Kulturë

Nominimet e Akademisë së Shkencave për veprat më të mira mbi Skënderbeun

  • Published in Kulturë

Është mbajtur në Akademinë e Shkencave konferenca për konkursin e veprave dhe botimin më të mirë shkencor kushtuar Gjergj Kastriotit Skënderbeut dhe epokës së tij, shpallur nga Akademia e Shkencave e Shqipërisë në kuadrin e vitit 2018, “Viti i Skënderbeut”. Floresha Dado tha se në kuadër të këtij viti, akademia ka parashikuar disa aktivitete. Mes tyre do të jepen edhe çmime të veçanta: për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare, shkruar nga autorë shqiptarë; për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare, shkruar nga autorë të huaj, shqip ose në gjuhë tjetër dhe për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare në vlerësimin e rrallësisë bukinistike, me përparësi botimet diplomatike-anastatike, çmim i cili nuk do të jepet, pasi juria nuk ka cilësuar që ka një prurje të tillë në konkurrim. Pritet edhe botimi i një vëllimi të posaçëm kushtuar Skënderbeut, ku janë ftuar të kontribuojnë personalitete të shquara të shkencave albanologjike, me temë Skënderbeun dhe epokën e tij. Aktiviteti tjetër do të jetë promovimi i dhjetë vëllimeve të akad. Kristo Frashërit, me përmbledhje dokumentesh, mbledhur dhe përkthyer nga gjuhë lindore e perëndimore, që përbëjnë një pasuri të jashtëzakonshme për të gjithë historianët. Akademia me këtë rast i bëri thirrje Agjencisë së Prokurimeve Publike që të përshpejtojë procedurat e tenderimit, pasi ka një pezullim që ky botim i rëndësishëm të realizohet në kohë. Për vlerësimin e botimeve të paraqitura në këtë konkurs, të ndara sipas tri kategorive të mësipërme, Akademia e Shkencave, me vendimin e datës 3 prill shpalli krijimin e jurisë për ndarjen e çmimeve që akademia në fjalë akordon për 550-vjetorin e Gjergj Kastriot Skënderbeut, me këtë përbërje: prof. dr. Pëllumb Xhufi, Instituti i Historisë, Tiranë – kryetar dhe anëtarët akad. Luan Starova, Akad. Asoc. Shaban Sinani, akad. Rezvan Teodorescu dhe prof. Matteo Mandala. Juria bëri një mbledhje të parë në muajin prill, në të cilën u diskutuan dhe u vendosën kriteret mbi bazën e të cilave do gjykohet për vlerën e secilës vepër të paraqitur në konkurs.

Me angazhimin e anëtarëve të jurisë, u identifikuan botimet e realizuara brenda dhe jashtë Shqipërisë, në këto dy dekada të fundit me subjekt jetën dhe veprën e Gjergj Kastriotit dhe epopenë e lavdishme të popullit shqiptar në shek. XV. Ndërkohë, u ftuan institucionet kërkimore-shkencore brenda dhe jashtë Shqipërisë, si dhe autorë të interesuar për të paraqitur në konkurrim vepra të realizuara e që përputhen me kërkesat e konkursit. Ishte një befasi pozitive, që u krijua një masë e konsiderueshme botimesh, e cila e angazhoi jo pak jurinë që të dalë në vlerësime të bazuara për çdonjërën nga veprat e përzgjedhura e të paraqitura për konkurrim. Në datën 30 qershor 2018, juria realizoi mbledhjen e saj të dytë, në sallën “Aleks Buda” të Akademisë së Shkencave.
Pasi përzgjodhi 30 botime dedikuar kësaj figure, të botuara nga viti 2000-2018, akademia përzgjodhi 3 botimet më cilësore ndër autorët shqiptarë. “Për veprën më të mirë shkencore të realizuar nga autorë shqiptarë, u përzgjodh Aurel Plasari me veprën ‘Skënderbeu-një histori politike’. Autori tjetër është Kasem Biçoku për veprën e tij ‘Toponimet mesjetare në studimin e historisë së Skënderbeut’ dhe autori i tretë Petrika Thëngjilli për veprën ‘Skënderbeu-arritje, mangësi e pikëpamje të ndryshme’”, u shpreh Pëllumb Xhufi. Për veprën më të mirë shkencore dhe/ose dokumentare shkruar nga autorë të huaj, shqip, ose në gjuhë tjetër: – Jose Manuel Floristan, “Marrëdhëniet mes Mbretërisë së Napolit me Shqipërinë”, seri studimesh botuar në revistën shkencore “Erytheia”, me mbi 25 artikuj shkencore në 1990-2017; – Lucia Nadin me veprën “Shqipëria e rigjetur”, ‘Onufri’, 2012; – Oliver Schmitt me veprën “Shqipëria Venedikase”, K&B, 2007, sjellë në shqip nga Ardian Klosi. Për realizimin më të mire në fushën e bukinistikës e të botimeve anastatike të dorëshkrimeve të rralla, juria pasi shqyrtoi botimet e paraqitura vlerësoi dhe konkludoi që prurjet nuk përmbushin kriteret e përcaktuara dhe për këtë arsye nuk do të ketë asnjë nominim. Juria u pajtua unainimisht me propozimin në këtë mbledhje për t’i propozuar Kryesisë së ASH organizimin e një seance të posaçme (in honorem) për të nderuar personalitete të shquara shqiptare dhe të huaja, veçanërisht ato që i kanë dhënë kontribute të veçanta nëpërmjet studimeve të tyre mbi figurën e Skënderbeut dhe epokën e tij, duke propozuar personalitetet më poshtë, pjesë e të cilëve nuk jetojnë më: Franz Babinger, Halil Inalcik, Aleks Buda, Kristo Frashëri, Alain Ducellier dhe Peter Bartl. Për këto personalitete do të përgatiten prezantimet në seancën e veçantë in honorem. Kryesisë se Akademisë së Shkencave u janë propozuar edhe emrat e studiuesve shqiptarë e të huaj, që do flasin për veprën e meritat në albanologji të personaliteteve të mësipërme (Oliver Schmitt, Ferit Duka, Luan Malltezi, Floresha Dado, Pëllumb Xhufi, Bardhyl Demiraj). Juria i propozoi Kryesisë së Akademisë çeljen me këtë rast të “Librit të Artë të Meritës në Albanologji”, ku të jenë emrat e personaliteteve./gsh.al