Kulturë

Çfarë u thoshte grave shqiptare Mit'hat Frashëri?

  • Published in Kulturë

Kam nderin të flas me ju, Zonja dhe më vjen shumë keq, që do të qahem. Mos u trembni, vërejtjet do t’i bëj me respektin më të madh dhe do t’ju kërkoj ndjesë qysh tani, në ju thënça gjësend, që të mos ju pëlqejë. Besomëni se zemra ime, në këtë orë, do të donte që të kisha për ju vetëm falënderime dhe lëvdata. Pse ndodhem i shtrënguar që t’i përziej me kritika dhe vërejtje në bisedimin tim?

Gjer më tani më kini parë se kam disa shkaqe që të qahem prej burrave. Por është e kuptueshme se një pjesë e mirë e këtyre ankimeve do të bjerë edhe mbi ju, mëmat, motrat, gratë e bijat e burrave. Ju merrni një përgjegjësi të madhe për fajet dhe të metat e botës dhe kjo është gjëja më e natyrshme, sepse ju jini misi më i rëndësishëm i kësaj shoqërie, kurse do të ishte dashur që ju të ishit të zonjat të ndalonit një pjesë të këtyre lajthimeve.

Ju kallëzoj, pra, Zonja dhe ju kërkoj ndjesë edhe një herë akoma, që ju kallëzoj si fajtore apo si shokë të fajtorëve. Nuk ju kritikoj pse feminizma s’ka përparuar ndër ne. Nuk ju qortoj pse nuk dini të kërceni në ‘dancing’ ose që nuk kini fituar të drejtat politike. Jo, përkundrazi, dëshiroj, që këto shenja të përjashtme dhe të rrema të qytetarisë, të vijnë sa më vonë këtu te vendi ynë. Nuk ju kritikoj pse nuk ndiqni modën, pse mbani veshjet e vjetra dhe pse motrat tuaja të varfra rrinë këmbëzbathur në baltë e të pështjella si gogol me “xhybe”. Jo, është e lirë që ta mbajnë këtë veshje qesharake, aq më tepër akoma tek thonë se ferexheja ka një veprim “moralizues”, e bën burrin që të druhet nga gruaja, ta shohë atë veçse në formën më pak të bukur dhe aspak tërheqëse.

Ajo, për të cilën ju akuzoj është pjesëmarrja e pakët në shoqëri, interesi i dobët që rrëfeni për rrojtjen dhe fatin e kësaj shoqërie, ku rrini si të huaja! Pa dyshim, vendi dhe detyrat tuaja janë fort të rënda brenda në shtëpi dhe përpjekjet që bëni për ta bërë të më të mirë e më të këndshme jetën e brendshme meritojnë mirënjohje. Mjerisht, jashtë pragut të shtëpisë s’dilni dot, sikur nuk jetoni në këtë botë; harroni se detyra nuk përmbushet dot duke u shmangur gjysma e punës.

Të drejtat e gruas i ka rrëmbyer burri, por është faji i të dyja palëve. Në qoftë se burri e gjykon gruan si një krijesë më të ulët dhe jo të denjë, sa të shikohet par, shoqe dhe baras, në qoftë se i vjen turp t’i zërë ngoje emrin asaj, ahere s’do harruar edhe gruaja, që nënshtrohet, që i jep edukatën së bijës, kur është e vogël, duke e quajtur veten “femër”, duke e vënë veten në shkallë poshtërore dhe duke u dorëhequr nga fuqia e saj.

Në shumë vende barbare zakoni dhe ligji i japin të drejtë burrit, që të sillet në mënyrë brutale me gruan, ta ndajë nga martesa ose të marrë më tepër se një grua, duke e ulur gruan në shkallën e një plaçke apo për ta blerë gruan në pazar!

Nuk e di nëse është më pak barbare rregulla që ndiqet prej malësorëve tanë, që e vlojnë çupën qysh në djep, e martojnë pa dashjen e saj, duke e shikuar si një plaçkë këmbimi a si një mjet miqësimi.

Burri kurdoherë ka pasur nevojë të gjejë një skllav për të punuar në vend të tij, ka bërë luftëra dhe ka zënë robër, që i ka përdorur si kafshë pune; ka marrë gruan, nënën dhe motrën dhe i ka përdorur si skllevër në shtëpi, meqenëse e varfra “femër” i ka më të dobët grushtet dhe më të vegjël dhëmbët.

Në ca libra “të shenjtë” arabisht, gruaja quhet “mallyn mut’atyn”, dmth një plaçkë, që shitet dhe blihet. Egoizma brutale e burrit, ëmbëlsia e butë e gruas dhe mbase, fatalizma e saj, e kanë pranuar këtë situatë çnjerëzore pa asnjë kundërshtim.

Për të çrrënjosur skllavërinë janë bërë shumë luftëra në çdo komb, në shekujt e kohës së vjetër dhe të mesme; m’e fundit qe ajo në mes të Jugut e të Veriut në Shtetet e Bashkuara, një luftë e gjakshme dhe vëllavrasëse. Pastaj, mezi u pranua që zezakët të mos jenë më skllevër.

Thonë se egoizma e shtyn burrin të mbajë gruan në gjysmë robërie. Padyshim, shqiptari nuk është i vetmi në këtë hall të keq dhe të turpshëm. Në qoftë se malësorët tanë e duan gruan që ta ngarkojnë me dru dhe vetë të luajnë katërta ose të tunden me xhamadan të artë dhe të gjuajnë në shenjë, të mos harrojmë se edhe në kombe të tjerë, mbase jo larg nesh, pozita e gruas nuk është më e mirë. Mjerisht, ajo që më bën të mendohem, është se te ne, edhe pozita e zonjës së klasave të larta, nuk është m’ë mirë se ajo e popullit.