Kulturë

Shën Libri dhe lexuesi

  • Published in Kulturë
Nga: Flurans Ilia

Cili është ndryshimi midis shallvareve dhe veglave? Pyetje absurde, apo jo?

Le të themi se jemi me fat, sepse kemi gjetur tashmë një fjali jo edhe aq mosbesuese me të cilën po e hapim bisedën. Pa i dhënë kohë pleqërimit të mendimit, një pjesë e instinktit tonë dëshmon se një vegël mund të jetë fare mirë pjesë aktive e trupit (duar, gishta, dhëmbë) ndërkohë që shallvaret mbulojnë një fragment të së tërës, që është për shembull lëkura apo qimet e lëkurës.

Lexuesi i librit nuk ka si ta shpjerë ndër mend faktin që shkrimtarët harxhojnë kohën më të madhe përgjatë punës së tyre duke kërkuar barazpeshime të duhura në logjikën e së tërës. Përfshi botën e brendshme dhe të jashtëme. E bukur, e shëmtuar, ekzistencë, vdekje, qenie, popuj, individë, gjuhë, ngjyra, personazhë, tinguj, mënyrë të shkruari dhe të jetuari, shije frutash dhe verë, kafe, zeher, sheqer, tymnajë duhani apo flatrim metaforash, logjikë mishngrënëse apo vegjetariani, etj.

Të gjitha këto sipas midesë dhe këndvështrimeve të tyre krahasimore, brenda një universi me rregulla të qarta në të cilin vet shkrimtarët funksionojnë si paralelizëm.

Shkrimtari është si puna e atyre shkallëve lëvizëse në qendrat e mëdha komerciale. Ekuivalent i botës. Në ngjitje dhe zbritje. Kujdes! Fjala “ekuivalencë” ka një kuptim krejt tjetër për tregun. Rrjedhimisht edhe mbi masmediat, propagandën, dhe infrastrukturën e gjuhës së tregut. Kjo nuk ndodh me shkrimtarin dhe botën e tij. Ai është aty. Ekuivalent. Etalon kokëfortë. Le ta pranojmë si një paralelizëm të pashqitshëm.

Por le t’i kthehemi sërish veglave dhe shallvareve. Plaku im i mirë Borges, diku është shprehur se “... nga gjitha veglat e shpikura nga njeriu, libri është padyshim i habitshmi, tepër se sa një vegël zgjatuese e trupit njeriut, ai përbën një zgjatim kujtesës dhe imagjinatës.”

Gjithmonë më ka pëlqyer vërtetësia analogjike e Borges, megjithëse sot për hir të së vërtetës po filloj të ndiej një dridhje të lehtë të gishtave duke zbuluar një kundërshti që nuk përputhet me mendimin e plakut të urtë. Prej këtu zë fill gërricja ime në vijim. Që libri është një instrument unik në llojin e vet, jam dakord, por jo me faktin që libri zgjaton një gjë jotrupore. Kujtesa dhe imagjinata nuk lindin në eter. Ato janë funksione neurologjike të sistemit të trupit të njeriut dhe një neuron nuk është as më shumë e as më pak trupor se sa një timpan veshi apo mollëz gishti. A përbën libri me të vërtet një vegël zgjatuese të njeriut? Përse mos të mendojmë se mundet të jetë një protezë gojore, një aparat dëgjimi, një teleskop për të vëzhguar hapësirën ku syri ynë nuk mbërrin, apo pantallona bluxhins (shallvare) që veshin lëkurën dhe qimet e njerëzimit? Ndryshimi nuk është edhe aq i rëndomtë, po ta shohësh hollë hollë.

Njëzëshëm të gjithë e kemi pranuar faktin se mungesa e lexuesit e katandis librin në një objekt të vdekur! Që të ekzistojë libri nuk ka nevojë të lexohet, por jetë i lexuar. Nga një Lexues me germë të madhe, madje.

Në realitet, ja cili është fakti që na bënë të mendojmë se libri nuk paska qenë edhe aq objekt banal, në të kundërt, do të dëshmonim se është një objekt i veçantë kur merr vështrimin dhe vendin e duhur. Sapo e kemi mbyllur, lexuar, larguar nga këndi ynë i shikimit, Shën Libri kokëfortë, vazhdon të qëndrojë po aty, duke gërvishtur mendjen tonë.

Një sqepar është krejt i pavlefshëm për të ngulur dhe shkulur gozhdë po qe se nuk mbahet fortë nga dora jonë. Libri, në të kundërt vazhdon të reagojë edhe kur e kemi mbyllur së lexuari, kemi shuar dritën, dhe larguar nga shikimi. Lëçitja ndryshon konfigurimin e neuroneve tona. Copëza teksti gjenden të vendosura në vende të ndryshme të hapësirës (universale) të trurit tonë. Ato nuk depozitohen aty si pesticide helmatisëse apo plehra organike, përkundrazi vazhdojnë të funksionojnë në depon e kujtesës dhe imagjinatës njerëzore vazhdimisht si me qenë fara të vdekura të gatshme për mbjelljet e ardhshme.

Libri është më i fortë se dhëmbët apo proteza e dhëmbëve. Libri i përngjan një hambari në epiqendër të neuroneve të atij që e përdor dhe di ta përdorë si duhet. Libri gllabëron neuronet e lexuesit duke u bërë pjesë e pandashme e tij. Libri shndërrohet në lexues duke na kujtuar përrallën e cironkës, gojëdhënë prej peshkatarëve të pogradecarë, të cilën e kam të depozituar si puna e atyre farave në trurin tim.

«E kapën rrjetë cironkën e vogël. Nga rrjeta cironka i flet nënës.

- O nënë, më kapën në rrjetë, moj nënë!

- Ky paska qenë fati ynë, bir i nënës.

- O nënë, më kanë futur në një vend që quhet kuzhinë, moj nënë!

- Biri i nënës, aty qëruan me thikë edhe time ëmë.

- Oh moj nënë, po m’i qërojnë luspat, moj nënë, po më zhveshin!

- Turpi dhe nderi për ne janë bërë, biri i nënës ti.

- Oh, po më skuqin në vaj të nxehtë, nënë!

- Nuk është vaji i përskuqur i Ferrit, është vaj kuzhine biri im.

- Po më kullufisin humnerave të gojës, moj nënë!

- Kurajo biri im.

- Po ma shuajnë dhimbjen me verë, me verë aromëmirë, nënë!

- Ah! Tashti mbarove, more fund bir.»

 

Sqepari shërben për të ngulur gozhdë në një ndërtesë, hambar, kasolle, vatër, shtëpi, kulturë, a traditë. Sytë, dylbitë, teleskopi, janë vegla për të vështruar botën dhe hapësirat e saj të pashtershme. Luga dhe dora për t’i dhënë njeriut jo vetëm ushqim, jetë, vazhdimësi, por edhe për ta kënaqur veglën e shijes, gjuhën.

Libri është i fatëzuar për të kërkuar dhe gjetur lexuesin.

Për të qenë shërbyes i tij i shenjtë.

Për ta mbyllur me kaq, po i rikthehem kokulur sërish plakut tim të mirë, Borgesit. Njëherë ai shpjegon se, “ ... fatkeqësisht verbërisë tij, vazhdon blejë libra, mbushë raftet e bibliotekës tij me libra, duke vazhduar luaj sikur mos ishte i verbër.”

Gjer më sot nuk njoh ndonjë përcaktim më të saktë dedikuar një lexuesi. Po ti?

Montreal, 2011

Tagged under Flurans Ilia