Kulturë

Gruaja shqiptare në pikturë

  • Published in Kulturë
Nga: Flas Shqip

Me rastin e 8 Marsit, Ditës Ndërkombëtare të grave po sjellim në vëmendjen tuaj figurën e gruas shqiptare në telajot e disa prej piktorëve me famë e më të vlerësuar në historinë e artit pamor shqiptar. 

Tabloja “Motra Tone” (1883) u realizua nga Kol Idromeno piktor, arkitekt, urbanist, skulptor, fotograf, muzikant, skenograf.  “Piktor i Popullit" Kol Idromeno është themeluesi i shkollës realiste të pikturës shqiptare të shekullit XIX - XX. "Motra Tone" u punua në teknikën e vajit mbi kanavacë dhe paraqiste portretin e motrës së artistit të veshur me kostumin tradicional shqiptar. Vepra u ekspozua për herë të parë për publikun në vitin 1954 në Galerinë e Arteve, në Tiranë.

Ndryshe nga Idromeno, i cili tërhiqej prej personazheve që mbartnin një tis misteri, Simon Rrota në pikturat e tij kërkon të sjellë një reflektim të realitetit. I tërhequr prej gjinisë femërore, ai sjell në pikturat e realizuara në vitet 1934, një kompozim interesant të grave në pusin e fshatit, ku ngjyrat e rrobave që ato mbajnë në trup nxjerrin në pah elementin femëror.

 

Pas piktorit Simon Rrota, që trajtoi kryesisht figurat e grave shkodrane me veshje të ndryshme tradicionale, Kel Kodheli është ndër të paktët piktorë shqiptarë që krijimtarinë ia kushtoi kësaj teme. Në portretet e tij, Kodheli zbuloi psikologjinë e femrës shqiptare të kohës nën një këndvështrim tjetër, të papolitizuar, por të "zbukuruar" nga dashuria e tij për njeriun dhe veshjet kombëtare.

Krijimtaria artistike e piktores Sofie Papadhimitri, është gati e gjitha, në gjininë e portretit të njeriut, e cila fillon me autoportretin e saj, “Autoportret”, 1939, vaj, kanavacë, 45.3×34 cm.

Sali Shijaku në vitin 1961 pikturon një femër nudo të shtrirë në shtrat dhe trupin që i reflektohet në pasqyrë.

Kjo është "Aksionistja" e punuar në 1970 nga Lumturi Blloshmi (1944-2020). 

“Një emancipim” i gruas në pikturë duket dhe në një tablo të Llambi Blidos më 1971, me titull “Në pultin e komandimit”.


 

Safo Marko (1925-2012) ishte pjesë e artistëve të rëndësishëm grafistë të shekullit të XX-të në artin pamor shqiptar. Piktura e mëposhtme titullohet "Qymyrxhesha" punim i vitit (1959). 

Gruaja e veshur me të bardha dhe shapkat e kaltërta që përkëdhel fëmijën në tryezën e ngrohtë të familjes është një vepër e Hilmi Banit. E realizuar më 1981. 

 "Ndërtuesja", Bardhyl Dule, 1971

“Aksionistja” me autor Hasan Nallbanin, ku shfaqet portreti i një gruaje me flokët e prera shkurt, veshur me një bluzë të thjeshtë, pantallona dhe një shall të lidhur në qafë, teksa mban një sëpatë mbi supe, që tregon se tashmë ka mbërritur një moment nga më interesantët dhe më të diskutueshmit në historinë e artit pamor në Shqipëri, ai i artit të Realizmit Socialist. Makineria e propagandës do kërkonte ndihmën e artit për t’i thurur lavde sistemit.

 “Mjelësja” e Isuf Sulovarit, duket e lumtur teksa pozon me kovën e qumështit në dorë. (Propaganda)

Sotir Capo, "Prodhuesja e telave elektrike", 1969

Pak më tej “Brigadierja” e Spiro Kristos punuar në vitin 1976 ka ndaluar diku mes arës ku po punohet dhe mban një bllok shënimesh në dorë.

"Kooperativistja" e Ferdinand Pacit, duket sa e bukur aq edhe me tipare të forta mashkullore si: qëndrimi dhe krahët me mëngë përveshur dhe të tonifikuar nga puna. 

Vilson Kilica, (1932-2016), "Brigada e grave". Duken shijet perēndimore të piktorit dhe emancipimi në stilin e jetës së grave shqiptare, i cili në vitin 1974  u kritikua nga Pleniumi i 4-të dhe u përjashtua nga drejtimi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve të Shqipërisë me motivacioni “Për ndikime borgjeze dhe revizioniste”.

"Nudo në dritare". Kjo nudo është realizuar nga Maks Velo në vitin 2010 dhe i është dhuruar Galerisë Kombëtare të Arteve. 

"Portret Malësoreje", 1972. Edison Gjergo ishte një nga piktorët e rëndësishëm shqiptarë të gjysmës së dytë të shekullit XX. I prirur drejt një pikture më moderne, larg nga rregullat e Realizmit Socialist, Gjergo me tablotë e tij “ndryshe” arriti të ndikojë në modernizimin e pikturës shqiptare të viteve ’70-të. Edison Gjergo ishte një nga piktorët kryesorë që realizoi në vitet 1971-1973, vepra me prirje të fuqishme moderniste.

 Burimi i informacionit: Galeria Kombëtare e Arteve, Tiranë.

© Flasshqip.ca