët digjitalë

  • Published in Kulturë
Nga: Burim Bardhari

Kujdes se bankat nigeriane nuk kanë para për ju, as nuk keni fituar lotarinë, as Çmimin Nobel!

Këto janë mesazhe elektronike të cilat gjithkush nga ne i ka marrë apo dëgjuar shpesh e më shpesh.

Mos u bëni viktimë e “pengmbajtjes” me pagesa të detyruara (Ransomware) për ri-hapjen ose shpengimin e të dhënave tuaja si pasojë e ndërhyrjes me fjalëkalim. Mjerisht, vetëm viruset janë “falas”. Nëse diçka ju tingëllon ose duket si ëmbëlsirë e pabesueshme, atëhere është me të vërtetë e pabesueshme, se nuk ka drekë pa lekë. Do të paguani shtrenjtë ofertën e “përgjysmuar” për trashëgimi, vila e pushimore ose lundrim me anije kryqtërthore.

Duke u vetëdijësuar sa më shumë për mbrojtjen tonë edhe sulmet skematike bëhen më të pahetueshëm.

Kini kujdes sepse përpilohen mesazhe që duken legjitime prandaj duhet ushtruar vigjilencë edhe kur dërguesit ose logot duken familjare, veçanarisht hapni sytë kur: 

-Hartimi është me përmbajtje urgjente, të frikshme, ose tërheqës që flet për një shpërblim të papritur.

-Dërguesit janë të panjohur dhe joshin me nyje (link) ose bashkangjitje (me dokumente ose foto).

-Mesazhi ka drejtshkrim të çalë, lëshime të ndryshme gjuhësore, gramatikë të varfër ose pa shenja pikësimi.

-Shkrimi është pa firmë legjitime ose me emra të dyshimtë.

 

Këshilla tejet të rëndësishme:

-Asesi mos e përdorni llogarinë e fuqishme të administrator-it sepse edhe virusi automatikisht trashëgon të njëjtën fuqi dhe të drejtat e pakufizuara.

-Krijoni një llogari të pafuqishme “Uni1” ose “Miku1”, por me të drejta të ulta ose deri në nivel mesatar, ndërsa për fëmijet e mitur përdorni llogarinë “Guest” që ndoshta duhet aktivizuar.

-Sa herë që të keni nevojë për më shumë të drejta administrative, vetë sistemi ju rikujton dhe përdorni ato vetëm kur ju vetë hapni ndonjë skedë, program ose bëni përditësimin.

-Mbivendosni treguesin e miushkës pezull mbi nyjë (link), por pa klikuar që të zbuloni adresën nga vjen dhe nëse adresa është e dyshimtë, mos vazhdoni më tej.

-Nëse merrni email rreth ndërrimit të mënyrës së pagesës, telefononi për konfirmim. Mos paguani kurrë ata që hiqen se janë nëpunës të shtetit, dega e tatimeve, banka juaj etj. se shteti ju gjen kur ka nevojë për xhepin tuaj, edhe herën e shtatë.

-Mos i besoni verbërisht fushës "From" (Prej). Kriminelët kibernetikë lehtësisht mund të vendosin emrin e cilitdoqoftë në fushat përkatëse. Zakonisht janë nga Nigeria dhe India, hiqen si të punësuar nga Dell ose Microsoft ose ju trembin duke ju alarmuar se kompjuteri juaj është i infektuar keqas.

-Konfirmoni adresat para se të përgjigjeni duke i kërkuar personat ose adresat në Google.

-Konfiguroni shfletuesit e faqeve si Chrome, Firefox ose Internet Explorer, etj. që të mos t’ju ndjekin tek adresat që vizitoni dhe kërkoni të fshini gjurmët e lundrimit tuaj.

-Mos instaloni programe vetëm se janë falas ose pa u informuar mirë e pa lexuar vërejtjet e vlerësimet përkatëse.

-Programthet si “Cleaner”, ndonjëherë janë të dëmtuar dhe mund te shfrytëzohen prej piratëve.

-Malwarebytes është një ndër programet më të njohur kundër programeve dëmtuese e me dinakëri “kalatrojançe”. Ai duhet përdorur vetëm sipas nevojës nësë nuk keni mundësi ta blini dhe pastaj të ç’instalohet sepse pas përdorimit një mujor duhet patjetër të abonoheni, As ju dhe as unë nuk punojmë falas, përveç kontributeve modeste rastësore.

-E mbi të gjitha, periudhtas arkivoni të dhënat tuaja personale, por bëni edhe testimin e duhur. Pas arkivimit hapni ca dokumente e fotografi për të parë që gjithçka është në rregull. Paisja e arkivimit duhet shkëputur menjëherë pas kopjimit që virusi i mundshëm të mos ketë qasje leximi. Paisja të mbrohet me fjalëkalim që nuk harrohet lehtë por as të jetë i rëndomtë. Ruani edhe fjalëkalimet tuaja në një skedë të mbrojtur me fjalëkalim të ndërlikuar alfanumerik me 11 shkronja, numra e simbole.

Lundrim të mbarë!