Kulturë

Kujtojmë në ditën e lindjes Pjetër Bogdanin, kryemjeshtrin e shqipes

  • Published in Kulturë
Nga: Albert Vataj

Pjetër Bogdani u lind në Gurin e Hasit, jo larg Kukësit më 19 Shtator 1625 dhe u fik më 6 dhjetor 1689 në Prishtinë nga epidemia e murtajës. Kryemjeshtri mrekullibërës i shqipes, i themelti i përpjekjeve ngadhnjyese të zërit dhe shpirtit shqiptar, tharmi i shpërthimeve të duhishme kryengritëse kundër zgjedhës osmane, Pjetër Bogdani, qe dhe mbeti. Ai mbamendet si një ndër personalitetet më të shquar të Kishës, dishepull i interesave të kombit dhe kulturës shqiptare. Pjetër Bogdani vlerësohet ndër teologët më të njohur shqiptarë dhe figura më e ndritur e letërsisë së vjetër e shqipshkruar. 

"Ai nuk është vetëm një kryemjeshtër i gjuhës shqipe, por është dhe ka mbetur teologu më i madh i krishterë në gjuhën shqipe që reflekton një humanizëm të pashoq në letrat evropiane, si dhe poet i përndritur i stilit barok", mëton për Pjetër Bogdanin studiuesi Moikom Zeqo.
Pjetër Bogdani ka hyrë në historinë dhe ndërmendjen e patriotizmit jo vetëm me veprimtarinë e vet kombëtare për të organizuar kryengritjen e përgjithshme antiosmane, por edhe me veprën e tij diturore-letrare "Çeta e profetëve" e cila mbetet e themelta e vlerave të njimendta teologjike dhe filozofike, gjuhësore dhe psikologjike. "Kjo vepër, thënë metaforisht, ashtu si e thotë Bogdani për parimin e tij filozofik, Zotin, është një krua i gjallë, ku mendja dhe shpirti ynë do të gjejë kënaqësi dhe shqetësim intelektual, ku shumëkush mund të marrë ujë, e s'do të shteret lehtë", nënvizon Ibrahim Rugova në përçapjen e tij për të dritëlëshuar mbi këtë univers kleriku dhe atdhetari, gjuhëtari dhe filozofi.
Duke nisur rrugëtimin e shqipshkrimit, me nistarin Pal Engjëlli, autorit të Formulës së pagëzimit që daton më 1462, e deri tek rilindasi Jeronim De Rada, Pjetër Bogdanit i është rezervuar vendi i nderit në gjithë letërsinë shqiptare, sidomos si prozator i madh, e njëherësh si poet, filozof, shkencëtar, teolog, etj. Eqrem Çabej e vlerëson si një stilist të rrallë, i cili arriti nivelin e lartë të përsosshmërisë gjuhësore dhe artistike.